Pages

Meshira e Zotit - E Merkure, 21 Mars 2012

Leximi i pare: Isaia 49:8-15
Psalm: Psalm 145:8-9, 13-14, 17-18
Ungjilli: Gjoni 5:17-30
 --------------------------------------
Leximi i pare: Isaia 49:8-15

Kapitulli 49:
8. Kështu thotë Zoti: "Në kohën e hirit unë ta kam plotësuar dëshirën dhe në ditën e shpëtimit të kam ndihmuar; do të të ruaj dhe do të të bëj aleancën e popullit, për ta ringjallur vendin, për të të shtënë në dorë trashëgimitë e shkatërruara,
9. për t`u thënë robërve: "Dilni", dhe atyre që janë në terr: "Shfaquni". Ata do të kullosin gjatë rrugëve dhe në të gjitha lartësitë e braktisura do të kenë kullotat e tyre.
10. Nuk do të kenë as uri as etje, nuk do të goditen më as nga vapa as nga dielli, sepse ai që ka mëshirë për ta do t`i udhëheqë dhe do t`i çojë te burimet e ujit.
11. Do t`i ndryshoj tërë malet e mia në rrugë, dhe rrugët e mia kryesore do të ngrihen.
12. Ja, këta vijnë nga larg; ja, ata nga veriu dhe nga lindja, dhe ata nga vendi i Sinimit".
13. Ngazëlloni, o qiej, gëzohu, o tokë, dhe lëshoni britma gëzimi, o male, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe i vjen keq për të pikëlluarit e tij.
14. Por Sioni ka thënë: "Zoti më ka braktisur, Zoti më ka harruar".
15. "A mundet një grua të harrojë foshnjen e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj.

Psalm: Psalm 145:8-9, 13-14, 17-18

Psalm 145:
8. Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
9. Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.
13. Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.
14. Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.
17. Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.
18. Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.

Ungjilli: Gjoni 5:17-30

Kapitulli 5:
17. Por Jezusi u përgjigj atyre: ``Im Atë vepron deri tani, po ashtu edhe unë veproj``.
18. Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte Ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë.
19. Atëherë Jezusi u përgjgj dhe u tha atyre: ``Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.
20. Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t`i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni.
21. Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do.
22. Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit,
23. që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.
24. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.
25. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë.
26. Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete;
27. dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut.
28. Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij
29. dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.
30. Unë s`mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.

 “Ati deshiroi qe Biri I Tij I bekuar dhe I lavdishem, te cilin e dha per ne dhe qe lindi per ne, duhet te ofrohej si nje sakrifice ne altarin e kryqit pwrmes gjakut te tij. Kjo nuk u be per Ate permes te cilit gjithçka u krijua, por per mekatet tona. Kishte per qellim te na lini nje shembull si si te ecim ne hapat e tij. Per me teper le te japin fryte te vlefshme te pendeses. Le ta duam fqinjin si veten tone. Le te tregojme bamiresi dhe perulje. Le te japim lemoshe sepse kjo na i paston shpirtrat nga njollat e mekatit.” -- Shen Francis i Assisi

Shenim:
- Perkthimet e bibles jane marre nga faqja elektonike
http://albkristian.com/bibla_shqip/
- Leximet ditore te bibles ne anglisht: http://www.ewtn.com/devotionals/inspiration.asp