Pages

Jesusi ju shfaqet apostujve - E Merkure, 11 Prill 2012

Leximi i pare: Veprat e Apostujve 3:1-10
Psalm: Psalm 105:1-4, 6-9
Ungjilli: Luka 24:13-35
------------------------------------- 
Leximi i pare: Veprat e Apostujve 3:1-10
1 Por Pjetri dhe Gjoni po ngjiteshin bashkë për në tempull, rreth orës së nëntë, në orën e lutjes.
2 Dhe aty ishte një njeri i çalë që prej lindjes, të cilin e sillnin çdo ditë dhe e linin afër derës së tempullit, e t`u quajtur "E bukura", për t`u kërkuar lëmoshë atyre që hynin në tempull.
3 Ai, kur pa se Pjetri dhe Gjoni po hynin në tempull, u kërkoi lëmoshë.
4 Atëherë Pjetri, me Gjonin, duke i ngulur sytë mbi të, i tha: ``Na shiko``.
5 Dhe ai po i shikonte me kujdes, duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë prej tyre.
6 Por Pjetri tha: ``Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, çohu dhe ec!``.
7 Dhe, si e kapi nga dora e djathtë, e ngriti në këmbë; dhe në atë çast iu forcuan këmbët dhe nyjet.
8 Dhe me një të hovur u ngrit në këmbë dhe filloi të ecë; dhe hyri me ta në tempull, duke ecur, duke u hedhur dhe duke lavdëruar Perëndinë.
9 Dhe gjithë populli e pa duke ecur dhe duke lavdëruar Perëndinë,
10 dhe e njohën se ishte ai që rrinte ulur para derës së Bukur të tempullit për të kërkuar lëmoshë; dhe u mbushën me habi dhe çudi për atë që i kishte ndodhur atij.

Psalm: Psalm 105:1-4, 6-9
1 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.
2 Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.
3 Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.
4 Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.
6 ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.
7 Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.
8 Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,
9 besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,

Ungjilli: Luka 24:13-35
13 Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.
14 Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.
15 Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.
16 Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.
17 Dhe ai u tha atyre: ``Ç`janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?``.
18 Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: ``Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?``.
19 Dhe ai u tha atyre: ``Cilat?``. Ata i thanë: ``Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit.
20 Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.
21 Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra.
22 Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,
23 dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë nië vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.
24 Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë``.
25 Atëherë ai u tha atyre: "O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!
26 Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?".
27 Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.
28 Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.
29 Por ata e detyruan duke thënë: ``Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron``. Edhe ai hyri që të rrijë me ta.
30 Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.
31 Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.
32 Dhe ata i thanë njeri tjetrit: ``Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?``.
33 Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.
34 Ata thoshnin: ``Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit``.
35 Ata atëherë treguan ç`u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.