Pages

E Shtuna e Shenjte - E Shtune, 7 Prill 2012

1) Zanafilla 1:1 - 2:2
Psalm 104:1-2, 5-6, 10, 12-14, 24, 35
2) Zanafilla 22:1-18
Psalm 16: 5, 8-11
3) Eksodi 14:15 -15:1
(Ps) Eksodi 15:1-6, 17-18
4) Isaia 54: 5-14
Psalm 30: 2, 4-6, 11-13
5) Isaia 55:1-11
(Ps) Isaia 12: 2-6
Psalm 19: 8-11
7) Ezekiel 36:16-28
Psalm 42:3, 5; Psalm 43:3-4
8) Epistle: Romans 6: 3-11
Psalm 118:1-2, 16-17, 22-23
9) Gospel: Mark 16:1-7
---------------------------------------- 

1) Zanafilla 1:1 - 2:2
Psalm 104:1-2, 5-6, 10, 12-14, 24, 35
1 Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.
2 Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave.
3 Pastaj Perëndia tha: "U bëftë drita!". Dhe drita u bë.
4 Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.
5 Dhe Perëndia e quajti dritën "ditë" dhe errësirën "natë". Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë.
6 Pastaj Perëndia tha: "Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t`i ndajë ujërat nga ujërat".
7 Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat që ishin poshtë saj nga ujërat që ishin sipër saj. Dhe kështu u bë.
8 Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore "qiell". Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi: dita e dytë.
9 Pastaj Perëndia tha: "Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera". Dhe kështu u bë.
10 Dhe Perëndia e quajti terën "tokë" dhe grumbullimin e ujërave "detë". Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë.
11 Pastaj Perëndia tha: "Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe drurët frutore të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili simbas llojit të tij". Dhe kështu u bë.
12 Dhe toka prodhoi gjelbërim, barëra që e bënin farën simbas llojit të tyre dhe drurë që mbanin fruta me farën e tyre brenda, secili simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.
13 Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi; dita e tretë.
14 Pastaj Perëndia tha: "Të ketë ndriçues në kupën qiellore për të ndarë ditën nga nata; dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet;
15 dhe të shërbejnë si ndriçues në kupën qiellore për të ndriçuar tokën". Dhe kështu u bë.
16 Perëndia krijoi pastaj dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madhë për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai krijoi gjithashtu yjet.
17 Dhe Perëndia i vendosi në kupën qiellore për të ndriçuar tokën,
18 për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.
19 Kështu erdhi mbrëmja dhe erdhi mëngjesi: dita e katërt.
20 Pastaj Perëndia tha: "Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore".
21 Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili simbas llojit të vet, e çdo shpend fluturues simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.
22 Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: "Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë".
23 Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi: dita e pestë.
24 Pastaj Perëndia tha: "Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, simbas llojit të tyre". Dhe kështu u bë.
25 Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët simbas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës simbas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.
26 Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe".
 27 Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.
28 Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: "Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë".
29 Dhe Perëndia tha: "Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t`ju shërbejë si ushqim.
30 Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim". Dhe kështu u bë.
31 Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë.
1 Kështu përfunduan qielli dhe toka si dhe tërë ushtria e tyre.
2 Ndërkaq ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer.

Psalm 104:1-2, 5-6, 10, 12-14, 24, 35
1 Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.
2 Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër;
5 Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.
6 Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.
10 Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,
12 Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.
13 Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.
14 Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,
24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.
35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.

