Pages

Showing posts with label Darka e Fundit. Show all posts
Showing posts with label Darka e Fundit. Show all posts

E Enjte e Shenjtë - Jesusi: "Sikurse ju bëra Unë juve, të bëni edhe ju" - 28 Mars 2013


Leximi i parë: Eksodi 12:1-8, 11-14
Psalm: Psalm 116:12-13, 15-18
Leximi i dytë: 1 e Korintasve 11:23-26
UNGJILLI: Gjoni 13:1-15



Leximi i parë: Eksodi 12:1-8, 11-14

1 Zoti i tha Moisiut e Aronit në dheun e Egjiptit: 2 “Ky muaj do të jetë për ju fillimi i muajve, më i pari ndër muajt e vitit. 3 Flisni me tërë bashkësinë e bijve të Izraelit e thojuni: Të dhjetën ditë të këtij muaji, le ta marrë secili për shtëpi një qengj për familjen e vet. 4 Por, po qe se numri i anëtarëve është më i vogël sesa do të mund të mjaftonte për ta ngrënë qengjin, le të marrë të afërmin e vet, që është më afër shtëpisë së tij, sipas numrit të frymëve që mjafton për të ngrënë qengjin. 5 Qengji le të jetë i patëmetë, mashkull, i një viti. Mund të merrni qengj ose edh. 6 Ruajeni deri të katërmbëdhjetën ditë të këtij muaji: atëherë, në muzg le ta flijojë e tërë bashkësia e bijve të Izraelit. 7 Le të marrin prej gjakut të tij dhe le t’i lyejnë të dy shtalkat dhe ballzinat e dyerve të shtëpive, në të cilat do ta hanë qengjin. 8Mishin e pjekur në zjarr le ta hanë atë natë me të pabrume dhe me barishte të hidhura. 11 Dhe hajeni kështu: me ijë të ngjeshura, me sandale në këmbë dhe shkop në dorë: hajeni me shpejti, sepse, janë Pashkët /d. m. th. kalimi i/ e Zotit! 12 Atë natë do të kaloj nëpër dheun e Egjiptit dhe do të vras çdo të parëlindur në dheun e Egjiptit që nga njeriu e deri në bagëti dhe do t’i ndëshkoj të gjitha hyjnitë e Egjiptit; unë Zoti ! 13 Gjaku do t’ju shërbejë si shenjë se në të cilën shtëpi jeni: unë do ta shoh gjakun dhe ju do t’ju kaloj. Kështu ndër ju nuk do të ketë shuplakë farosjeje, kur unë do t’i sulem dheut të Egjiptit. 14 Kijeni këtë ditë përkujtim dhe kremtojeni festë në nder të Zotit brez pas brezi me sjellje fetare të përhershme.

Psalm: Psalm 116:12-13, 15-18

12 Si do t’ia shpërblej Zotit
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
13 Do të ngre gotën e shëlbimit
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
15 E çmueshme është para Zotit
vdekja e shenjtërve të tij.
16 O Zot, unë jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.
Ti i këpute hekurat e mia:
17 ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
18 Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij,

Leximi i dytë: 1 e Korintasve 11:23-26

23 Vërtet atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve jua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, 24 falënderoi, e theu dhe tha: “Ky është Trupi im ‑ për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim!” 25 Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëjeni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” 26 Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e ta pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.

UNGJILLI: Gjoni 13:1-15

1 Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët ‑ ata që ishin në botë ‑ i deshi deri në pikën e fundit. 2 Dhe, gjatë darkës ‑ pasi djalli ia kishte mbushur mendjen Judës, birit të Simon Iskariotit, ta tradhtonte ‑ 3 Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente ‑ 4 u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh. 5Qiti ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur. 6 Arriti kështu te Simon Pjetri. Ai i tha: “Zotëri, ti të m’i lash këmbët?”
7 “Ç’po bëj unë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë.”
8 Pjetri iu përgjigj:“Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!”
“Nëse nuk do të laj ‑ i tha Jezusi ‑ nuk do të kesh pjesë me mua.”
9 Simon Pjetri iu përgjigj:“Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kokën!”
10 Jezusi i tha:“Kush është i larë, nuk i duhet të lajë tjetër përveç këmbët ‑ dhe është krejtësisht i pastër. Edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”
11 Ngase e dinte se kush do ta tradhtojë, këndej edhe tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”
12 Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë dhe u tha: “A e kuptoni çka ju bëra? 13 Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam. 14 Nëse, pra, unë ‑ Zotëria dhe Mësuesi ‑ ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ia lani këmbët njëri‑tjetrit. 15 Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.

