Pages

Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari - E Diele, 6 Maj 2012

Leximi i pare: Veprat e Apostujve 9:26-31
Psalm: Psalm 22:26-28, 30-32
Leximi i dyte: 1 e Gjonit 3:18-24
Ungjilli: Gjoni 15:1-8
-------------------------------------------------- 
Leximi i pare: Veprat e Apostujve 9:26-31
26 Si arriti në Jeruzalem, Sauli u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë nga ai, sepse nuk mund të besonin se ai ishte dishepull.
27 Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi tek apostujt, dhe u tregoi se si ai, gjatë udhëtimit, e kishte parë Zotin që i kishte folur, dhe si kishte folur në Damask lirshëm në emër të Jezusit.
28 Kështu ai qëndroi me ta në Jeruzalem, dhe shkonte e vinte, dhe fliste lirshëm në emër të Zotit Jezus.
29 Ai u fliste dhe diskutonte me helenistët, por ata kërkonin ta vrisnin.
30 Por vëllezërit, kur e morën vesh, e çuan në Cezare dhe që andej e nisën për në Tars.
31 Kështu në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin. Dhe duke ecur në druajtjen e Zotit dhe në ngushëllimin e Frymës së Shenjtë, shumoheshin.

Psalm: Psalm 22:26-28, 30-32
26 Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.
27 Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje.
28 Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet.
30 Pasardhësit do t`i shërbejnë; do t`i flitet për Zotin brezit të ardhshëm.
31 Ata do të vijnë dhe do t`i shpallin drejtësinë e tij një populli që nuk ka lindur akoma, dhe që ai vetë e ka krijuar.

Leximi i dyte: 1 e Gjonit 3:18-24
18 Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë.
19 Dhe nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t`i bindim zemrat tona para atij;
20 sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë.
21 Shumë të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë;
22 dhe ç`të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij.
23 Dhe ky është urdhërimi i tij që besojmë në emrin e Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njeri-tjetrin si na urdhëroi ai.
24 Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë, dhe Ai në të; dhe prej kësaj ne dijmë se ai qëndron në ne: nga Fryma që ai na dha.

Ungjilli: Gjoni 15:1-8
1 ``Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari.
2 Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.
3 Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova.
4 Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua.
5 Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.
6 Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen.
7 Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t`ju bëhet.
8 Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi.