Pages

Kush nuk është me Mua, është kundër Meje - E Premte 10 Tetor 2014

Leximi i parë: Galatasve 3:7-14
PSALM, PSALMS 111:1-2, 3-4, 5-6
UNGJILLI, LUKA 11:15-26


Leximi i parë: Galatasve 3:7-14

7Dijeni, pra, mirë: ata që besojnë janë bijtë e vërtetë të Abrahamit. 

8 E Shkrimi i Shenjtë, duke paraparë se Hyji do t’i shfajësojë paganët me anë të fesë, që më parë ia dha Abrahamit këtë lajm të gëzueshëm: ‘Në ty do të jenë të bekuar të gjithë popujt!’ 

9 Kështu, pra, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me Abrahamin besimtar.

10 E njëmend, ata që mbështeten në veprat e Ligjit, janë nën mallkim, sepse Shkrimi i Shenjtë thotë: “Qoftë mallkuar secili që nuk mban e nuk zbaton gjithçka është shkruar në Librin e Ligjit!” 

11 E se askush s’mund të shfajësohet para Hyjit me anë të Ligjit është e qartë, sepse: “I drejti do të jetojë me anë të fesë.” 

12 Tashti Ligji nuk është prej fesë, por: Kush e mban në të do të gjejë jetën.”

13 Krishti na shpërbleu prej mallkimit të Ligjit duke u bërë Ai vetë Mallkim ‑ sepse është shkruar: “I mallkuar është gjithkush varet në kryq, ” – 

14 që përmbi paganë të arrijë bekimi i Abrahamit në Krishtin Jezus: që Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt ‑ ta marrim me anë të fesë.


PSALM, PSALMS 111:1-2, 3-4, 5-6

Lavdi veprave të Hyjit

1 ALELUJA!
Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin,
në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.

2 Të mëdha janë veprat e Hyjit,
për t’u shqyrtuar prej atyre që i duan.

3 Stoli e shkëlqim është vepra e Tij,
drejtësia e Tij qëndron në shekuj të shekujve.

4 U ngreh përmendore mrekullive të veta,
i mëshirshëm e mëshirëdhënës është Zoti.

5 U jep ushqim atyre që e druajnë,
kurrë s’e harron Besëlidhjen e Vet.

6 Popullit të Vet ia kumtoi fuqinë e veprave të Veta,
duke ua dhuruar pronën e paganëve.


UNGJILLI, Luka 11:15-26

Jezusi dhe Beelzebuli
(Mt 12, 22‑30; Mk 3, 20‑27)

15 Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.” 

16 Disa të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit. 

17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha:
“Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. 

18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete ‑ pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit ‑ si do të qëndrojë mbretëria e tij? 

19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj. 

20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!

21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt. 

22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndan plaçkat e tij.

23 Kush nuk është me Mua, është kundër Meje. Kush nuk bashkon me Mua, shpërndan.”

Kthimi i shpirtit të ndytë
(Mt 12, 43‑45)

24 “Kur shpirti i ndytë të ketë dalë prej njeriut, endet nëpër vende të shkretuara duke kërkuar pushim, e, duke mos e gjetur, thotë: ‘Do të kthehem në shtëpinë time nga dola’. 

25 Kur kthehet, e gjen të fshirë e të stolisur.

26 Atëherë shkon e merr me vete edhe shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se veten, hyjnë e banojnë aty. Kështu gjendja e fundit e këtij njeriu bëhet më e keqe se e para.”