Java e Shenjtë - Jesusi "Biri i njeriut po shkon ashtu si është në Shkrimin e Shenjtë" - E Mërkurë 27 Mars 2013


Leximi i parë: Isaia 50:4-9
Psalm: Psalm 69:8-10, 21-22, 31, 33-34
UNGJILLI: Mateu 26:14-25



Leximi i parë: Isaia 50:4-9

4 Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin.
Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi.
5 Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa.
6 Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat.
7 Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si shkëmbi pse e di se s’do të mbetem i turpëruar.
8 Afër e kam atë që ma jep të drejtën, kush guxon të shtyhet në gjyq me mua? Le të dalim përballë njëri‑tjetrit! Kush është kundërshtari im? Le të më dalë përballë!
9 Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im, kush është ai që do të më dënojë?
Të gjithë ata do të brishen si petku, tenja do t’i brejë!

Psalm: Psalm 69:8-10, 21-22, 31, 33-34

8 Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, turpi ma mbuloi fytyrën,
9 u bëra i huaj për vëllezërit e mi, i panjohur për bijtë e nënës sime.
10 Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.
21 Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.
22 Në ushqim më hodhën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.
31 Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, do ta lartësoj me këngë falenderimi.
33 Le të shikojnë të përvuajturit e le të gëzohen; kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
34 Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.


UNGJILLI: Mateu 26:14-25

14 Atëherë njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 
15 dhe u tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta. 
16 Që atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

Përgatitja e Darkës së Pashkëve
(Mk 14, 12‑21; Lk 22, 7‑14; 21‑23; Gjn 13, 21‑30)

17 Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën: “Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?”
18 Ai u tha: “Shkoni në qytet te filani dhe thuajini: Mësuesi thotë: koha ime është afër! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.”
19 Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve.
20 Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. 
21 Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” 
22 Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit: “A mos jam unë, Zotëri?”
23 Ai iu përgjigj: “Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë ‑ ai do të më tradhtojë. 
24 Po, Biri i njeriut patjetër po shkon siç është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!”
25 Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij: “A mos jam unë, Mësues?”
“E the vetë!” ‑ iu përgjigj Jezusi.



 “Siguria që jep drita hyjnore është më e madhe se sa ajo që drita e arsyes natyrore jep”

-- Shën. Tomas Aquinas

Java e Shenjtë - Jesusi: "Njëri prej jush do të më tradhtojë" - E Martë 26 Mars 2013


Leximi i parë: Isaia 49:1-6
Psalm: Psalm 71:1-6, 15, 17
UNGJILLI: Gjoni 13:21-33, 36-38



Leximi i parë: Isaia 49:1-6

1 Më dëgjoni, o ishuj, vështroni me kujdes, popuj të largët: Zoti më thirri prej prehrit të nënës, prej barkut të nënës sime iu kujtua emri im.
2 Gojën time e bëri shpatë të mprehtë, më mbrojti nën hijen e dorës së vet,
më bëri shigjetë të zgjedhur e më fshehu në kukurrën e vet
3 dhe më tha: “Shërbëtori im je, o Izrael, në të cilin do ta dëftoj lavdinë time!”
4 E unë thashë: “Kot u mundova, më kot forcat i treta të miat! Megjithatë, e drejta ime është me Zotin, shpërblimi im është te Hyji im.”
5 E tani thotë Zoti që më trajtoi që nga kraharori shërbëtor për vete,
për t’ia kthyer Jakobin Atij, për ta mbledhur rreth tij Izraelin.
U bëra i lavdishëm ndër sytë e Zotit, Hyji im u bë fuqia ime.
6 Ai më tha: “Tepër pak është të më jesh shërbëtor për t’i rilindur fiset e Jakobit, për t’i riatdhesuar Tepricat e Izraelit: por të caktoj të jesh drita e popujve që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!”


Psalm: Psalm 71:1-6, 15, 17
1 Në ndore tënde, o Zot, askurrë mos u turpërofsha.
2 Më shpëto e më dil zot pashë drejtësinë tënde, prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!
3 Ji për mua shkëmb mbrojtjeje, kullë e pamposhtur për të më shpëtuar,
sepse ti je kështjella ime e strehimi im.
4 Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit, prej dorës së derhuzdit e të dinakut.
5 Sepse ti, o Zot, je shpresa ime, shpresa ime, o Zot, që prej rinisë sime.
6 Në ty jam mbështetur që prejkraharorit të nënës, që prejprehrit të nënës ti je mbrojtësi im, mburrja ime është gjithmonë në ty.
15 Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde, gjithë ditën shpëtimin tënd:
që s’di të ketë masë në madhëri.
17 Ti më ke mësuar, o Hyj, që prejrinisë sime dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.


UNGJILLI: Gjoni 13:21-33, 36-38

21 Si i tha këto, Jezusi, i tronditur në shpirt, shpalli: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë.”
22 Atëherë nxënësit shikuan njëri‑tjetrin duke mos ditur për cilin po fliste. 23Njëri prej nxënësve, ai, të cilin Jezusi e donte veçanërisht, ishte në tryezë përbri parzmës së Jezusit. 
24 Atëherë Simon Pjetri i dha shenjë ta pyeste Jezusin për cilin po thoshte: 
25 Ky atëherë iu mbështet Jezusit në parzëm dhe e pyeti: “Zotëri, cili është?”
26 Jezusi iu përgjigj: “Ky, të cilit po ia jap kafshatën pasi ta ngjyej në kupë.”
Atëherë e ngjeu kafshatën [e mori dhe] ia dha Judës së Simon Iskariotit. 27Pas kësaj kafshate në të hyri djalli. Atëherë Jezusi i tha: “Ç’ke në mend të bësh, bëje shpejt!”
28 Askush prej atyre që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse i tha ashtu. 
29 E, pasi Juda mbante qesen, disa menduan se Jezusi i tha të shkojë të blejë çka duhet për festë, ose t’u japë ndonjë gjë skamnorëve.
30 Juda, posa mori kafshatën, menjëherë doli jashtë. Ishte natë.

Urdhri i ri
31 Pasi Juda doli përjshta, Jezusi tha: “Tani u lavdërua Biri i njeriut! Edhe Hyji u lavdërua në të!
32 [Nëse Hyji u lavdërua në të] edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete. Po, madje menjëherë do ta lavdërojë!
33 Fëmijëzit e mi! Edhe pak kohë jam me ju! Do të më kërkoni, por, siç u thashë judenjve, tani po ju them edhe juve: ‘ku unë po shkoj, ju nuk mund të vini.’
36 Simon Pjetri i tha: “Zotëri, ku mendon të shkosh?”
Jezusi [iu] përgjigj: “Ku unë mendoj të shkoj, ti tani nuk mund të më ndjekësh; por më vonë do të më ndjekësh.”
37 “Zotëri ‑ i tha atëherë Pjetri ‑ E pse tani nuk mund të vij pas teje? Unë do ta jap jetën për ty!”
38 Jezusi u përgjigj: “Ti do ta jepësh jetën tënde për mua? Përnjëmend, përnjëmend po të them: para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë!”

