Pages

Shperfytyrimi i Zotit ne mal - E Hene, 6 Gusht 2012

E HENE, 6 Gusht 2012
Shperfytyrimi i Zotit (Feste)

Leximi i pare: Danieli 7:9-10, 13-14
Psalm: Psalm 97:1-2, 5-6, 9
Leximi i dyte: 2 e Piterit 1:16-19
Ungjilli: Marku 9:2-10
----------------------------------------------- 
Leximi i pare: Danieli 7:9-10, 13-14

9. Unë vazhdova të shikoj deri sa u vendosën fronet dhe i Lashti i ditëve u ul. Veshja e tij ishte e bardhë si bora, flokët e kokës së tij ishin si leshi i pastër; froni i tij ishte si flokët e zjarrit dhe rrotat e tij si zjarr përvëlues.
10. Një lumë zjarri rridhte, duke dalë nga prania e tij; mijëra e mijëra njerëz i shërbenin dhe mori dhe mori qëndronin përpara tij. Gjykimi u bë dhe librat u hapën.
13. Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij.
14. Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t`i shërbenin; sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë".

Psalm: Psalm 97:1-2, 5-6, 9
1. Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.
2. Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.
5. Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.
6. Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.
9. Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.

Leximi i dyte: 2 e Piterit 1:16-19

16. Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij.
17. Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: ``Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur``.
18. Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë.
19. Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja,

Ungjilli: Marku 9:2-10

2. Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre.
3. Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t`i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë.
4. Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin.
5. Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: ``Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!``.
6. Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur.
7. Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: ``Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!``.
8. Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta.
9. Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri.
10. Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç`do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri.


“Dashuria e Zonjes Sone eshte si ajo rrekeja qe e ka burimin ne Themelet e Perjetshme, e shuan etjen e te gjitheve, nuk mund te thahet kurre dhe gjithmone kthehet tek Burimi i vet.”
-- Shen. Marguerite Bourgeoys