Pages

“Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar.”

1 e Korintasve 3:1-9
Psalm 33:12-15, 20-21
Luka 4:38-44


1 e Korintasve 3:1-9
1 E vetë, vëllezër, nuk munda t’ju predikoj porsi njerëzve shpirtërorë, por porsi qenieve tokësore, porsi foshnjave në Krishtin. 2 Ju dhashë të pini qumësht e jo ushqime të forta, sepse ende nuk mund t’i bluanit. Po, madje as tani s’jeni në gjendje, 3 sepse ende jeni tokësorë. Dhe, njëmend, derisa në mes jush të ketë smirë e grindje, a thua nuk jeni tokësorë, a thua nuk silleni në mënyrën e njeriut thjesht lëndor? 4 Sepse, kur ndonjëri thotë: “Unë jam i Palit” e një tjetër: “Unë jam i Apolit”, a nuk jeni vetëm njerëz thjesht natyrorë?
5 Po çka është Apoli? Çka është Pali? Shërbëtorë, me anë të të cilëve ju e pranuat fenë. Secili veproi sipas dhuratave që Hyji i dha: 6 Unë mbolla, Apoli lagu, por Hyji bëri që të rritet. 7 Kështu: nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. 8 Ai që mbjell e ai që lag janë të barabartë. Secili sipas mundit që të ketë bërë, do ta marrë shpërblimin. 9 Sepse ne punojmë së bashku në punën e Hyjit; e ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit.

Psalm 33:12-15, 20-21

12 Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin, populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
13 Zoti shikon nga qielli e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.
14 Prej vendit të vet të shenjtë i shqyrton të gjithë banorët e tokës,
15 ai që të gjithëve ua ka krijuar zemrat e i kupton të gjitha veprat e tyre.
20 Shpirti ynë shpreson në Zotin, ai është ndihma dhe mburoja jonë.
21 Zemra jonë në të e ka shpresën, shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.

Luka 4:38-44

Shërimi i shumë njerëzve në popull
(Mt 8, 14‑17; Mk 1, 29‑34)

38 Si doli prej sinagogës, hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta e i bënë lutje për të. 39 Ai u përkul kah ajo, u urdhëroi etheve ‑ e ato e lëshuan. U çua aty për aty dhe u shërbeu.

40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që ishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme, i binin tek ai e Jezusi i shëronte duke vënë duart mbi secilin prej tyre. 41 Prej shumëkujt dilnin djajtë e thoshin: “Ti je Biri i Hyjit!” Jezusi u kërcënohej dhe ua ndalonte të flisnin, sepse e dinin se ai ishte Mesia.

Predikimi nëpër vende të ndryshme
(Mk 1, 35‑39)
42 Kur zbardhi drita doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Turmat u vunë ta kërkojnë, e kur e gjetën, u munduan ta ndalnin të mos largohej prej tyre. 43Ai u tha: “Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar.”
44 E predikonte nëpër sinagoga të Judesë.


‘Kush e njohu mendimin e Zotit për ta mësuar Atë?’

1 e Korintasve 2:10-16
Psalm 145:8-14
Luka 4:31-37

1 e Korintasve 2:10-16

10 Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton në gjithçka, edhe në vetë thellësinë e natyrës hyjnore. 11 E njëmend, kush prej njerëzve di çka është në njeri përveç shpirtit të njeriut që është në të? Kështu edhe çka është në Hyjin, askush nuk e di, përveç Shpirtit të Hyjit. 12 E ne nuk kemi marrë shpirtin e botës, por kemi marrë Shpirtin që vjen prej Hyjit që ta dimë me ç’dhurata na ka pajisur Hyji. 13 Këtë edhe e shpallim, jo me argumentime të mësuara nga dituria njerëzore, por me mësim të Shpirtit Shenjt, duke shtjelluar gjëra shpirtërore me terma shpirtërorë. 14Njeriu thjesht natyror nuk i merr vesh gjërat që rrjedhin prej Shpirtit të Hyjit: ato për të janë marri dhe nuk është i aftë t’i kuptojë, sepse duhet të gjykohen në mënyrë shpirtërore. 15
Përkundrazi, njeriu shpirtëror i shqyrton të gjitha, por ai nuk mund të shqyrtohet prej askujt, 16 sepse:
‘Kush e njohu mendimin e Zotit për ta mësuar Atë?’,
por ne e kemi mendimin e Krishtit.

