Pages

Besimi tek Zoti - E Enjte, 8 Mars 2012

Leximi i Parë: Jeremia 17:5-10
Psalm: Psalm 1:1-4, 6
Ungjilli: Luke 16:19-31

---------------------------------------
Leximi i Parë: Jeremia 17:5-10

Kapitulli 17:

5. Kështu thotë Zoti: "Mallkuar qoftë njeriu që ka besim te njeriu dhe e bën nga mishi krahun e tij, dhe zemra e të cilit largohet nga Zoti!
6. Ai do të jetë si një brukë në shkretëtirë; kur vjen e mira, nuk ka për ta parë. Do të banojë në vende të thata në shkretëtirë, në një tokë të kripur pa banorë.
7. Lum ai njeri që beson te Zoti dhe besimi i të cilit është Zoti!
8. Ai do të jetë si një pemë i mbjellë pranë ujit, që i shtrin rrënjët e tij gjatë lumit. Nuk do ta ndjejë kur vjen vapa dhe gjethet e tij do të mbeten të gjelbra; në vitin e thatësirës nuk do të ketë asnjë shqetësim dhe do të vazhdojë të mbajë fryte.
9. Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?
10. Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t`i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.

Psalm: Psalm 1:1-4, 6

Psalm 1:

1. Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,
2. por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.
3. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.
4. Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.
6. Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.

Ungjilli: Luke 16:19-31

Kapitulli 16:

19. Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm.
20. Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara,
21. dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët.
22. Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.
23. Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij.
24. Atëherë ai bërtiti dhe tha: "O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë.
25. Por Abrahami thoshte: "O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan.
26. Dhe, veç të gjithave, midis nesh dhe jush është një humnerë e madhe, kështu që ata që do të donin të kalonin që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne".
27. Por ai i tha: "Atëherë, o atë, të lutem ta dërgosh atë te shtëpia e tim eti,
28. sepse unë kam pesë vëllezër e le t`i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh".
29. Abrahami u përgjigj: "Kanë Moisiun dhe profetët, le t`i dëgjojnë ata".
30. Ai tha: "Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen".
31. Atëherë ai i tha: "Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe në se dikush ringjallet prej të vdekurish"``.


"Njeri i pasur nuk është ai që ka shumë, por ai që jep shumë." - Shën John Chrysostom
----------------------------------------------------------------------------------------
Shenim:
- Perkthimet e bibles jane marre nga faqja elektonike http://albkristian.com/bibla_shqip/
- Leximet ditore te bibles ne anglisht: http://www.ewtn.com/devotionals/inspiration.asp