Java e Shenjtë - Maria i lan këmbët Jesusit dhe ia fshin me flokë - E Hënë 25 Mars 2013


Leximi i parë: Isaia 42:1-7
Psalm: Psalm 27:1-3, 13-14
UNGJILLI: Gjoni 12:1-11


Leximi i parë: Isaia 42:1-7

1 Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah, i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im, mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim: ai do t’ua japë të drejtën popujve.
2 Ai s’do të bërtasë, s’do ta ngrejë zërin, zëri s’do t’i dëgjohet në sheshe.
3 Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues
dhe pa u trembur ai do ta shpallë të drejtën.
4 S’do të lodhet as nuk do të pushojë derisa ta ketë vendosur të drejtën në tokë. Ishujt e presin me afsh mësimin e tij.
5 Kështu thotë Zoti Hyj që krijon qiejt dhe ata i shtrin, që e bën të fortë tokën e çka prej saj mbin, që u jep frymën popujve që e banojnë, edhe shpirtin atyre që mbi të shkelin:
6 Unë, Zoti, të thirra në drejtësi e për dore të kam marrë; të kam trajtuar e caktuar besëlidhje të popullit edhe dritë për të gjithë popujt:
7 që t’ua hapësh sytë të verbërve, që t’i nxjerrësh të burgosurit nga burgu,
prej shtëpisë së burgut ata që rrinë në terr.

Psalm: Psalm 27:1-3, 13-14

1 I Davidit.
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë?
Zoti është mbrojtësi i jetës sime, para kujt do të dridhem?
2 Kur më sulen keqbërësit për të më ngrënë gjallë,
kundërshtarëve të mi e armiqve të mi, ora u liget dhe rrëzohen.
3 Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë kundër meje: zemra nuk më trembet, le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje;
edhe atëherë jam plot shpresë.
13 Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit në tokën e të gjallëve.
14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë! Ji zemërfortë e prite Zotin!

UNGJILLI: Gjoni 12:1-11

1 Gjashtë ditë para Pashkëve Jezusi erdhi në Betani, ku jetonte Lazri, të cilin Jezusi e ngjalli prej së vdekuri. 
2 Aty ia bënë gati darkën. Marta u shërbente e njëri ndër ata, që ishin në tryezë me Jezusin, ishte Lazri. 
3Atëherë Maria mori një libër parfum nardi të pastër e shumë të shtrenjtë, ia leu këmbët Jezusit dhe ia fshiu me flokët e vet. Shtëpia u mbush me erën e këndshme të parfumit. 
4 Atëherë, Judë Iskarioti ‑ njëri prej nxënësve të tij, ai që kishte në mend ta tradhtonte ‑ tha: 
5 ”Pse nuk u shit ky parfum për treqind denarë e nuk iu nda skamnorëve?” 
6 Foli kështu, jo pse kishte fort kujdes për skamnorë, por pse ishte vjedhës e pasi ai e mbante qesen, vidhte çka vihej brenda.
7 Atëherë Jezusi tha: “Lëre! Le ta bëjë këtë për ditën e varrimit tim! 
8Skamnorët i keni gjithmonë me ju, kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.”

Komploti kundër Lazrit
9 Një shumicë e madhe judenjsh mori vesh se Jezusi po gjendej atje dhe erdhën, jo vetëm për shkak të Jezusit por edhe për të parë Lazrin, të cilin e ngjalli së vdekuri. 
10 Atëherë kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazrin,
11 sepse, për shkak të tij, shumë judenj i linin ata dhe besonin në Jezusin.



Krishti tha, ‘Unë jam e Vërteta; Ai nuk tha ‘Unë jam zakoni’.

-- Shën Toribio

Darka e Fundit, Mundimet dhe Vdekja ne Kryq e Jesusit - E Diele 24 Mars 2013


Leximi i parë: Isaia 50:4-7
Psalm: Psalm 22:8-9, 17-20, 23-24
Leximi i dytë: Filipianëve 2:6-11
UNGJILLI: Luka 22:14 -- 23:1-56 ose 23:1-49



Leximi i parë: Isaia 50:4-7
4 Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin.
Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi.
5 Zoti Hyj ma hapi veshin,s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa.
6 Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat.
7 Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si shkëmbi pse e di se s’do të mbetem i turpëruar.