Psalm 145:8-14

8 Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
9 Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.
10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.
11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,
12 për t`u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.
13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.
14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.


Njeriu i djallosur
(Mk 1, 21‑28)
31 Atëherë zbriti në Kafarnaum, qytet i Galilesë dhe mësonte ditën e shtunë.32 Njerëzit i magjepste mësimi i tij, sepse fjalën e kishte plot autoritet.
33 Në sinagogë ndodhej një njeri që në trup kishte shpirtin e djallit të ndytë. Ai bërtiti me zë të lartë:
34 “Hej, ç’ke me ne, Jezus Nazareni? A erdhe të na farosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”
35 “Praj dhe dil prej tij! ‑ i urdhëroi Jezusi.
Djalli e rrëzoi para tyre e doli prej tij pa e lënduar fare. 36 Të gjithë i kapi frika dhe i thoshin njëri‑tjetrit:
“Çfarë fjale! Ky po u urdhëron me pushtet e fuqi shpirtrave të ndytë e ata po dalin!”
37 Dhe u përhap zëri për të nëpër të gjitha vendet e krahinës.

Prandaj rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!

1 e Korintasve 1:17-25
Psalm 33:1-2, 4-5, 10-11
Mateu 25:1-13

1 e Korintasve 1:17-25

17 Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit.
Krishti, fuqia dhe urtia e Hyjit 18 E njëmend, predikimi për kryqin, për ata që dënohen, është marri, kurse, për ne të shëlbuarit, është fuqia e Hyjit. 19 Sepse është në Shkrim i shenjtë:
‘Do ta asgjësoj dijen e të dijshëmve,do ta bëj të kotë urtinë e të urtëve.’
20 Ku është i dijshmi? Ku është mësuesi i Ligjit? Ku është shqyrtuesi i kësaj bote? Pse, a nuk e bëri Hyji marri urtinë e botës? 21 Për të vërtetë, pasi bota me urtinë e vet nuk e njohu Hyjin me anë të dijes së zbuluar prej Hyjit, i pëlqeu Hyjit, me marrinë e predikimit t’i shëlbojë besimtarët. 22E, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, 23 ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar ‑ për hebrenj skandal e për paganë marri, 24 kurse për të grishurit ‑ si për hebrenj si për grekë ‑ Krishtin ‑ fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit. 25 Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.

Psalm 33:1-2, 4-5, 10-11

1 Galdoni, o të drejtë në Zotin, të drejtëve u ka hije lavdërimi!
2 Lavdërojeni Zotin me kitarë, bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
3 Këndoni atij një këngë të re, përcilleni bukur me cetër brohoritjen!
4 Sepse e drejtë është fjala e Zotit e të gjitha veprat e tija me besë.
5 E do drejtësinë e gjyqin, plot është toka me mirësinë e Zotit.
10 Zoti i shpartallon synimet e popujve, i pështjellon qëllimet e kombeve.
11 Synimi i Zotit qëndron për amshim, mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni.

Mateu 25:1-13

1”Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. 2 Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. 3 Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë. 5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilini përpara!’ 7 Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘ Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’ 10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’

13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”


Rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.

