Pages

Lutja ne Mal: E Diele, 24 Shkurt 2013


Leximi i pare: Zanafilla 15:5-12, 17-18
Psalm: Psalm 27:1, 7-9, 13-14
Leximi i dyte: Filipianeve 3:17 -- 4:1 ose 3:20 -- 4:1
Ungjilli: Luka 9:28-36
----------------------------------------------------------------

Leximi i pare: Zanafilla 15:5-12, 17-18

5. Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: "Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund t`i numërosh", pastaj shtoi: "Kështu kanë për të qënë pasardhësit e tu".
6. Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.
7. Pastaj Zoti i tha: "Unë jam Zoti që të nxori nga Uri i Kaldeasve, për të ta lënë si trashëgimi këtë vend".
8. Dhe Abrami pyeti: "Zot, Perëndi, nga mund ta dij unë që do ta kem si trashëgim?".
9. Atëherë Zoti i tha: "Sillmë një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri".
10. Atëherë Abrami i shpuri tërë këto kafshë, i ndau më dysh dhe vendosi secilën gjysmë përballë tjetrës; por zogjtë nuk i ndau.
11. Dhe disa zogj grabitqarë zbritën mbi kafshët e vrara, por Abrami i përzuri.
12. Me perëndimin e diellit, një gjumë i rëndë e zuri Abramin; dhe ja, një llahtari dhe një errësirë e thellë e kapluan atë.
17. Por me të perënduar dielli dhe me të zbritur errësira, na del para syve një furrë që nxjerr tym dhe një pishtar i zjarrtë që kalon përmes kafshëve të ndara.
18. Po atë ditë Zoti bëri një besëlidhje me Abramin duke i thënë: "Unë u jap pasardhësve të tu këtë vend, nga përroi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin e Eufratit".


Psalm: Psalm 27:1, 7-9, 13-14

1. Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?
7. O Zot, dëgjo zërin tim, kur të thëras Ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu.
8. Zemra ime më thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën Time". Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.
9. Mos ma fshih fytyrën Tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; Ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Përendi e shpëtimit tim.
13. Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!
14. Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti.


Leximi i dyte: Filipianeve 3:17 -- 4:1 ose 3:20 -- 4:1

17. Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullin që keni në ne.
18. Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit,
19. dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë.
20. Sepse qytetëria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht,
21. i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t`i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.
1. Prandaj, o vëllezër të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o shumë të dashur.

UNGJILLI: Luka 9:28-36

28. Dhe ndodhi që afërsisht tetë ditë pas këtyre thënieve, Ai mori me vete Pjetrin, Gjonin Jakobin dhe u ngjit në mal për t`u lutur.
29. Dhe ndërsa po lutej, pamja e fytyrës së tij ndryshoi dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe e ndritshme.
30. Dhe ja, dy burra po bisedonin me të; ata ishin Moisiu dhe Elia,
31. të cilët, të shfaqur në lavdi, i flisnin për ikjen e tij nga kjo jetë që do të kryhej së shpejti në Jeruzalem.
32. Pjetri dhe shokët e tij ishin të këputur nga gjumi; po kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që ishin bashkë me të.
33. Dhe, ndërsa këta po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: ``Mësues, për ne është mirë të rrijmë këtu; le të bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian``; por ai nuk dinte ç`thoshte.
34. Dhe ndërsa ai po fliste kështu, erdhi një re që i mbuloi në hijen e vet; dhe dishepujt i zuri frika, kur hynë në re.
35. Dhe një zë dilte nga reja duke thënë: ``Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni``.
36. Dhe ndërsa fliste ky zë, Jezusi u gjet krejt vetëm. Ata heshtën dhe në ato ditë nuk i treguan kurrkujt asgjë nga ç`kishin parë.