Psalm: Psalm 22:8-9, 17-20, 23-24

9 “Shpresoi në Zotin: le ta lirojë, le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”
10 E, pra, ti më nxore nga kraharori i nënës, ti më bëje të sigurt në prehrin e nënës sime.
18 mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mia, e këta më shikojnë e nuk m’i ndajnë sytë.
19 Petkat e mia ndër vete i ndajnë e mbi petkun tim qesin short.
20 Por ti, o Zot, mos rri larg meje, fuqia ime shpejto të më ndihmosh!
21 Ma shpëto jetën prej shpatës, prej dorës së qenit të vetmen të mirë që kam!
24 “Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë, mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!
Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë,
25 sepse nuk e përbuzi as s’e la në harresë mjerimin e skamnorit, nuk e fshehu fytyrën e vet prej tij, por, kur i kërkoi ndihmë, e dëgjoi”.

Leximi i dytë: Filipianëve 2:6-11

6 i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
7 por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri.
8 E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekjen në kryq.
9 Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër
10 që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
11 dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti është Zot!’ Në nder të Hyjit Atë.

UNGJILLI: Luka 22:14 -- 23:1-56 ose 23:1-49

14 Kur erdhi koha, Jezusi u ul në tryezë e me të bashkë edhe apostujt. 
15 U tha:“Me gjithë shpirt kam pasur dëshirë ta ha këtë Darkë të Pashkëve bashkë me ju para se të pësoj, 
16 sepse juve po ju them: nuk do ta ha më para se të marrë fund në Mbretërinë e Hyjit.”
17 Atëherë mori gotën, falenderoi e tha: “Merreni e ndajeni mes jush! 
18 Vërtet, unë po ju them se prej këtij çasti s’do të pi më fryt hardhie derisa të vijë Mbretëria e Hyjit.”
19 Pastaj mori bukën, u falënderua, e theu, ua dha e tha: “Ky është trupi im [që flijohet për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!”
20 E mori gjithashtu edhe kelkun, pasi u krye darka, e tha: “Ky kelk është Besëlidhja e Re në gjakun tim që derdhet për ju. ”]
21 “Por, ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë! 
22 Biri i njeriut njëmend po shkon ashtu siç u caktua, porse, i mjeri ai njeri që po e tradhton!”
23 Ata zunë ta pyesnin njëri‑tjetrin cili prej tyre do të ishte ai që do ta bënte këtë gjë.

Diskutimi rreth më të madhit

24 Atëherë apostujt filluan të grinden mes tyre: cili prej tyre do të ishte më i madhi. 
25 Jezusi u tha: “Mbretërit e paganëve sundojnë me ta si zotërues; madje ata që sundojnë mbi ta kërkojnë të quhen ‘Bamirës’! 
26 Ju s’guxoni të bëni ashtu! Përkundrazi, më i madhi ndër ju të jetë si të ishte më i riu, kurse kryetari, sikur të ishte ai që shërben. 
27 Cili, në të vërtetë, është më i madh: ai që është në tryezë, apo ai që shërben? Vallë, a s’është ai që rri në tryezë? Tashti, unë jam ndër ju porsi ai që shërben.”
28 “Ju jeni ata që, në provat e mia, qëndruat vazhdimisht me mua. 
29 Prandaj, unë po jua lë trashëgim Mbretërinë ashtu si ma dha mua im Atë: 30 që të hani e të pini në tryezën time në Mbretërinë time dhe të rrini në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.”

Paralajmërimi i mohimit të Pjetrit
(Mt 26, 31‑35; Mk 14, 27‑31; Gjn 13, 36‑38)

31 “Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t’ju shoshë porsi grurin! 
32 Por unë u luta për ty, që feja jote të mos mungojë. Por ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu.”
33 “Zotëri ‑ i tha Pjetri ‑ jam gati të shkoj me ty edhe në burg edhe në vdekje!”
34 Jezusi iu përgjigj: “Unë po të them, o Pjetër, se sot, nuk do të këndojë gjeli, para se ti të mohosh tri herë se më njeh!”

