Pages

E PREMTJA E ZEZË - 18 Prill 2014

Leximi i parë: Isaia 52:13 -- 53:12
Psalm: Psalm 31:2, 6, 12-13, 15-17, 25
Leximi i dytë: Hebrenjve 4:14-16; 5:7-9
UNGJILLI: GJONI 18:1 -- 19:42


Leximi i parë: Isaia 52:13 -- 53:12

Kënga e katërt për Shërbëtorin e Zotit

13 Ja, Shërbëtorit tim për së mbari do t’i shkojnë punët,
do të nderohet, do të lartësohet, do të jetë tejet i madhërishëm!
14 Sikurse shumë vetë që mbetën shtang kur e panë
‑ kaq e shëmtuar ishte pamja e tij,
‑ fytyra e tij s’ishte më si e njeriut,
aq sa pamja e tij s’ishte më si e bijve të Adamit ‑
15 po ashtu mbi Të do të mbesin të habitura
turmat e popujve,
edhe mbretërit do të mbesin gojëhapur,
sepse do të shohin atë për çka s’ka qenë treguar
e do të kuptojnë atë për çka s’kishin dëgjuar.
1 Kush, pra, besoi në atë
që ne dëgjuam se u tha?
Kujt i qe zbuluar dora e Zotit?
2 Para Tij u rrit porsi pinjolli,
porsi rrënja nga toka e thatë.
S’kishte bukuri as hijeshi,
që të mund të vërenim në të,
as pashi që të mund të na pëlqente.
3 Ishte i përbuzur, më i sprasmi ndër njerëz,
njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje,
si ai, para të cilit mbulohet fytyra,
i përbuzur, këndej as s’e çmonin për gjësend!
4 E pra, Ai i mori mbi vete vuajtjet tona,
mbi shpatulla të veta i ngarkoi dhimbjet tona!
E ne ishim të bindur se ishte i ndëshkuar,
i munduar prej Hyjit e i nënçmuar!
5 Kurse Ai ishte i plagosur për shkak të paudhësive tona,
i ndrydhur për shkak të fajeve tona;
ndëshkimi, peng paqeje për ne,
peshoi mbi Të:
me vërragën e tij ne u shëruam.
6 Të gjithë ne endeshim si berrat e humbur,
secili udhën e vet ndiqte
e Zoti e ngarkoi mbi Të
paudhësinë e të gjithë neve.
7 I marrë me të keq, lejoi të përvujtërohet,
nuk e çeli gojën e vet;
porsi qengji që e çojnë për ta therur,
porsi delja e pazë para qethtarëve,
nuk e çeli gojën e vet.
8 E hoqën këso jete me dhunë e me gjyq.
Kush kujdeset për fatin e tij?
Po, e zhdukën nga toka e të gjallëve,
për faj të popullit të vet
qe goditur për vdekje.
9 Varrin e tij e vunë me të patenzonët,
me pasanikët varri i tij,
megjithëse s’kishte bërë paudhësi
as gënjeshtër s’doli nga goja e tij.
10 Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje.
Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese,
do të shohë një trashëgimi motgjatë,
me anë të Tij do të kryhet vullneti i Zotit.
11 Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij
do ta shohë dritën
e do të ngihet me njohjen e saj.
Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë,
mbi vete fajet e tyre do t’i marrë.
12 Prandaj turmat do t’ia jap për shpërblim,
pre e tij do të jenë popuj të panumërt,
sepse e dorëzoi veten për vdekje
dhe qe numëruar ndër keqbërës
që mbi vete t’i marrë fajet e turmave
e lutet për ata që mëkatojnë.

Psalm: Psalm 31:2, 6, 12-13, 15-17, 25

2 Në ty, o Zot, shpresoj:
mos lejo të turpërohem për amshim,
më liro me drejtësinë tënde.
6 Në duar të tua po e porosis shpirtin tim,
më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
12 Në sy të armiqve të mi u bëra tallje,
për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr.
Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje.
13 Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur,
u bëra porsi enë e thyer.
15 E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt,
unë them: “Ti je Hyji im,
16 në duart e tua fati im”!
Më shpëto prej duarve të armiqve të mi
dhe prej atyre që më salvojnë.
17 Kthjelloje fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd:
më shpëto me mëshirën tënde.
25 Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju
që shpresoni në Zotin.

