Pages

Ardhja e Dyte e Jesu Krishtit - E Marte, 15 Maj 2012

Leximi i pare: Veprat e Apostujve 16:22-34
Psalm: Psalm 138:1-3, 7-8
Ungjilli: Gjoni 16:5-11
------------------------------------------------ 
Leximi i pare: Veprat e Apostujve 16:22-34
22 Atëherë turma u lëshua e gjitha bashkë kundër tyre: dhe pretorëve, ua grisën atyre rrobat dhe urdhëruan t`i rrahin me kamxhik.
23 Dhe si i rrahën me shumë goditje, i futën në burg duke urdhëruar rojtarin e burgut t`i ruajë me kujdes.
24 Ky, si mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua shtrëngoi këmbët në dru.
25 Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin.
26 Befas u bë një tërmet i madh, saqë u tundën themelet e burgut; dhe në atë çast u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.
27 Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur.
28 Por Pali thirri me zë të lartë: ``Mos i bëj ndonjë të keqe vetes, sepse ne të gjithë jemi këtu``.
29 Atëherë ai kërkoi një dritë, u turr brenda dhe duke u dridhur i tëri u ra ndër këmbë Palit dhe Silës;
30 pastaj i nxori jashtë dhe tha: ``Zotërinj, ç`duhet të bëj unë që të shpëtohem?``.
31 Dhe ata i thanë: ``Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote``.
32 Pastaj ata i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij.
33 Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë.
34 Mbasi i çoi në shtëpinë e vet, ua shtroi tryezën dhe u gëzua me gjithë familjen e tij që kishte besuar në Perëndinë.

Psalm: Psalm 138:1-3, 7-8
1 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.
2 Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.
3 Ditën në të cilën të kërkova, ti m`u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.
7 Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.
8 Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.

Ungjilli: Gjoni 16:5-11
5 Por tani unë po shkoj tek ai që më ka dërguar, dhe askush nga ju s`po më pyet: "Ku po shkon?".
6 Madje, për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj.
7 Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t`jua dërgoj.
8 Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim.
9 Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua;
10 për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më;
11 për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar.