Leximi i parë: Galatasve 3:7-14
PSALM, PSALMS 111:1-2, 3-4, 5-6
UNGJILLI, LUKA 11:15-26
Leximi i parë: Galatasve
3:7-14
7Dijeni, pra, mirë: ata që besojnë janë bijtë e
vërtetë të Abrahamit.
8 E Shkrimi i Shenjtë, duke paraparë se Hyji do t’i shfajësojë paganët me anë të fesë, që më
parë ia dha Abrahamit këtë lajm të gëzueshëm: ‘Në ty do të jenë të
bekuar të gjithë popujt!’
9 Kështu, pra, ata që besojnë janë të bekuar
bashkë me Abrahamin besimtar.
10 E njëmend, ata që mbështeten në veprat e
Ligjit, janë nën mallkim, sepse Shkrimi i Shenjtë thotë: “Qoftë mallkuar
secili që nuk mban e nuk zbaton gjithçka është shkruar në Librin e Ligjit!”
11 E se askush s’mund të shfajësohet para Hyjit
me anë të Ligjit është e qartë, sepse: “I drejti do të jetojë me anë të
fesë.”
12 Tashti Ligji nuk është prej fesë, por: “Kush e mban në të do të gjejë jetën.”
13 Krishti na shpërbleu prej mallkimit të Ligjit
duke u bërë Ai vetë Mallkim ‑ sepse është shkruar: “I mallkuar është gjithkush
varet në kryq, ” –
14 që përmbi paganë të arrijë bekimi i Abrahamit
në Krishtin Jezus: që Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt ‑ ta marrim me anë të fesë.
PSALM, PSALMS 111:1-2,
3-4, 5-6
Lavdi veprave të
Hyjit
1 ALELUJA!
Me gjithë shpirt do ta
lavdëroj Zotin,
në kuvendin e të drejtëve,
në mbledhjen e tyre.
2 Të mëdha janë veprat e Hyjit,
për t’u shqyrtuar prej
atyre që i duan.
3 Stoli e shkëlqim është vepra e Tij,
drejtësia e Tij qëndron në
shekuj të shekujve.
4 U ngreh përmendore mrekullive të veta,
i mëshirshëm e
mëshirëdhënës është Zoti.
5 U jep ushqim atyre që e druajnë,
kurrë s’e harron
Besëlidhjen e Vet.
6 Popullit të Vet ia kumtoi fuqinë e veprave të Veta,
duke ua dhuruar pronën e
paganëve.
UNGJILLI, Luka 11:15-26
Jezusi dhe
Beelzebuli
(Mt 12, 22‑30; Mk 3, 20‑27)
15 Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me
ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.”
16 Disa
të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej
qiellit.
17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre,
u tha:
“Çdo mbretëri, e përçarë
në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën.
18 Po
qe se djalli është i ndarë në vetvete ‑ pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë
me ndihmën e Beelzebulit ‑ si do të qëndrojë mbretëria e tij?
19 Tashti,
pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e
kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj.
20 Por,
në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë
erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!
21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan
pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt.
22 Por,
kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e
i ndan plaçkat e tij.
23 Kush nuk
është me Mua, është kundër Meje. Kush nuk
bashkon me Mua, shpërndan.”
Kthimi i shpirtit të
ndytë
(Mt 12, 43‑45)
24 “Kur shpirti i ndytë të ketë dalë prej
njeriut, endet nëpër vende të shkretuara duke kërkuar pushim, e, duke mos e
gjetur, thotë: ‘Do të kthehem në shtëpinë time nga dola’.
25 Kur
kthehet, e gjen të fshirë e të stolisur.
26 Atëherë shkon
e merr me vete edhe shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se veten, hyjnë e
banojnë aty. Kështu gjendja e fundit e këtij njeriu bëhet më e keqe se e para.”