Pages

Showing posts with label Meshire dhe jo flijime. Show all posts
Showing posts with label Meshire dhe jo flijime. Show all posts

Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve - E Martë 11 Shkurt 2014

Leximi i parë: 1 i Mbretërve 8:22-23, 27-30
Psalm: Psalm 84:3-5, 10-11
UNGJILLI: MARKU 7:1-13


Leximi i parë: 1 i Mbretërve 8:22-23, 27-30

Lutja personale e Salomonit

22 Salomoni qëndroi para lterit të Zotit në praninë e mbarë bashkësisë së Izraelit, i shtriu duart e tija drejt qiellit 

23 dhe tha: “O Zot, Hyji i Izraelit! Nuk ka Hyj të ngjashëm me ty as lart në qiell, as poshtë mbi tokë! Ti e mban besë‑lidhjen dhe e ruan mëshirën për shërbëtorët e tu që ecin në praninë tënde me gjithë zemër. 

27 Dhe njëmend, a mund të merret me mend se Hyji banon mbi tokë me të vërtetë? Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zënë! Aq më pak kjo Shtëpi që unë ta ndërtova! 

28 Por, deh, vëri veshin lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjeve të tija, o Zot, Hyji im! Dëgjo britmën dhe lutjen që shërbëtori yt po e drejton sot para teje! 

29 Le të jenë natë e ditë sytë e tu të çelur mbi këtë Shtëpi, mbi vendin, për të cilin the: ‘Këtu do të jetë Emri im’! Dëgjoje lutjen që po ta bën shërbëtori yt në këtë vend”!

Psalm: Psalm 84:3-5, 10-11

3 Shpirti im shkrihet e meket
për pallatet e Zotit.
Zemra ime e trupi im
i brohoritin Hyjit të gjallë.

4 Edhe trumcaku e gjen bunin e vet
edhe turtulli çerdhen e vet
ku i vë zogjtë e vet:
e unë lterët e tu, o Zoti i ushtrive,
Mbreti im e Hyji im!

5 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde:
do të të lavdërojnë për amshim.

10 Shiko, o Hyj, Mbrojtësi ynë,
shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd!

11 Vërtet, më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde
se të tjera me mijëra!
Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim,
më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve.


UNGJILLI: MARKU 7:1-13

1 Rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. 

2 Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar “të papastra” – d.m.th. të palara.

3 Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të zakoneve të të parëve. 

4 As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra të tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh remi (tryezash).

5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin:
“Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar “të papastra”?”

6 Ai u përgjigj:
“Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi:
‘Ky popull më nderon me buzë,
kurse zemra e tyre është larg meje.

7 I kotë është kulti që më bëjnë,
kur mësojnë gjasme mësimin e Hyjit
‑ rregulloret që i qitën njerëzit.’

8 Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.”

9 Dhe u tha:
“Bukur se! Zhbëni urdhërimin e Hyjit, për të ruajtur traditën tuaj! 

10 E pra, Moisiu tha:
‘Ndero babain tënd dhe nënën tënde!’
dhe:
‘Kush ta nëmë babain dhe nënën, le të ndëshkohet me vdekje!’

11 E ju përkundrazi thoni:
‘Nëse ndokush i thotë babait ose nënës: po e shpall kurban ‑ d.m.th. ‑ dhuratë të shenjtë ‑ ndihmën që ju takon prej meje’, 

12 atë nuk e lejoni t’i ndihmojë më babait dhe nënës. 

13 Kështu zhbëni Fjalën e Hyjit për hir të traditës suaj, që ju vetë e bëtë traditë për vete. E bëni edhe shumë punë të tilla të ngjashme me këto.”




Ne nuk duhet të mërzitemi nëse përgjigja e lutjes sonë është vonuar gjatë. Por për këtë arsye le të tregojmë durim të madh dhe pranim. Sepse Ai e vonon për këtë arsye: që ne të mund t'i ofrojmë Atij një mundësi të përshtatshme për të na nderuar me Ndërhyrjen e Tij Hyjnore. Megjithatë, nëse ne e marrim apo jo çfarë kërkojmë, le të vazhdojmë të qëndrojmë të palëkundur në lutje. Sepse të dështojmë në marrjen e dëshirave të zemrës sonë, kur Zoti po aq e dëshiron atë, nuk është më keq se sa ta marrësh atë; sepse ne nuk e dimë si Ai e di se çfarë është e përshtatshme për ne.



-- Shën Gjon Krisostom

Vaj edhe për ju, mësues të Ligjit ... - E Merkure 16 Tetor 2013

Leximi i parë: Romakëve 2:1-11
Psalm: Psalm 62:2-3, 6-7, 9
UNGJILLI: LUKA 11:42-46



Leximi i parë: Romakëve 2:1-11

1 Prandaj, nuk do të kesh si të arsyetohesh, o njeri ‑ kushdo të jesh ‑ që gjykon tjetrin! Sepse duke gjykuar tjetrin, dënon vetveten, pasi ti që gjykon i bën të njëjtat gjëra.

2 Dhe ne mirë e dimë: gjykimi i Hyjit zbatohet sipas të vërtetës kundër atyre që bëjnë vepra të tilla.

3 A të thotë mendja, o njeri, ti që gjykon ata që bëjnë vepra të tilla, se do t’i shpëtosh gjyqit të Hyjit, ndërsa edhe ti bën të njëjtat veprime? 

