Pages

JEZUSIN E PËRBUZIN NË VENDIN E VET

Leximi i pare: Hebrenjve 12:4-7, 11-15
Psalmet 103:1-2, 13-14, 17-18
Ungjilli: Marku 6:1-6


Leximi i pare: Hebrenjve 12:4-7, 11-15

4 Ju ende, duke luftuar kundër mëkatit, nuk bëtë qëndresë deri në derdhje të gjakut, 5 dhe e harruat qortimin që ju drejtohet si bijve:
»Biri im, mos e përbuz qortimin e Zotit, as mos të të lëshojë zemra kur ai të qorton, 6 sepse atë që e do Zoti e edukon me disiplinë, e frushkullon atë që e pranon për bir«.
7 Hiqni keq për edukimin tuaj! Hyji sillet me ju si me bij. Dhe, a ka djalë të cilin i ati nuk e edukon me disiplinë? 
11 Dhe njëmend, çdo qortim njëherë për njëherë, nuk duket se sjell gëzim, por trishtim, porse më vonë të ushtruarve në të u sjell fryt paqeje dhe drejtësie.
12 Prandaj ngritni lart duart e lodhura dhe gjunjët e molisur, 13 dhe rrafshoni udhët për këmbët tuaja që e çala të mos gjymtohet, por më mirë të shërohet.

Ndëshkimi për ata që e përbuzin hirin e Hyjit

14 Kujdesohuni për paqe me të gjithë dhe për shenjtërim, pa të cilin askush nuk do ta shohë Zotin. 15 Mundohuni që askush të mos i shmanget hirit të Hyjit, që të mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe të shkaktojë turbullim ose ta infektojë bashkësinë, 

Psalmet 103:1-2, 13-14, 17-18

1 Psalm i Davidit.
Bekoje, shpirti im Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
2 Bekoje, shpirti im Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tija.
13 Sikurse baba ka dhimbje për fëmijët e vet,
ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.
14 Sepse mirë e di si jemi të përbërë,
s’e harron se ne jemi pluhur.
17 Vetëm dashuria e Zotit është prej amshimit
e në amshim mbi ata që e druajnë
18 dhe drejtësia e tij mbi bijtë e njerëzve,
mbi ata që e mbajnë besëlidhjen e tij
dhe i kujtojnë urdhërimet e tij për t’i zbatuar.

Ungjilli: Marku 6:1-6

JEZUSIN E PËRBUZIN NË VENDIN E VET


1Jezusi u nis prej andej e shkoi në vendin ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij. 2 Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin:
“Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tij? 3 Po a nuk është ky zdrukthëtar, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozetit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tij?”
Kështu u bë për ta arsye e mosbesimit në të.
4 Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.” 5 Dhe nuk mundi të bëjë aty asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. 6 E çuditej për mosbesimin e tyre.