Pages

Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje


Leximi i pare: Zanafilla 1:20--2:4
Psalmet 8:4-9
Ungjilli: Marku 7:1-13

Leximi i pare: Zanafilla 1:20--2:4

20 Hyji tha edhe: “Le të vlojnë ujërat vrumull me qenie të gjalla e shpendët le të fluturojnë përmbi tokë, nën kupën e qiellit”!

21 Hyji krijoi përbindësh të mëdhenj deti dhe çdo lloj qenie të gjallë që lëviz rrëshqanthi e gëlojnë sipas llojit të vet si edhe çdo shpend sipas llojit të vet. Hyji pa se ishte gjë e mirë.

22 Hyji i bekoi dhe tha: “Shtohuni e shumohuni, mbushni ujërat e detit; po edhe shpendët le të shumohen përmbi tokë”! 23 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e pestë.

24 Përsëri Hyji tha: “Le të prodhojë toka qenie të gjalla, secilën sipas llojit të vet: bagëti, zvarranikë dhe egërsira sipas llojit të tyre”! Dhe u bë ashtu. 

25Hyji krijoi çdo lloj egërsire, bagëtie dhe zvarraniku të tokës. Hyji pa se ishte gjë e mirë.

26 Hyji tha: “Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën e në përngjasimin tonë që të jetë zotërues i peshqve të detit, i shpendëve të qiellit, i kafshëve, i mbarë tokës, dhe i çdo zvarraniku që zvarritet mbi tokë”!

27 Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit;
i krijoi mashkull e femër.

28 Hyji i bekoi dhe u tha:
“Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën dhe sundojeni atë!
Bëhuni zotëruesit e peshqve të detit, të shpendëve të qiellit dhe të çdo gjallese që lëviz përmbi tokë”!

29 Hyji tha edhe: “Ja, çdo bimë që qet farë mbi tokë dhe të gjitha pemët që kanë në vetvete frytin e pemës që qet farë: le të jenë ushqimi juaj”! 30 Të gjitha kafshëve mbi tokë, çdo shpendi të qiellit e çdo gjëje që lëviz mbi tokë, në të cilat është fryma e jetës, i jap për ushqim të gjitha barërat e gjelbëra. Dhe u bë ashtu.

31 Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira!” Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e gjashtë.

1 Kështu u kryen qielli e toka dhe mbarë ushtria e tyre. 2 Të shtatën ditë Hyji e kreu punën e vet që kishte bërë. Të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë. 

Hyji e bekoi të shtatën ditë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë kishte pushuar prej çdo pune që Hyji kishte bërë duke krijuar. 4 Kjo është zanafilla e qiellit dhe e tokës, kur qenë krijuar.

Psalmet 8:4-9

4 Kur e sodis qiellin ‑ veprën e gishtave të tu,
hënën e yjet që ti i vendose,

5 çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?

6 E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,

7 i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.
Gjithçka vure nën këmbët e tija:

8 delet e kafshët të gjitha,
për më tepër edhe egërsirat e fushës,

9 shpëndët e ajrit dhe peshqit e detit,
të gjitha që përshkojnë udhët e detit!

Ungjilli: Marku 7:1-13

1 Rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. 2 Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar “të papastra” – d.m.th. të palara.

3 Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të zakoneve të të parëve. 4 As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra të tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh remi (tryezash).

5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin:
“Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar “të papastra”?”

6 Ai u përgjigj:
“Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi:
‘Ky popull më nderon me buzë,
kurse zemra e tyre është larg meje.
7 I kotë është kulti që më bëjnë,
kur mësojnë gjasme mësimin e Hyjit
‑ rregulloret që i qitën njerëzit.’

8 Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.”

9 Dhe u tha:
“Bukur se! Zhbëni urdhërimin e Hyjit, për të ruajtur traditën tuaj! 10 E pra, Moisiu tha:
‘Ndero babain tënd dhe nënën tënde!’
dhe:
‘Kush ta nëmë babain dhe nënën, le të ndëshkohet me vdekje!’

11 E ju përkundrazi thoni:
‘Nëse ndokush i thotë babait ose nënës: po e shpall kurban ‑ d.m.th. ‑ dhuratë të shenjtë ‑ ndihmën që ju takon prej meje’, 12 atë nuk e lejoni t’i ndihmojë më babait dhe nënës. 

13 Kështu zhbëni Fjalën e Hyjit për hir të traditës suaj, që ju vetë e bëtë traditë për vete. E bëni edhe shumë punë të tilla të ngjashme me këto.”