1 e Korintasve 1:1-9
Psalm 145:2-3, 4-5, 6-7
Mateu 24:42-51


1 e Korintasve 1:1-9

1. Pali, për vullnet të Hyjit, i grishur të jetë apostull i Krishtit Jezus, edhe vëlla Sosteni, 2. Kishës së Hyjit që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të grishurve të jenë shenjtër, bashkë me të gjithë ata, që në cilindo vend e thërrasin Emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe tonë. 3. Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht! 4. Përherë i falemnderit Hyjit tim për ju që ju dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, 5. sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka në çdo fjalë e në çdo dije. 6. Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, 7. sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni Zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit.
8. Por edhe Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në Ditën e Zotit tonë Jezusit (Krisht). 9. Besnik është Hyji që ju thirri në shoqërinë e Birit të vet, Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Psalm 145:2-3, 4-5, 6-7

2. Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj Emrin Tënd përjetë.
3. Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.
4. Një brez do t`i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t`i njoftojë mrekullitë e tua.
5. Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.
6. Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.
7. Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.

Mateu 24:42-51

42 Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj! 43 E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia. 44 Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.”
45 Vallë, cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, që zotëria e vuri përmbi shërbëtorët e vet për t’u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 46 I lumi ai shërbëtor, që, kur të vijë zotëria, e gjen duke vepruar kështu! 47 Për të vërtetë po ju them: do t’ia besojë mbarë pasurinë e vet!

48 Por në qoftë se shërbëtori i keq thotë në zemrën e vet: ‘zotëria im vonon të vijë’ 49 e fillon t’i rrahë shokët e vet e të hajë e të pijë me pijaneca; 50 zotëria i këtij shërbëtori do të vijë pikërisht atë ditë, kur ky s’e pret, pikërisht në atë orë, kur ky s’e di; 51 do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’ia caktojë vendin me shtiracakët, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.”

Farise i verbër! Pastroje më parë brendinë e gotës, që edhe përjashta të jetë e pastër!

Festa e Shën Rose e Limas

E Marte, 23 Gusht 2016

Leximi i parë: 2 e Selanikasve 2:1-3, 14-16
Psalm: Psalm 96:10, 11-12, 13
Ungjilli: Mateu: 23:23-26


2 e Selanikasve 2:1-3, 14-16

1. Në lidhje me Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe me bashkimin tonë rreth tij, ju bëjmë lutje, vëllezër, 
2. mos lejoni të merreni mendsh dhe as mos u trazoni për shkak të ndonjë vegimi gjasme profetik, ose të ndonjë fjale ose të ndonjë letre gjasme të shkruar prej nesh, thua se ja, arriti Dita e Zotit!
3. Mos lejoni t’ju gënjejë kush në asnjë mënyrë! Sepse njëherë duhet të ndodhë rënia nga feja (apostazia) dhe të shfaqet Njeriu i fajit, biri i Bjerrjes
14. në të cilën ju grishi me anë të Ungjillit tonë ‑ që ta fitoni lumturinë e Zotit tonë Jezu Krishtit.
15. Prandaj, o vëllezër, jini të qëndrueshëm dhe mbajini porositë që i morët prej nesh qoftë me anë të fjalës qoftë me anë të Letrës sonë.
16. Dhe vetë Zoti ynë Jezu Krishti dhe Hyji, Ati ynë, që na dëftoi dashuri dhe na dhuroi me anë të hirit të vet ngushëllimin e amshuar dhe shpresën e lume.

Psalms 96:10, 11-12, 13

10. Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti”!
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.
11.  Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë!
Le të buçasë deti me ç’ka në të,
12. Le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,
le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve,
13. para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen,
sepse po vjen për të gjykuar tokën!
Do ta gjykojë botën me drejtësi,
do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij.

Mateu: 23:23-26

23. Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që lani të dhjetën e mendrës, të murajës e të kimit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë! Këtë është dashur ta bëni e nga ajo e para, s’është dashur të hiqni dorë. 
24. Udhëheqës të verbër! Ju shtrydhni mushkonjën e kapërdini gamilen!
25. Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës e të enës, ndërsa përbrenda janë plot rrëmbime e papërkormëri! 
26. Farise i verbër! Pastroje më parë brendinë e gotës, që edhe përjashta të jetë e pastër!