Pages

E Enjte, 10 Maj 2012

Leximi i pare: Veprat e Apostujve 15:7-21
Psalm: Psalm 96:1-3, 10
Ungjilli: Gjoni 15:9-11
----------------------------------------------------- 
Leximi i pare: Veprat e Apostujve 15:7-21
7 Dhe duke qenë se lindi një diskutim i madh, Pjetri u çua në këmbë dhe u tha atyre: ``Vëllezër, ju e dini se që në kohët e para Perëndia midis nesh më zgjodhi mua, që me anë të gojës sime johebrenjtë të dëgjojnë fjalën e ungjillit dhe të besojnë.
8 Perëndia, që i njeh zemrat, u ka dhënë atyre dëshmi, duke u dhënë Frymën e Shenjtë, sikurse edhe neve;
9 dhe ai nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.
10 Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke u vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë?
11 Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata``.
12 Atëherë e gjithë turma heshti, dhe rrinte e dëgjonte Barnabën dhe Palin, që tregonin ç`shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenj.
13 Dhe si heshtën ata, Jakobi e mori fjalën dhe tha: ``Vëllezër, më dëgjoni!
14 Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij.
15 Me këtë gjë pajtohen fjalët e profetëve, sikundër është shkruar:
16 "Pas këtyre gjerave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t`i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë,
17 që mbetja e njerëzve dhe të gjitha johebrenjtë mbi të cilat thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto".
18 Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij.
19 Prandaj unë gjykoj që të mos i bezdisim ata nga johebrenjtë që kthehen te Perëndia,
20 por t`u shkruhet atyre që të heqin dorë nga ndotjet e idhujve, nga kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku.
21 Sepse Moisiu që nga kohët e lashta ka njerëz të cilët në çdo qytet e predikojnë atë, duke qënë i lexuar çdo të shtunë në sinagoga``.

Psalm: Psalm 96:1-3, 10
1 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!
2 Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.
3 Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.
10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t`i gjykojë popujt me drejtësi".

Ungjilli: Gjoni 15:9-11
9 Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.
10 Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.
11 Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.


“Bamiresia e vertete ka te bej me miresine e bere ndaj atyre qe na bejne keq dhe me kete i fitojme.”
-- Shen. Alphonsus Liguori