Pages

Jesusi ushqen turmen me 5 buke dhe 2 peshq - E Premte, 20 Prill 2012

Leximi i pare: Veprat e Apostujve 5:34-42
Psalm: Psalm 27:1, 4, 13-14
Ungjilli: Gjoni 6:1-15
--------------------------------------- 
Leximi i pare: Veprat e Apostujve 5:34-42
34 Por një farise, me emër Gamaliel, mësues i ligjit dhe i nderuar nga gjithë populli, u ngrit në këmbë në sinedër dhe urdhëroi të nxirren jashtë apostujt për një moment.
35 Pastaj u tha atyre të sinedrit: ``Burra të Izraelit, mendohuni mirë për atë që do t`u bëni këtyre njerëzve.
36 Sepse pak kohë më parë u ngrit Teuda që thoshte se ishte dikush; rreth tij u mblodhën afro katërqind burra; por ai u vra dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë dhe u asgjësuan.
37 Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, u ngrit Juda Galileas që tërhoqi pas vetes shumë njerëz; edhe ai humbi, dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë.
38 Tani unë po ju them t`u rrini larg këtyre njerëzve dhe t`i lironi, sepse në qoftë se ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet,
39 por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!``.
40 Dhe ata ia vunë veshin. Dhe, mbasi i thirrën apostujt, i rrahën dhe u dhanë urdhër të mos flasin në emër të Jezusit; pastaj i lanë të shkojnë.
41 Kështu ata u larguan nga sinedri, duke u gëzuar sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit.
42 Dhe çdo ditë, në tempull e nëpër shtëpi, nuk pushonin duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë: që Jezusi është Krishti.

Psalm: Psalm 27:1, 4, 13-14
1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush
4 Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.
13 Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!
14 Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti.

Ungjilli: Gjoni 6:1-15
1 Pas këtyre gjërave, Jezusi kaloi përtej detit të Galilesë, domethënë të Tiberiadës.
2 Dhe një turmë e madhe e ndiqte, sepse shikonte shenjat që ai bënte mbi të lënguarit.
3 Por Jezusi u ngjit mbi malin dhe atje u ul me dishepujt e tij.
4 Dhe Pashka, festa e Judenjve ishte afër.
5 Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tek ai, i tha Filipit: ``Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?``.
6 Por ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse ai e dinte ç`do të bënte.
7 Filipi iu përgjigj: ``Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë``.
8 Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha:
9 ``Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç`janë këto për aq njerëz?``.
10 Dhe Jezusi tha: ``Bëjini njerëzit të ulen!``. Por në atë vend kishte shumë bar. Njerëzit, pra, u ulën dhe ishin në numër rreth pesë mijë.
11 Pastaj Jezusi mori bukët dhe, pasi falenderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën.
12 Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: ``Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë``.
13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi që u tepruan atyre që kishin ngrënë.
14 Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë``.
15 Por Jezusi, duke ditur se po vinin ta kapnin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri mbi malin, fill i vetëm.


Mendoni per nje moment per gjithçka qe ju jeni krenar per veten dhe jeten tuaj. Pastaj pyesni veten nese do t’i kishit te gjitha keto pa lejen dhe ndihmen e Zotit? Jepni merita aty ku duhet; lavdwrojeni dhe falenderojeni Atw dhe jo veten. - Shen. Francis of Assisi