Qesja, strajca dhe shpata

35 Dhe u tha:“Kur ju dërgova pa qese, pa strajcë e pa sandale a ju mungoi gjë?” “Asgjë! ‑ u përgjigjën ata.
36 Atëherë u tha: “Tani, kush ka qese, le ta marrë! Po ashtu edhe strajcën! E kush nuk ka shpatë, le t’i shesë petkat e veta e le ta blejë! 
37 Sepse, unë po ju them: në mua duhet të vërtetohet fjala e Shkrimit të shenjtë: ‘U radhit ndër keqbërës!’Vërtet, gjithçka u parafol për mua, po shkon në vend.”
38 Ata i thanë:“Zotëri, ja, këtu dy shpata!”Ai iu përgjigj: “Mjaftojnë!”

Lutja në Malin e Ullinjve
(Mt 26, 36‑46; Mk 14, 32‑42)

39 Pastaj doli prej andej e u nis, si rëndom, drejt Malit të Ullinjve. Pas tij shkuan edhe nxënësit. 40 Kur arriti në atë vend, u tha:“Lutuni që të mos bini në tundim!”
41 Dhe ai u largua prej tyre sa mund të hidhet guri, u ul në gjunjë dhe zuri të lutet:
42 “O Atë, nëse do, largoje këtë gotë prej meje! Veçse, le të bëhet, jo vullneti im, por vullneti yt!” 
43 Atëherë iu dëftua një engjëll nga qielli që i dha zemër. Kur e kapën mundimet e vdekjes, lutej më me zemër. 
44 Djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë.
45 U çua prej lutjes, shkoi te nxënësit. I gjeti fjetur. I kishte këputur trishtimi.
46 U tha: “Pse po flini? Çohuni! Lutuni të mos bini në tundim!”

Tradhtimi dhe arrestimi i Jezusit
(Mt 26, 47‑56; Mk 14, 43‑50; Gjn 18, 3‑11)

47 Ndërsa ai ende po fliste, ja, ia behu një turmë. Në krye të saj ishte ai që quhet Judë ‑ njëri prej të Dymbëdhjetëve. Ai iu afrua Jezusit për ta puthur.
48 Jezusi i tha:“O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut?”
49 Ata që ishin përreth tij, duke parë çka po ndodhte, thanë:“Zotëri, a t’u biem me shpatë?”
50 Dhe njëri prej tyre i ra shërbëtorit të kryepriftit e ia preu veshin e djathtë,
51 Jezusi tha:“Zini vend! Mjaft!” ‑ dhe ia preku veshin e ia shëroi.
52 Atëherë Jezusi u tha atyre që kishin ardhur kundër tij, kryepriftërinjve e krerëve të rojës së Tempullit dhe pleqve:“Erdhët, si të isha unë cub, me shpata e shkopinj! 
53 Përditë isha në Tempull me ju e nuk çuat dorë mbi mua. Porse kjo është ora juaj dhe pushteti i territ.”

Pjetri e mohon
(Mt 26, 57‑58; 69‑75;Mk 14, 53‑54. 66‑72;Gjn 18, 12‑18, 25‑27)

54 E kapën, pra, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Pjetri e ndiqte për së largu. 
55 Ata ndezën zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij. Ndër ta u ul edhe Pjetri.
56 Kur një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi mirë dhe tha:“Edhe ky ishte me të!”
57 Ai e mohoi:“Nuk e njoh, moj fisnike!” 
58 Pak më vonë e vuri re një tjetër e tha: “Edhe ti je prej tyre!” “Nuk jam, o njeri!” ‑ iu përgjigj Pjetri.
59 Dhe pas, diku pas një ore, një tjetër tha:“Me të vërtetë edhe ky ishte me të! Sepse është edhe galileas!”
60 Pjetri u përgjigj:“ S’di ç’po thua, o burrë!” Dhe tamam atëherë, ndërsa ende po fliste ‑ këndoi gjeli. 
61 Zotëria u kthye dhe ia lëshoi sytë Pjetrit. Pjetrit i ra ndër mend fjala e Zotërisë që ia pati thënë: ‘Para se sot të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh!’
62 Doli përjashta dhe qau thekshëm.