2) Zanafilla 22:1-18
Psalm 16:5, 8-11

1 Mbas këtyre gjërave Perëndia e vuri në provë Abrahamin dhe i tha: "Abraham!" Ai u përgjegj: "Ja ku jam".
2 Dhe Perëndia tha: "Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e Moriahve dhe sakrifikoje në një nga malet që do të të tregoj".
3 Kështu Abrahami u ngrit herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit, mori me vete dy shërbyes dhe të birin Isak dhe çau dru për sakrificën; pastaj u nis drejt vendit ku i kishte thënë Perëndia të shkonte.
4 Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë dhe pa së largu vendin.
5 Atëherë Abrahami u tha shërbyesve të tij: "Rrini këtu bashkë me gomarin; unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi pranë jush".
6 Kështu Abrahami mori drutë e sakrificës dhe i ngarkoi mbi Isakun, birin e tij; pastaj mori në dorë të vet zjarrin dhe u nisën rrugës që të dy.
7 Dhe Isaku i foli atit të tij Abraham dhe i tha: "Ati im!". Abrahami iu përgjegj: "Ja ku jam, biri im". Dhe Isaku tha: "Ja zjarri dhe druri, po ku është qengji për sakrificën?".
8 Abrahami u përgjegj: "Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për sakrificën". Dhe vazhduan rrugën të dy bashkë.
9 Kështu arritën në vendin që Perëndia i kishte treguar dhe atje Abrahami ndërtoi altarin dhe sistemoi drutë; pastaj e lidhi Isakun, birin e tij, dhe e vendosi mbi altar sipër druve.
10 Pastaj Abrahami shtriu dorën dhe mori thikën për të vrarë të birin.
11 Por Engjëlli i Zotit thirri nga qielli dhe i tha: "Abraham, Abraham!". Ai u përgjegj: "Ja ku jam".
12 Engjëlli i tha: "Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke".
13 Atëherë Abrahami ngriti sytë dhe shikoi; dhe ja prapa tij një dash i zënë për brirësh në një kaçube. Kështu Abrahami shkoi, mori dashin e tij dhe e ofroi si sakrificë në vend të të birit.
14 Dhe Abrahami e quajti këtë vend Jehovah Jireh. Prandaj edhe sot e kësaj dite thuhet: "Do të furnizohet mali i Zotit".
15 Engjëlli i Zotit e thirri për të dytën herë Abrahamin nga qielli dhe tha:
16 "Unë betohem për veten time, thotë Zoti, se ti e bëre këtë dhe nuk kurseve tët bir, të vetmin bir që ke,
17 unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të tij.
18 Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim".

Psalm 16:5, 8-11
5 Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short.
8 Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.
9 Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri,
10 sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin.
11 Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.

3) Eksodi 14:15 -15:1
(Ps) Eksodi 15:1-6, 17-18

15 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Pse më bërtet mua? U thuaj bijve të Izraelit të shkojnë përpara.
16 Dhe ti ço lart bastunin tënd, shtrije dorën mbi det dhe ndaje atë, në mënyrë që bijtë e Izraelit të mund të kalojnë në mes të detit në të thatë.
17 Sa për mua, unë do ta ngurtësoj zemrën e Egjiptasve, dhe këta do t`i ndjekin ata. Kështu unë do të fitoj lavdi nga Faraoni, nga tërë ushtria e tij, nga qerret dhe kalorësit e tij.
18 Dhe Egjiptasit do të dinë që unë jam Zoti, kur unë do të fitoj lavdi nga Faraoni, nga qerret e tij dhe nga kalorësit e tij".
19 Atëherë Engjëlli i Perëndisë, që ecte përpara kampit të Izraelit, u zhvendos dhe shkoi e u vu prapa tyre; edhe kolona e reve lëvizi nga përpara dhe shkoi e u vu prapa tyre.
20 Dhe kështu vajti e u vendos midis fushimit të Egjiptit dhe fushimit të Izraelit; dhe reja prodhonte errësirë për njërën palë, ndërsa u jepte dritë të tjerëve natën. Kështu tërë natën kurrkush nuk iu afrua tjetrit.
21 Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; dhe Zoti bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë; dhe ujërat u ndanë.
22 Kështu bijtë e Izraelit hynë në mes të detit në të thatë; dhe ujërat formonin si një mur në të djathtë dhe të majtë të tyre.
23 Dhe Egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt e Faraonit, qerret e tij dhe kalorësit e tij hynë pas tyre në mes të detit.
24 Aty nga agimi i mëngjesit ndodhi që Zoti i hodhi sytë në kampin e Egjiptasve nga kolona e zjarrit dhe nga reja, dhe i dha dërmën.
25 Ai bëri të shkëputen rotat e qerreve të tyre dhe e bëri të vështirë përparimin e tyre. Kështu Egjiptasit thanë: "T`ia mbathim para Izraelit, sepse Zoti lufton bashkë me ta kundër Egjiptasve".
26 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi detin, me qëllim që ujërat e tij të kthehen mbi Egjiptasit, mbi qerret dhe kalorësit e tyre".
27 Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; kështu në të gdhirë, deti u kthye në vendin e tij të zakonshëm; Egjiptasit ikën para tij; dhe Zoti i përlau Egjiptasit në mes të detit.
28 Ujërat u kthyen dhe mbuluan qerret, kalorësit dhe tërë ushtrinë e Faraonit që kishin hyrë në det për të ndjekur Izraelitët; dhe nuk shpëtoi asnjë prej tyre.
29 Por bijtë e Izraelit vazhduan të ecnin në tokë të thatë në mes të detit, dhe ujërat qenë për ta si një mur, në të djathtë të tyre dhe në të majtë të tyre.
30 Kështu, atë ditë, Zoti e shpëtoi Izraelin nga dora e Egjiptasve, dhe Izraeli pa mbi bregun e detit Egjiptasit e vdekur.
31 Izraeli pa fuqinë e madhe që Zoti kishte treguar kundër Egjiptasve, dhe populli pati frikë nga Zoti dhe besoi te Zoti dhe te Moisiu shërbëtor i tij.

