Pages

E PEMTJA E ZEZE - E Premte, 6 Prill 2012

Leximi i pare: Isaia 52:13 -- 53:12
Psalm: Psalm 31:2, 6, 12-13, 15-17
Leximi i dyte: Hebrenjve 4:14-16; 5:7-9
Ungjilli: Gjoni 18:1 -- 19:42
 --------------------------------------------------------
Leximi i pare: Isaia 52:13 -- 53:12
13 Ja, shërbëtori im do të begatohet, do të ngrihet dhe do të lartësohet shumë.
12 Prandaj do t`i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.

Psalm: Psalm 31:2, 6, 12-13, 15-17
2 Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh.
6 Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t`u dukur, por kam besim te Zoti.
12 Zemra e tyre më ka harruar si të isha një njeri i vdekur; i përngjaj një vazoje të thyer.
13 Sepse dëgjoi shpifjet e shumë njerëzve; rreth e qark sundon tmerri, ndërsa ata këshillohen midis tyre kundër meje dhe kurdisin komplote për të më zhdukur.
15 Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.
16 Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.
17 O Zot, bëj që unë të mos jem i pështjelluar, pse të kam kërkuar; u pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol.

Leximi i dyte: Hebrenjve 4:14-16; 5:7-9
14 Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit.
15 Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t`i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.
16 Le t`i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.
7 I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.
8 Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi,
9 dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden,

Ungjilli: Gjoni 18:1 -- 19:42

Kapitulli 18:
1 Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij.
2 Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij.
3 Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë.
4 Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t`i ndodhte, doli dhe i pyeti: "Kë kërkoni?".
5 Ata iu përgjigjën: ``Jezusin Nazareas``. Jezusi u tha atyre: ``Unë jam!``. Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta.
6 Sapo ai u tha atyre: ``Unë jam``, ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe.
7 Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: ``Kë kërkoni?``. Ata thanë: ``Jezusin Nazareas``.
8 Jezusi u përgjigj: ``Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë``;
9 që të përmbushej fjala që kishte thënë: ``Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë``.
10 Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk.
11 Por Jezusi i tha Pjetrit: ``Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?``.
12 Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e Judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.
13 E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprifti i atij viti.
14 Kajafa ishte ai që i kishte këshilluar Judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin.
15 Por Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër ndiqnin Jezusit. Dhe ky dishepull ishte i njohur i kryepriftit; dhe hyri me Jezusin në oborrin e kryepriftit.
16 Por Pjetri mbeti përjashta te dera. Atëherë dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, doli dhe i foli portieres dhe bëri të hyjë Pjetri.
17 Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: ``Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?``. Ai u përgjigj: ``Nuk jam``.
18 Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej.
19 Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij.
20 Jezusi iu përgjigj: ``Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë Judenjtë, dhe s`kam thënë asgjë në fshehtësi.
21 Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç`u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë``.
22 Posa i tha këto fjalë, një nga rojat që i rrinin afër, i ra Jezusit me shuplakë, duke thënë: ``Kështu i përgjigjesh kryepriftit?``.
23 Jezusi i tha: ``Po të kem folur keq, trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?``.
24 Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kajafa, kryeprifti.
25 Ndërkaq Simon Pjetri qëndronte aty e ngrohej. I thanë, pra: ``Mos je dhe ti nga dishepujt e tij?``. Ai e mohoi dhe tha: ``Nuk jam``.
26 Por një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefisi i atij, të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, tha: ``A s`të pashë në kopsht me të?``.
27 Dhe Pjetri e mohoi sërish, dhe menjëherë këndoi gjeli.
28 Pastaj nga Kajafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën.
29 Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: 'Ç`padi sillni kundër këtij njeriu?`.
30 Ata u përgjigjën dhe i thanë: ``Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar``.
31 Atëherë Pilati u tha atyre: ``Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj`` Por Judenjtë i thanë: ``Neve nuk na lejohet të vrasim njeri``.
32 Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç`vdekje duhej të vdiste.
33 Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: ``A je ti mbreti i Judenjve?``.
34 Jezusi iu përgjigj: ``E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?``.
35 Pilati iu përgjigj: ``Jam unë vallë Juda? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?``.
36 Jezusi u përgjigj: ``Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej``.
37 Atëherë Pilati i tha: ``Ti, pra, qenke mbret?``. Jezusi u përgjigj: ``Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim``.
38 Pilati e pyeti: ``Ç`është e vërteta?``. Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: ``Unë nuk po gjej në të asnjë faj!
39 Por ndër ju është zakon që unë t`ju liroj dikë për Pashkë; a doni, pra, që t`ju liroj mbretin e Judenjve?``.
40 Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: ``Jo këtë, por Barabanë!``. Por Baraba ishte një kusar.

Kapitulli 19:

1 Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin.
2 Dhe ushtarët thurrën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën siper një mantel të purpurt,
3 dhe thoshnin: ``Tungjatjeta, o mbret i Judenjve``; dhe i binin me shuplaka.
4 Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: ``Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj``.
5 Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: ``Ja njeriu!``.
6 Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bërtasin, duke thënë: ``Kryqëzoje, kryqëzoje!``. Pilati u tha atyre: ``Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të asnjë faj``.
7 Judenjtë iu përgjigjën: ``Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë``.
8 Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë;
9 dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: ``Nga je ti?``. Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje.
10 Për këtë arsye Pilati i tha: ``S`po më flet? ti s`e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?``.
11 Jezusi u përgjigj: ``Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh``.
12 Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por Judenjtë bërtisnin, duke thënë: ``Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit``.
13 Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm", e në hebraisht "Gabatha";
14 tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha Judenjve: ``Ja mbreti juaj``.
15 Por ata bërtitën: ``Largoje! Largoje! Kryqëzoje!``. Pilati u tha atyre: ``Ta kryqëzoj mbretin tuaj?``. Krerët e priftërinjve u përgjigjën: ``Ne s`kemi mbret tjetër përveç Cezarit!``.
16 Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje.
17 Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej "Kafka", që në hebraisht quhet "Golgota",
18 ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes.
19 Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: "JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE".
20 Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga Judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht.
21 Prandaj krerët e priftërinjve të Judenjve i thanë Pilatit: ``Mos shkruaj: "Mbreti i Judenjve", por se ai ka thënë: "Unë jam mbreti i Judenjve"``.
22 Pilati u përgjigj: ``Atë që kam shkruar, e kam shkruar!``.
23 Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund.
24 Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: ``Nuk e grisim, por hedhim short kujt t`i bjerë``; që të përmbushej Shkrimi, që thotë: ``I ndanë midis tyre rrobat e mia, dhe hodhën short për tunikën time``. Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra.
25 Por afër kryqit të Jezusit, qendronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë.
26 Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ``O grua, ja biri yt!``.
27 Pastaj i tha dishepullit: ``Ja nëna jote!``. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet.
28 Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: ``Kam etje!``.
29 Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një dege hisopi, ia afruan te goja.
30 Kur Jezusi e mori uthullën, tha: ``U krye!``. Dhe duke ulur kryet, dha frymën.
31 Duke qenë se ishte dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, Judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t`u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej.
32 Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të;
33 por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë,
34 por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë.
35 Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni.
36 Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: ``Nuk do t`i thyhet asnjë eshtër``.
37 Dhe akoma një Shkrim tjetër thotë: ``Do të vështrojnë atë që e kanë tejshpuar``.
38 Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e Judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit.
39 Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash.
40 Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndëshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin Judenjtë.
41 Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush.
42 Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së Judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.