Jezusin e përqeshin dhe e rrahin
(Mt 26, 67‑68; Mk 14, 65)

63 Njerëzit që e ruanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin. 
64 ia mbulonin fytyrën dhe i thoshin “Dëftohu profet ‑ gjeje kush të ra!” 
65 I thoshin edhe shumë të shara të tjera.

Jezusi para Këshillit të Lartë
(Mt 26, 59‑66; Mk 14, 55‑64; Gjn 18, 19‑24)

66 Kur zbardhi drita u mblodhën krerët e popullit, kryepriftërinjtë e skribët, e çuan Jezusin në Këshillin e Lartë të vetin 
67 dhe i thanë:“Nëse ti je Mesia, na thuaj!” Ai u përgjigj:
“Nëse ju them, s’do të më besoni; 
68 nëse ju pyes, nuk do të më përgjigjeni.
69 Por pas këtij momenti, Biri i njeriut do të rrijë në të djathtën e Hyjit të gjithëpushtetshëm.”
70 Atëherë i thanë të gjithë: “Ti, pra, qenke Biri i Hyjit?!” Ai u përgjigj: “Ju thoni të vërtetën! Unë jam!”
71 Atëherë ata thanë:
“Ç’dëshmi tjetër na duhet? Ne vetë e dëgjuam prej gojës së tij!”
1 Atëherë u ngritën të gjithë së bashku, e çuan te Pilati 
2 dhe zunë ta padisin: “Këtë njeri e zumë duke nxitur tonë në kryengritje, ndalon t’i jepet Cezarit tatimi e për vete thotë se është Mesia ‑ Mbret.”
3 Pilati e pyeti: “A je ti mbreti i judenjve?” Ai iu përgjigj: “Ti po thua!”
4 Pilati u tha atëherë kryepriftërinjve dhe vegjëlisë: “Kurrfarë faji s’po gjej në këtë njeri.”
5 Por ata ngulnin këmbë duke thënë: “Ky po çon në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që prejGalilesë, ku ia filloi e deri këtu.”

Jezusi para Herodit

6 Në këto fjalë Pilati pyeti a mos është ky njeri galileas. 
7 Kur e mori vesh se është nën pushtetin e Herodit, e dërgoi te Herodi që, ndër ato ditë, gjendej edhe ai në Jerusalem.
8 Herodi u gëzua fort kur e pa Jezusin. Kaherë kishte pasur dëshirë ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte se do të shihte ndonjë mrekulli të tijën. 
9 I bëri shumë pyetje, porse Jezusi s’iu përgjigj fare. 
10 Aty ishin edhe krerët e priftërinjve dhe skribët, të cilët e paditnin me këmbëngulje.
11 Herodi, bashkë me ushtarët e vet e përbuzi Jezusin dhe e vuri në lojë: e veshi me petk të bardhë dhe ia ktheu Pilatit. 
12 Po atë ditë Herodi e Pilati u bënë miq: më parë ishin armiq.

Jezusi i gjykuar për vdekje
(Mt 27, 15‑26; Mk 15, 6‑15; Gjn 18, 39‑19, 16)

13 Pilati grishi në mbledhje krerët e priftë‑ rinjve, anëtarët e Këshillit të lartë dhe 
14 dhe u tha: “Këtë njeri e sollët para meje duke e paditur se po nxit në kryengritje, dhe, ja, unë e pyeta para jush e nuk i gjeta kurrfarë faji, për të cilin ju e paditni. 
15Por, as Herodi, pasi e ktheu prapë tek ne. Ja, pra, ai s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. 
16 Prandaj, do ta ndëshkoj e pastaj do ta lëshoj.” [17]
18 Por ata zunë të bërtasin njëzëri: “Këtë vritie e na liro Barabën!”
19 Baraba ishte i burgosur për shkak të një kryengritjeje e për vrasje. 
20 Pilati foli prapë, sepse dëshironte ta lirojë Jezusin. 
21 Por ata bërtitnin: “Kryqëzoje! Kryqëzoje!”
22 Ai u tha të tretën herë:“Po ç’të keqe ka bërë? Unë nuk gjeta në të faj që meriton vdekjen. Do ta ndëshkoj, pra, dhe do ta lëshoj.”
23 Porse ata me britma të mëdha e me këmbëngulje kërkonin ta kryqëzojë: britmat e tyre bëheshin përherë e më të mëdha.
24 Atëherë Pilati vendosi të bëhej ashtu si kërkonin ata. 
25 Ua lëshoi atë që u burgos për kryengritje e vrasje ‑ atë që kërkuan ‑ kurse Jezusin ua dorëzoi vullnetit të tyre.

