Pages

Profetit nuk i jepet nderim vetëm në vendlindjen e vet - E Enjte 1 Maj 2014

Leximi i parë: Zanafilla 1:26 - 2:3 ose Kolosianëve 3:14-15, 17, 23-24
Psalm: Psalm 90:2-4, 12-14, 16
UNGJILLI: MATEU 13:54-58


Leximi i parë: Zanafilla 1:26 -- 2:3

26 Hyji tha: “Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën e në përngjasimin tonë që të jetë zotërues i peshqve të detit, i shpendëve të qiellit, i kafshëve, i mbarë tokës, dhe i çdo zvarraniku që zvarritet mbi tokë”!

27 Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet,
e krijoi në përngjasimin e Hyjit;
i krijoi mashkull e femër.

28 Hyji i bekoi dhe u tha:
“Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën
dhe sundojeni atë!
Bëhuni zotëruesit e peshqve të detit, të shpendëve të qiellit dhe të çdo gjallese që lëviz përmbi tokë”!

29 Hyji tha edhe: “Ja, çdo bimë që qet farë mbi tokë dhe të gjitha pemët që kanë në vetvete frytin e pemës që qet farë: le të jenë ushqimi juaj”! 

30 Të gjitha kafshëve mbi tokë, çdo shpendi të qiellit e çdo gjëje që lëviz mbi tokë, në të cilat është fryma e jetës, i jap për ushqim të gjitha barërat e gjelbëra. Dhe u bë ashtu. 

31 Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira!” Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e gjashtë.
1 Kështu u kryen qielli e toka dhe mbarë ushtria e tyre. 

2 Të shtatën ditë Hyji e kreu punën e vet që kishte bërë. Të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë. 

Hyji e bekoi të shtatën ditë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë kishte pushuar prej çdo pune që Hyji kishte bërë duke krijuar. 

Psalm: Psalm 90:2-4, 12-14, 16

2 Para se të lindnin malet,
para se të bëhej toka dhe rruzulli,
prej amshimit të amshimit ti je Hyj!

3 Ti e kthen njeriun në pluhur
duke thënë: “Kthehuni, bijtë e Adamit!”

4 Sepse mijëra vjet për sy të tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi ndërresa e rojës së natës!

12 Na mëso ashtu t’i numërojmë ditët tona
që zemra jonë dijes t’ia mbërrijë.

13 Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

14 Na e trego në mëngjes mëshirën tënde
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.

16 Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!


UNGJILLI: MATEU 13:54-58

54 Si erdhi në qytetin ku ishte rritur, i mësonte qytetarët në sinagogën e tyre ashtu që, të mahnitur, thoshin: “Nga i erdhi këtij kjo dije dhe kjo fuqi mrekullish? Po a nuk është biri i zdrukthëtarit? 

55 Po a nuk i quhet e ëma Mari e vëllezërit Jakob, Jozef, Simon e Judë? 

56 Po a nuk janë ndër ne të gjitha motrat e tij? Nga, atëherë, i erdhën këtij të gjitha këto?” 

57 E kjo u shkaktonte mosbesim në të. Prandaj Jezusi u tha: “Profetit nuk i jepet nderim vetëm në vendlindjen e vet e në shtëpinë e vet!”

58 Për shkak të mosbesimit të tyre nuk bëri aty shumë mrekulli.



Le ta hedhin pra veten tonë tek këmëbët e kësaj Nëne të mirë, dhe ti përqafojmë ato, le të mos ndahemi deri kur ajo të na bekoj, dhe të na pranoj ne për fëmijët e saj.

-- Shën. Bernardi i Clairvaux