Pages

Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon


Leximi i pare: Hebrenjve 13:15-17, 20-21
Psalmet 23:1-6
Ungjilli: Marku 6:30-34


Leximi i pare: Hebrenjve 13:15-17, 20-21

15 Me anë të tij t’i kushtojmë vazhdimisht Hyjit fli lavdie, d. m. th. frytin e buzëve që dëshmojnë Emrin e tij.

16 Mos e harroni bamirësinë dhe ndihmën bashkësisë, sepse flitë e tilla i pëlqejnë Hyjit.

17 Dëgjojini eprorët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata kujdesen për shpirtrat tuaj, si ata që kanë detyrë të japin llogari. Dëgjoni që ta bëjnë këtë gjë me gëzim dhe jo duke u ankuar, sepse kjo nuk do t’iu sillte dobi.

Bekimet dhe përshëndetjet e fundit

20 E Hyji, burimi i paqes,
që e nxori lart nga të vdekurit
me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar
Bariun e madh të deleve,
- Zotin tonë Jezusin,
21 ju bëftë të aftë për çdo vepër të mirë
që ta kryeni vullnetin e tij!
Ai bëftë në ne
çka Atij i pëlqen,
nëpër Jezu Krishtin,
të cilit i qoftë lavdia në shekuj [të shekujve].
Amen.

Psalmet 23:1-6

Bariu i mire

1 Psalm. I Davidit.
Zoti është bariu im,
asgjë nuk më mungon.

2 Më pushon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta,
3 shpirtin ma përtërin.

Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.

4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.

5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kokën ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.

6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.

Ungjilli: Marku 6:30-34

 30 Apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. 31 Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin. 

32 Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. 33 Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, në këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre.

34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimsën, sepse ishin porsi ‘delet pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.