Pages

Besimi tek Zoti - E Merkure, 18 Prill 2012

Leximi i pare: Veprat e Apostujve 5:17-26
Psalm: Psalm 34:2-9
Ungjilli: Gjoni 3:16-21
----------------------------------------- 
Leximi i pare: Veprat e Apostujve 5:17-26
17 Atëherë u ngritën kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, plot smirë,
18 dhe vunë dorë mbi apostujt dhe i futën në burgun publik.
19 Por një engjëll i Zotit, natën, i hapi dyert e burgut dhe, si i nxori jashtë, tha:
20 ``Shkoni, paraqituni në tempull dhe i shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete``.
21 Dhe ata, si i dëgjuan këto, hynë në tempull kur zbardhte dita dhe mësonin. Por kryeprifti dhe ata që ishin me të, erdhën dhe thirrën bashkë sinedrin dhe të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit; pastaj dërguan rojet në burg për t`i sjellë apostujt.
22 Por rojet, kur arritën në burg, nuk i gjetën; dhe kur u kthyen bënë raportimin e tyre,
23 duke thënë: ``Ne e gjetëm burgun të mbyllur me kujdes dhe rojet në këmbë përpara dyerve; por kur i hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda``.
24 Por kryeprifti, komandanti i rojeve të tempullit dhe krerët e priftërinjve, kur i dëgjuan këto gjëra, mbetën të habitur lidhur me këtë, sepse nuk dinin ç`donte të thoshte gjithë kjo punë.
25 Por erdhi dikush që u raportoi atyre duke thënë: ``Ja, këta njerëz që ju i futët në burg janë në tempull dhe po mësojnë popullin``.
26 Atëherë komandanti shkoi me rojet dhe i solli, pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë.

Psalm: Psalm 34:2-9
2 Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.
3 Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.
4 Unë e kërkova Zotin, dhe ai m`u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.
5 Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.
6 Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.
7 Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.
8 Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.
9 Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.

Ungjilli: Gjoni 3:16-21
16 Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.
17 Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.
18 Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.
19 Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.
20 Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij;
21 por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë``.