Leximi i dytë: Hebrenjve 4:14-16; 5:7-9

Jezusi Kryeprifti i madh

14 Prandaj, pasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt - të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! 15 Sepse, nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, pasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha si ne, me përjashtim vetëm të mëkatit.
16 T’i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur.
7 Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi lutja dhe lutje me ofshama të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. 8 Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm 9 dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar,

UNGJILLI: GJONI 18:1 -- 19:42

TRADHTIMI DHE KAPJA E JEZUSIT

1 Jezusi, si i tha këto fjalë, kaloi bashkë me nxënësit e vet përtej përroit Cedron. Aty ishte një kopsht, në të cilin hyri ai e nxënësit e tij.2 Edhe Juda, tradhtari i tij, e dinte atë vend, sepse Jezusi shpeshherë shkonte atje bashkë me nxënësit e vet.
3 Atëherë Juda mori një kompani ushtarësh dhe disa rojtarë të Tempullit që ia dhanë kryepriftërinjtë e farisenjtë dhe ia behu atje me pisha të ndezura, me dritëza e me armë.
4 Jezusi, që e dinte mirë çka kishte për t’i ndodhur, u doli para dhe u tha:
“Kë kërkoni?”
5 “Jezu Nazarenin!” ‑ iu përgjigjën ata.
“Unë jam.” ‑ u tha Jezusi.
Me ta ishte Juda që po e tradhtonte. 6 Kur, pra, Jezusi u tha: “Unë jam!”, ata u zmbrapsën dhe ranë përdhe. 7 Atëherë i pyeti përsëri:
“Kë kërkoni?”
“Jezusin Nazarenas!” ‑ iu përgjigjën ata. 8 Jezusi u tha: “Ju thashë: ‘Unë jam’. Nëse, pra, më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë!”
9 Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala që pati thënë: “Nuk bora asnjë prej atyre që më dhe.”
10 Atëherë Simon ‑ Pjetri nxori shpatën, që e kishte me vete, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk. 11 Atëherë Jezusi i tha Pjetrit:
“Shtjere shpatën në mill! A të mos e pi gotën që ma dha Ati?”

Jezusi para kryepriftit
(Mt 26, 57‑58; Mk 14, 53‑54; Lk 22, 54)

12 Atëherë njësia ushtarake me komandantin e me rojtarët e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën. 13 E çuan më parë tek Ana, sepse ishte vjehrri i Kajfës, që ishte kryeprifti i atij viti. 14 Kajfa ishte ai që i kishte këshilluar judenjtë: “Është më mirë të vdesë vetëm një njeri në vend të popullit!”

Pjetri i bie mohit Jezusit
(Mt 26, 69‑70; Mk 14, 66‑68; Lk 22, 55‑57)

15 Simon‑Pjetri dhe një nxënës tjetër po shkonin pas Jezusit. Nxënësi tjetër njihej prej kryepriftit dhe hyri me Jezusin në oborr të kryepriftit, 16 kurse Pjetri mbeti përjashta, te dera. Atëherë ai nxënësi tjetër, që e njihte kryeprifti, doli, foli me derëtaren dhe bëri që të hyjë Pjetri brenda. 17 Ndërkaq shërbëtorja derëtare i tha Pjetrit:
“A mos je edhe ti prej nxënësve të atij njeriu?”
“Nuk jam!” ‑ iu përgjigj ky.
18 Aty ishin shërbëtorët e rojtarët. Kishin ndezur zjarr e po nxeheshin, sepse bënte ftohtë. Me ta rrinte edhe Pjetri e po nxehej.

Kryeprifti merr në pyetje Jezusin
(Mt 26, 59‑66; Mk 14, 55‑64; Lk 22, 66‑71)

19 Kryeprifti e pyeti Jezusin për nxënësit e tij dhe për mësimin e tij. 20 Jezusi i u përgjigj:
“Unë u kam folur njerëzve botërisht. Gjithmonë kam mësuar në sinagogë dhe në Tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë. Nuk fola asgjë fshehtas. 21 Pse po më pyet mua? Pyeti ata që dëgjuan çka u kam folur. Ata, patjetër dinë ç’kam thënë.”
22 Pas këtyre fjalëve, njëri nga rojtarët e pranishëm, i ra Jezusit shuplakë dhe i tha:
“A kështu i përgjigjesh kryepriftit?”
23 “Nëse fola keq ‑ i tha Jezusi ‑ ma vërteto të keqen! Nëse fola mirë, pse po më bie?”
24 Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajfa.

Pjetri i bie prapë mohit Jezusit
(Mt 26, 71‑75; Mk 14, 69‑72; Lk 22, 58‑62)

25 Simon‑Pjetri po rrinte gjithnjë aty e po nxehej. I thanë, pra, disa: “A mos je edhe ti prej nxënësve të tij?” Ai e mohoi dhe tha: “Nuk jam.” 26 Njëri prej shërbëtorëve të kryepriftit, kushëriri i atij, të cilit Pjetri ia preu veshin, i tha: “Po a nuk të pashë bashkë me të në kopsht?” 27 Pjetri prapë mohoi dhe këndoi gjeli.

