Pages

Jezusi ushqen tufen me 5 buke elbi dhe 2 peshq - E Premte 2 Maj 2014

Leximi i parë: Veprat e Apostujve 5:34-42
Psalm: Psalm 27:1, 4, 13-14
UGJILLI: GJONI 6:1-15


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 5:34-42

34 Atëherë u ngrit në Kuvend një farise, me emër Gamaliel, mësues Ligji, të cilin e nderonte mbarë populli. Ky kërkoi të nxirren njerëzit jashtë për një çast. 

35 Atëherë u tha këshilltarëve:
“O burra izraelas, mendoni mirë se çka do të bëni me këta njerëz. 

36 Nuk ka shumë kohë që u ngrit Teuda dhe pohonte se është njeri me rëndësi: rreth tij u bashkuan afro katërqind vetë. Ai qe vrarë e të gjithë ata që e patën ndjekur, u shpërndanë dhe u asgjësuan. 

37 Pas tij, në kohën e numërimit të popullsisë u paraqit Juda Galileas dhe tërhoqi pas vetes një shumicë njerëzish. E vranë edhe atë po edhe të gjithë ndjekësit e tij u shpartalluan. 

38 Tashti në këtë rast unë po ju them: ikni nga këta njerëz e lërini të shkojnë! Sepse, në qoftë ajo nismë ose vepër prej njerëzisht, do të mbarojë; 

39 porse, në qoftë se vërtet vjen prej Hyjit, s’do të mund ta asgjësoni. Vëriani mendjen të mos bini në luftë kundër Hyjit!”
Ata ia pranuan këshillën. 

40 I thirrën apostujt, i rrahën me frushkull, i urdhëruan që të mos flasin më në Emër të Jezusit dhe i lëshuan. 

41 Apostujt e lanë Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit. 

42 Dhe çdo ditë, si në Tempull ashtu edhe në shtëpi, nuk pushonin së mësuari e shpalluri Lajmin e mirë mbi Jezusin Mesi.

Psalm: Psalm 27:1, 4, 13-14

1 I Davidit.
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti është mbrojtësi i jetës sime,
para kujt do të dridhem?

4 Për një gjë të vetme i lutem Zotit,
vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zotit
e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

13 Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.

14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!

UGJILLI: GJONI 6:1-15

1 Pastaj Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. 

2 E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. 

3 Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. 

4 Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve.

5 Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit:
“Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?”

6 Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte.

7 “As dyqind denarë bukë ‑ iu përgjigj Filipi ‑ nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.”

8 I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit:

9 “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?”

10 Jezusi u tha:
“Thuajuni njerëzve të ulen.”
Në atë vend kishte shumë bar.
U ulën, pra, rreth pesë mijë burra. 

11 Jezusi mori bukët, falënderoi dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqve ‑ aq sa deshën. 

12 E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” 

13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukësh elbi.

14 Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” 

15 Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.