Pages

Ka vetem nje Zot - E Premte, 16 Mars 2012

Leximi i pare: Osea 14:2-9
Psalm: Psalm 81:6-11, 14, 16
Ungjilli: Mark 12:28-34
 ---------------------------------------
Leximi i pare: Osea 14:2-9

Kapitulli 14:
2. Merrni me vete disa fjalë dhe kthehuni tek Zoti. I thoni: "Largo çfarëdo paudhësi dhe prano atë që është e mirë, dhe ne do të ofrojmë flijimet e buzëve tona.
3. Asiria nuk do të na shpëtojë, nuk do të hipim më mbi kuaj dhe nuk do t`i themi më veprës së duarve tona: "Ti je perëndia ynë", sepse pranë teje jetimi gjen dhemshuri".
4. "Unë do të shëroj shthurjen e tyre, do t`i dua shumë, sepse zemërimi im u tërhoq prej tyre.
5. Do të jem si vesa për Izraelin; dhe ai do të lulëzojë si zambaku dhe do t`i zgjatë rrënjët e tij në thellësi si kedrat e Libanit.
6. Degët e tij do të zgjaten, bukuria e tij do të jetë si ajo e ullirit, aroma e tij do të jetë si ajo e Libanit.
7. Ata që jetojnë në hijen e tij do të kthehen dhe do të rigjallërohen si gruri, do të lulëzojnë si hardhia dhe do të jenë të famshëm si vera e Libanit.
8. Efraimi do të thotë: "Çfarë më lidh më me idhujt?". Unë do ta kënaq dhe do të kujdesem për të. Unë jam si një selvi përherë e blertë; fryti yt vjen te unë".
9. Kush është i urtë, t`u kushtojë kujdes këtyre gjërave. Kush ka mend le t`i kuptoje ato. Sepse rrugët e Zotit janë të drejta; të drejtët do të ecin nëpër to, por shkelësit do të rrëzohen.

Psalm: Psalm 81:6-11, 14, 16

Psalm 81:
6. "O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.
7. Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t`u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)
8. Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!
9. Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.
10. Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.
11. Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur.
14. Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij.
16. Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi".

Ungjilli: Mark 12:28-34

Kapitulli 12:
28. Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: ``Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?``.
29. Dhe Jezusi u përgjigj: ``Urdhërimi i parë i të gjithëve është: "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot",
30. dhe: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!". Ky është i pari urdhërim.
31. Dhe i dyti i ngjan këtij: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta``.
32. Atëherë skribi i tha: ``Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s`ka asnjë tjetër përveç tij;
33. dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se sa gjithë olokaustet dhe flijimet``.
34. Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: ``Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë``. Dhe kurrkush nuk guxoi më ta pyesë.

“Te duash fqinjin tend ne bamiresi eshte si te duash Zotin ne njeri.” -- Shen Francis de Sales