Kryqëzimi i Jezusit
(Mt 27, 32‑44; Mk 15, 21‑32; Gjn 19, 17‑27)

26 Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, kapën një farë Simoni prej Cirene, që po kthente nga fusha, ia vunë në krah kryqin që ta mbarte pas Jezusit.
27 Pas tij shkonte një shumicë e madhe njerëzish e disa gra që e qanin dhe e vajtonin. 
28 Jezusi u kthye kah ato dhe tha: “Bijat e Jerusalemit! Mos më qani mua, por qani veten e fëmijët tuaj! 
29Sepse, ja, po vjen koha, kur do të thuhet: ‘Lum beronjat! Lum ato që s’lindën kurrë e që nuk patën kujt t’i japin gji!’ 
30 Atëherë do të fillojnë ‘t’u thonë maleve: bini mbi ne! e kodrave: na mbuloni!’
31 Sepse, nëse veprohet kështu me drunë e njomë, çka do të ndodhë me të thatën?”
32 I sollën edhe dy të tjerë ‑ keqbërës për t’i vrarë bashkë me të.
33 Kur arritën në vendin që quhet ‘Kafkë’, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.
[34 E Jezusi lutej:“Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!”] E ‘për t’i ndarë petkat e tij hodhën short’.
35 Populli rrinte aty e ‘kundronte’. Anëtarët e Këshillit të Lartë e ‘përqeshnin’ duke thënë: “Të tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit ‑‘I zgjedhuri’!”
36 Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull 
37 dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!”
38 Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.”
39 Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente: “Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!”
40 Por ai tjetri e qortoi shokun: “As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? 
41 Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky ‑ ky s’bëri asnjë të keqe!”
42 Dhe tha: “Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!”
43 E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”

Vdekja e Jezusit
(Mt 27, 45‑56; Mk 15, 33‑41; Gjn 19, 28‑30)

44 Ishte rreth orës gjashtë e terri e mbështolli mbarë tokën deri në orën nëntë. 
45 Dielli u zu e kultrina e Tempullit u nda përmes.
46 Atëherë Jezusi bërtiti me zë të lartë e tha: “O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim!” Si tha këto, dha shpirt.
47 Centurioni, kur pa ç’ndodhi, zuri të lëvdojë Hyjin dhe tha: “Ky njeri ishte me të vërtetë i drejtë!”
48 Po edhe të gjithë njerëzit, që u grumbulluan për të parë ngjarjen, kur panë se ç’ndodhi, u kthyen duke rrahur kraharorin.
49 Të gjithë miqtë e tij rrinin larg, po ashtu edhe gratë, që e kishin përcjellë prej Galilesë, dhe po vërenin.

Varrimi i Jezusit
(Mt 27, 57‑61; Mk 15, 42‑47; Gjn 19, 38‑42)

50 Atëherë erdhi një njeri që quhet Jozef. Ky ishte anëtar i Këshillit [dhe] burrë i mirë dhe i drejtë. Ky nuk e miratoi vendimin as veprimin e tyre. 
51 Ishte prej Arimateje, qytet i Judesë, dhe priste Mbretërinë e Hyjit. 
52 Shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit.
53 Pasi e uli prej kryqit, e mbështolli në pëlhurë, e vuri në varr të gdhendur në gur, ku ende askush s’ishte varrosur.
54 Ishte dita e Përgatitjes, e po afrohej e shtuna. 
55 E përcollën edhe gratë që erdhën me Jezusin prej Galilesë; e panë varrin dhe si u vu trupi i Jezusit. 
56Pastaj u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajëra të erëndshëm.