(Ps) Eksodi 15:1-6, 17-18

1 Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit i kënduan këtë kantik Zotit dhe folën duke thënë: "Unë do t`i këndoj Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës.
2 Zoti është forca ime dhe kantiku im, ka qënë shpëtimi im. Ky është Perëndia im, unë do ta përlëvdoj; është Perëndia i atit tim, unë do ta lartësoj.
3 Zoti është një luftëtar, emri i tij është Zoti.
4 Ai hodhi në det qerret e Faraonit dhe ushtrinë e tij, luftëtarët më të mirë të tij u mbytën në Detin e Kuq.
5 Ata mbulohen nga humnera; ranë në fund si një gur.
6 E djathta jote, o Zot, është e mrekullueshme në fuqinë e saj. E djathta jote, o Zot, i dërmoi armiqtë.
17 Ti do t`i futësh dhe do t`i vendosësh në malin e trashëgimisë sate, në vendin që ke përgatitur, o Zot, për banesën tënde, në shenjtëroren që duart e tua, o Perëndi, kanë vendosur.
18 Zoti do të mbretërojë gjithnjë, përjetë".

4) Isaia 54: 5-14
Psalm 30: 2, 4-6, 11-13

5 Sepse krijuesi yt është dhëndri yt; emri i tij është Zoti i ushtrive; Çliruesi yt është i Shenjti i Izraelit, i quajtur Perëndi i tërë tokës.
6 Sepse Zoti të ka thirrur si një grua të braktisur dhe të pikëlluar në frymën e saj, si nusja e rinisë që është përzënë, thotë Perëndia yt.
7 Të kam braktisur për një çast të shkurtër, por me dhembshuri të pamasë do të të mbledh.
8 Në një shpërthim zemërimi të kam fshehur për një çast fytyrën time, por me një dashuri të përjetshme do të kem dhembshuri për ty, thotë Zoti, Çliruesi yt.
9 Për mua ky do të jetë një fakt si ujërat e Noeut; ashtu siç u betova që ujërat e Noeut nuk do të mbulonin më tokën, kështu betohem që nuk do të zëmërohem më me ty dhe nuk do të të kërcënoj më.
10 Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhëmbshuri për ty.
11 O e pikëlluar, e rrahur nga stuhia, e pangushëlluar, unë do të ngallmoj gurët e tu të çmuar në antimon dhe do të të themeloj mbi safirët.
12 Do t`i bëjë bedenat e tu prej rubinësh, portat e tua prej xhevairi dhe tërë rrethimin tënd prej gurësh të çmuar.
13 Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu.
14 Ti do të vendosesh ngultas në drejtësi; do të jesh larg nga shtypja, sepse nuk duhet të trëmbesh më edhe nga tmerri, sepse nuk do të të afrohet më ty.

Psalm 30: 2, 4-6, 11-13
2 O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.
4 I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,
5 sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.
6 Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".
11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,
12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.

5) Isaia 55:1-11
(Ps) Isaia 12: 2-6

1 "O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht!
2 Pse shpenzoni para për atë që nuk është bukë dhe fryt i mundit tuaj, për atë që nuk të ngop? Dëgjomëni me kujdes dhe do të hani atë që është e mirë, dhe shpirti juaj do të shijojë ushqime të shijshme.
3 Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë; dhe unë do të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas hirit të qëndrueshëm që i premtova Davidit.
4 Ja, unë ia dhashë si dëshmitar popujve, si princ dhe komandant të popujve.
5 Ja, ti do të thërrasësh një komb që nuk e njeh, dhe një komb që nuk të njeh do të vrapojë te ti, për shkak të Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit të Izraelit, sepse ai të ka përlëvduar".
6 Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër.
7 I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht.
8 "Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia", thotë Zoti.
9 "Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.
10 Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbij në mënyrë që ai që do të mbjellëtë marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë,
11 Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.

