Pages

Biri i njeriut nuk erdhi per t'i sherbyer...E Merkure 27 Shkurt 2013


Lexim i pare: Jeremia 18:18-20
Psalm: Psalm 31:5-6, 14-16
UNGJILLI: Mateu 20:17-28
--------------------------------------------

Lexim i pare: Jeremia 18:18-20

18. Pastaj ata thanë: "Ejani dhe të kurdisim komplote kundër Jeremias, sepse ligji nuk do t`i mungojë priftit as këshilla të urtit dhe as fjala profetit. Ejani, ta godasim me gjuhën dhe të mos i kushtojmë kujdes asnjërës prej fjalëve të tij".

19. Kushtomë kujdes, o Zot, dhe dëgjo zërin e atyre që grinden me mua.

20. A shpërblehet vallë e mira me të keqen? Sepse ata i kanë hapur një gropë jetës sime. Kujto se jam paraqitur para teje për të folur në favor të tyre dhe për të larguar prej tyre zemërimin tënd.


Psalm: Psalm 31:5-6, 14-16

5. Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.

6. Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t`u dukur, por kam besim te Zoti.

14. Por unë kam besim te ti, o Zot; kam thënë: "Ti je Perëndia im".

15. Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.

16. Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.


UNGJILLI: Mateu 20:17-28

17. Pastaj, kur Jezusi po ngjitej në Jeruzalem, i mori mënjanë të dymbëdhjetë dishepujt gjatë rrugës dhe u tha atyre:

18. ``Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t`u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje.

19. Do t`ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet``.

20. Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka.

21. Dhe ai i tha: ``Çfarë do?``. Ajo u përgjigj: ``Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde``.

22. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: ``Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: ``Po, mundemi``.

23. Atëherë ai u tha atyre: ``Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im``.

24. Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.

25. Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: ``Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,

26. por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;

27. dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.

28. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.