4 Apo ndoshta e bën në asgjë begatinë e mirësisë, të durimit e të bujarisë së Hyjit, duke mos u kujtuar se mirësia e tij të thërret e të nxit për kthim? 

5 Me kryeneçësinë tënde dhe me zemër që nuk mendon të kthehet, ti grumbullon kundër vetes hidhërim për Ditën e zemërimit dhe për Ditën e dëftimit të Gjyqit të drejtë të Hyjit, 

6 i cili do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: 

7 me jetën e pasosur ata që, me qëndresë në vepra të mira, kërkojnë lumturinë, nderin dhe pashkatërrueshmërinë; 

8 ndërsa do të ketë zemërim e përbuzje për ata që me kryeneçësi i kundërshtojnë të vërtetës e i binden paudhësisë. 

9 Çdo njeri që vepron të keqen do ta mbulojnë vuajtje e vështirësi: më parë judeun e pastaj grekun; 

10 ndërsa, secili që vepron të mirën: më parë judeu e pastaj greku, do të ketë lumturi, nder e paqe! 

11 Sepse Hyji nuk i mban kujt krah.


Psalm: Psalm 62:2-3, 6-7, 9

2 Vetëm në Hyjin pusho, shpirti im,
sepse prej tij vjen shpëtimi im.

3 Vetëm ai është qeta ime e shpëtimi im,
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!

6 Vetëm në Hyjin pusho, o shpirti im,
vetëm në të qëndron shpresa ime!

7 Vërtet vetëm Ai është Hyji im e shpëtimi im,
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!

9 Shpreso në të gjithmonë, o popull,
atij hapi zemrën,
sepse Hyji është strehimi ynë.


UNGJILLI: LUKA 11:42-46

42 Porse; vaj për ju, o farisenj që jepni të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por e lini pas shpine drejtësinë dhe dashurinë e Hyjit! Këto të fundit është dashur të bëhen e ato të parat s’është dashur të lihen!

43 Vaj për ju farisenj, sepse jua ka ënda katedrën e parë në sinagoga dhe përshëndetjet në sheshe!

44 Të mjerët ju, sepse jeni porsi varret që nuk shihen e njerëzit, pa ditur, ecin mbi to!”

45 Atëherë një mësues i Ligjit i tha:
“Mësues, ti, duke folur kështu, po na fyen edhe ne!”

46 “Vaj edhe për ju, mësues të Ligjit ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ sepse u ngarkoni njerëzve barrë që mezi mund të mbarten, ndërsa ju vetë as me gisht të dorës nuk i prekni!


Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë?
-- Psalm 26:1

Unë dua mëshirë dhe jo flijime - E Premte 19 Korrik 2013

Leximi i parë: Eksodi 11:10 -- 12:14
Psalm: Psalm 116:12-13, 15-18
UNGJILLI: Mateu 12:1-8


Leximi i parë: Eksodi 11:10 -- 12:14

10. Dhe Moisiu dhe Aaroni bënë tërë ato mrekulli para Faraonit; por Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit dhe ky nuk i la bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i tij.

1. Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit në vendin e Egjiptit, duke u thënë:

2. "Ky muaj do të jetë për ju muaji më i rëndësishëm, do të jetë për ju muaji i parë i vitit.

3. I thoni gjithë asamblesë së Izraelit: "Ditën e dhjetë të këtij muaji, çdo burrë të marrë për vete një qengj, sipas madhësisë së familjes të të atit, një qengj për shtëpi.

4. Por në qoftë se shtëpia është tepër e vogël për një qengj, le të marrë një së bashku me fqinjin më të afërt, duke llogaritur numrin e personave; ju do të përcaktoni sasinë e qengjit të nevojshëm, në bazë të asaj që çdonjëri mund të hajë.

5. Qengji juaj duhet të jetë pa të meta, mashkull, motak; mund të merrni një qengj ose një kec.

6. Do ta ruani deri në ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, dhe tërë asambleja e popullit të Izraelit do ta therë atë në të ngrysur.

7. Pastaj do të marrin nga ai gjak dhe do ta vënë mbi dy shtalkat dhe mbi arkitraun e shtëpive ku do ta hanë.

8. Do të hanë mishin e pjekur në zjarr, po atë natë, do ta hanë atë me bukë pa maja dhe me barishte të hidhura.

9. Nuk do të hani fare mish të gjallë apo të zier në ujë, por të pjekur në zjarr me kokën, këmbët dhe të brendshmet.

10. Dhe nuk do të lini asnjë mbetje deri në mëngjes; dhe ç`të mbetet deri në mëngjes, do ta digjni në zjarr.

11. Do ta hani në këtë mënyrë: ijengjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do të hani me nxitim: se është Pashka e Zotit.

12. Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do t`i jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti.

13. Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t`ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit.

14. Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t`u mbajtur mend dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.


Psalm: Psalm 116:12-13, 15-18

12. Ç`do t`i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?

13. Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.

15. Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.

16. Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.

17. Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.

18. Do t`i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.


UNGJILLI: Mateu 12:1-8

1. Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t`i hanë.

2. Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: ``Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën``.

3. Dhe ai u tha atyre: ``A nuk keni lexuar vallë se ç`bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të?

4. Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t`i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?

5. Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë?

6. Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli.

7. Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime", nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.

8. Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës``.