Pages

Festa e Paraqitjes së Zotit në Tempull

Festa e Paraqitjes së Zotit në Tempull

Leximi i pare: Malakia 3:1-4
Psalmet 24:7-10
Leximi i dyte: Hebrenjve 2:14-18
Ungjilli: Luka 2:22-40

Leximi i pare: Malakia 3:1-4

1 “Ja, unë dua ta dërgoj të dërguarin tim. Ai do ta bëjë gati udhën para meje. Dhe papritmas do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni, dhe Engjëlli i Besëlidhjes, që ju e dëshironi. Ja, ai po vjen!, ‑ thotë Zoti i Ushtrive.2 Kush do t’i qëndrojë Ditës së ardhjes së tij? Kush do të mund t’i bëjë ballë kur Ai të dëftohet?! Ai është zjarr që shkrin, fi që lan!
3 Do të ulet për të shkrirë e për të pastruar argjendin. Do t’i pastrojë bijtë e Levit dhe do t’i kullojë porsi arin e argjendin që të mund t’ia kushtojnë Zotit në drejtësi flitë.
4 Atëherë do t’i pëlqejë Zotit flia e Judës dhe e Jerusalemit si në ditët e dikurshme, si në vitet e para.

Psalmet 24:7-10

7 “Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj!
Lartësohuni, o dyer të amshueshme,
që të hyjë Mbreti i lavdisë”!
8 Kush është ky Mbreti i lavdisë?
Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi!
Zoti, Ngadhënjyes në luftë!
9 Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj,
lartësohuni, o dyer të amshueshme,
që të hyjë Mbreti i lavdisë!
10 “E kush është ky Mbreti i lavdisë?
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë”!

Leximi i dyte: Hebrenjve 2:14-18

14 Dhe, pasi fëmijët kanë të përbashkët gjakun e mishin, kështu edhe Ai u bë pjesëtarë në këtë gjë, në mënyrë që me anë të vdekjes ta shfuqizonte atë, që kishte në dorë pushtetin e vdekjes - d. m. th. djallin, 15 për t’i çliruar ata që ishin të nënshtruar skllavërisë për tërë jetën prej frikës së vdekjes. 16 Sepse Ai nuk u vjen në ndihmë engjëve, por u vjen në ndihmë pasardhësve të Abrahamit. 17 Këndej u desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër për të qenë Kryeprift i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik në ato gjëra që i përkasin Hyjit në mënyrë që t’i shpërblente mëkatet e popullit. 18 Dhe, vërtet, pikërisht pse ai e sprovoi personalisht vuajtjen, është në gjendje t’i ndihmojë ata që janë në sprovë.

Ungjilli: Luka 2:22-40

Kushtimi i Jezusit në Tempull

22 Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, e çuan në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, ‑ 23 siç shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ ‑ 24 dhe për të dhënë flinë siç thuhet në Ligjin e Zotit; ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’

25 Në Jerusalem asohere jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste Ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. 26 Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. 27 I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Temull. Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të, 28 Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha:

29 “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe siç the ti vetë, 30 sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin 31 që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: 32 Dritën që bën të të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.”

33 Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të.

34 Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij:
“Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. ‑ 35(edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin) ‑ që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.”

36 Ishte asohere edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet 37kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me lutje. 38 Pikërisht në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit.

Kthimi në Nazaret

39 Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret.
40 Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti ‑ dhe hiri i Hyjit ishte në të.