(Ps) Isaia 12: 2-6
2 Ja, Perëndia është shpëtimi im; unë do të kem besim dhe nuk do të kem frikë, sepse Zoti, po, Zoti është forca ime dhe kantiku im, dhe ka qenë shpëtimi im".
3 Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit.
4 Atë ditë do të thoni: "Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij midis popujve, shpallni që emri i tij është i lartësuar.
5 Këndojini lavde Zotit, sepse ka bërë gjëra të madhërishme; kjo të dihet mbi gjithë tokën.
6 Bërtit dhe ngazëllohu nga gëzimi, o banore e Sionit, sepse i madh është i Shenjti i Izraelit në mes tuaj".

Psalm 19: 8-11
8 Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.
9 Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;
10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.
11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.

7) Ezekieli 36:16-28
Psalm 42:3, 5; Psalm 43:3-4  
16 Fjala e Zotit m`u drejtua përsëri, duke thënë:
17 "Bir njeriu, kur ata të shtëpisë së Izraelit banonin në vendin e tyre, e ndotnin me sjelljen e tyre dhe me veprimet e tyre; sjellja e tyre para meje ishte si papastërtia e gruas gjatë ciklit të saj muajor.
18 Prandaj hodha mbi ta zemërimin tim për gjakun që kishin derdhur mbi vendin dhe për idhujt me të cilët e kishin ndotur.
19 Kështu i shpërndava ndër kombet dhe shkuan në të gjitha drejtimet nëpër tërë vendet; i gjykova sipas sjelljes së tyre dhe veprimeve të tyre.
20 Me të arritur te kombet ku kishin shkuar, e përdhosën emrin tim të shënjtë, sepse për ata thuhej: "Këta janë populli i Zotit, por megjithatë u është dashur të dalin nga vendi i tij".
21 Kështu pata kujdes për emrin tim të shenjtë që shtëpia e Izraelit kishte përdhosur midis kombeve ku kishte shkuar.
22 Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Unë veproj kështu jo për shkakun tuaj, o shtëpi e Izraelit, por për hir të emrit tim të shenjtë që ju keni përdhosur midis kombeve ku keni shkuar.
23 Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madh, të përdhosur midis kombeve, që ju e keni përdhosur në mes të tyre. Kombet do të pranojnë që unë jam Zoti", thotë Zoti, Zoti, "kur të shenjtërohem tek ju, para syve të tyre.
24 Do t`ju marr nga kombet, do t`ju grumbulloj nga tërë vendet dhe do t`ju çoj përsëri në vendin tuaj.
25 Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t`ju pastroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja dhe nga të gjithë idhujt tuaj.
26 Do t`ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t`ju jap zemër prej mishi.
27 Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia.
28 Do të banoni në vendin që u dhashë etërve tuaj; ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj.

Psalm 42:3, 5; Psalm 43:3-4  
3 Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
4 Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.
5 Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.
3 Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.
4 Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.

8) Epistle: Romakeve 6: 3-11
Psalm 118:1-2, 16-17, 22-23

3 Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij?
4 Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.
5 Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij,
6 duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit.
7 Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati.
8 Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do të jetojmë me të,
9 duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s`ka më pushtet mbi të.
10 Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e për gjithmonë; por në atë që rron, rron për Perëndinë.
11 Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Psalm 118:1-2, 16-17, 22-23
1 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.
17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.
22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.
23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.

9) Ungjilli: Mark 16:1-7
1 Si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë aroma për të shkuar të vajosin Jezusin.
2 Në mëngjesin e ditës së parë të javës, shumë herët, ato erdhën te varri, kur po lindte dielli.
3 Dhe thonin në mes tyre: ``Kush do të na rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?``.
4 Por, kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh.
5 Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh që ishte ulur në të djathtë, të veshur me të bardha, dhe mbetën të trembura.
6 Dhe ai u tha atyre: ``Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë.
7 Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë``.