Pages

Ky është Vullneti i Atit Tim - E Mërkurë 7 Maj 2014

Leximi i parë: Veprat e Apostujve 8:1-8
Psalm: Psalm 66:1-7
UNGJILLI: GJONI 6:35-40


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 8:1-8

1 Edhe Sauli e dha pëlqimin e vet për vrasjen e Shtjefnit.

Sauli salvon Kishën

Po atë ditë u bë salvim i madh kundër Kishës në Jerusalem. Të gjithë, me përjashtim të apostujve, u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë e të Samarisë.

2 Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Shtjefnin dhe bënë gjëmë të madhe për të. 

3 Ndërkaq, Sauli bënte çmosin për ta asgjësuar Kishën: hynte nëpër shtëpi, merrte burra e gra dhe i dorëzonte në burg.

Predikimi i Ungjillit në Samari

4 Ata, pra, të cilët qenë shpërndarë, shkonin prej një vendi në një vend tjetër dhe predikonin Fjalën. 

5 Kështu Filipi zbriti në qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. 

6 Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. 

7 E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të lartë, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. 

8 Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.


Psalm: Psalm 66:1-7

1 Mjeshtrit të korit. Këngë. Psalm.
Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit,

2 këndoni lavdisë së Emrit të Tij,
lartësojeni lavdinë e Tij të pamasë!

3 Thuajini Hyjit: “Sa të mrekullueshme janë veprat e tua!
Pse je tejet i fuqishëm,
armiqtë e tu të përkëdhelin.

4 Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë,
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit Tënd”!

5 Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!

6 Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin
për këtë galdojmë me gëzim.

7 Ai sundon për amshim me pushtetin e vet,
sytë e tij vërejnë përmbi popuj
që të mos çojnë kokë njërzit kryengritës.

UNGJILLI: GJONI 6:35-40

35 Jezusi u përgjigj:
“Unë jam buka e jetës.
Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri,
kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.

36 Por ju thashë: më patë e prapë s’më besoni.

37 Të gjithë ata që m’i jep Ati do të vijnë tek unë
dhe atë që vjen tek unë, s’do ta qes jashtë,

38 sepse zbrita prej qiellit, jo për të bërë vullnetin tim,
por vullnetin e Atij që më dërgoi.

39 E vullneti i Atij që më dërgoi është të mos humbë asnjë
prej atyre që më dha, por t’i ringjall në ditën e fundit.

40 Po, ky është Vullneti i Atit Tim, që, kushdo sheh Birin
dhe beson në Të, ta ketë jetën e pasosur
e unë do ta ringjall në ditën e fundit.”



Le ta shmangin shoqërinë e keqe, sepse prej shoqërimit të tyre ne mund të joshemi drejt një grup vesesh të liga

-- Shën. Agustini