Jezusi para Pilatit
(Mt 27, 1‑2, 11‑14; Mk 15, 1‑5; Lk 23, 1‑5)

28 Atëherë Jezusin e çuan prej Kajfës në pallatin e qeveritarit. Ishte herët në mëngjes e ata nuk hynë në pretorium që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin darkën e Pashkëve. 29 Prandaj, Pilati doli jashtë para tyre dhe i pyeti:
“Ç’padi keni kundër këtij njeriu?”
30 Po të mos ishte ky keqbërës ‑ iu përgjigjën ata ‑ nuk do ta kishim sjellë para teje!”
31 Pilati u përgjigj:
“Merreni ju e gjykojeni sipas Ligjit tuaj!”
[Atëherë] Judenjtë u përgjigjën:
“Ne s’kemi leje të vrasim askënd!”
32 Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Jezusit, me të cilën parafoli se me ç’vdekje do të vdiste.
33 Atëherë Pilati hyri përsëri në pallat, e thirri Jezusin dhe e pyeti:
“A je ti mbreti i judenjve?”
34 Jezusi iu përgjigj:
“A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë të tjerët për mua?”
35 Pilati u përgjigj:
“Pse, a mos jam unë judeas? Populli yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çka ke bërë?”
36 Jezusi u përgjigj:
“Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bija në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”
37 “Pra, ti qenke Mbret?”‑ i tha atëherë Pilati.
“Mirë thua! ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Unë jam mbret!
E unë linda dhe erdha në botë
për të dëshmuar të vërtetën.
Kush e do të vërtetën,
ai e dëgjon fjalën time.”
38 Po çka është e vërteta?” ‑ i tha Pilati.

Jezusin e dënojnë për vdekje
(Mt 27, 15‑31; Mk 15, 6‑20; Lk 23, 13‑25)

Si foli kështu, doli prapë para judenjve dhe u deklaroi:
“Unë nuk gjej në të kurrfarë faji! 39 Tashti, ndër ju është zakon t’ju liroj dikënd për Pashkë. A doni, pra, t’ju liroj mbretin e judenjve?”
40 Por ata bërtitën prapë:
“Jo këtë, por Barabën!”
E Baraba ishte cub.

JEZUSIN E KRYQËZOJNË






1
 Atëherë Pilati mori Jezusin dhe urdhëroi të rrahej me frushkuj.
2 Ushtarët gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në kokë dhe i veshën një mantel të kuq. 3 I afroheshin dhe i thoshin:
“Të falemi, mbreti i judenjve!” Dhe i binin flakaresha.
4 Atëherë Pilati doli përsëri përjashta dhe u tha:
“Ja, po jua nxjerr përjashta që ta dini se nuk gjej në të kurrfarë faji.”
5 Atëherë Jezusi doli jashtë me kurorë ferrash e me mantel të kuq. Pilati u tha:
“Ja, Njeriu!”
6 Porse, kur e panë kryepriftërinjtë dhe rojtarët, bërtitën:
“Kryqëzoje, kryqëzoje!”
“Merreni ju e kryqëzojeni ‑ u tha Pilati ‑ se unë nuk gjej në të farë faji.”
7 Judenjtë iu përgjigjën:
“Ne kemi Ligjin dhe atij i duhet të vdesë sipas Ligjit se e bëri veten Bir të Hyjit.”
8 Pilati, kur e dëgjoi këtë fjalë, u tremb edhe më tepër 9 dhe hyri prapë në pallat e i tha Jezusit: “Prej nga je?” Jezusi nuk i dha përgjigje. 10 Atëherë Pilati i tha:
“Mua nuk më përgjigjesh? A nuk e di se kam pushtet të të liroj e kam pushtet të të kryqëzoj?”
11 “Kurrfarë pushteti s’do të kishe mbi mua ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ po të mos të të ishte dhënë prej së Larti. Prandaj, ai njeri që më dorëzoi tek ti ka mëkat më të madh.”
12 Që atëherë Pilati kërkonte ta lëshonte, porse judenjtë bërtitnin: “Nëse e liron këtë, nuk je mik i Cezarit. Kushdo e bën veten mbret, është kundër Cezarit.”
13 Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, e nxori Jezusin përjashta, u ul në selinë e gjykatores, në vendin që quhet “Kalldrëm” e hebraisht “Gabatha”. 14 Ishte dita e Përgatitjes së Pashkëve, rreth orës gjashtë. Pilati u tha judenjve:
“Qe mbreti juaj!”
15 Ata atëherë bërtitën:
“Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!”
“Ta kryqëzoj mbretin tuaj?” ‑ u tha Pilati.
Krerët e priftërinjve u përgjigjën:
“Ne nuk kemi tjetër mbret, përveç Cezarit!”
16 Atëherë ua dorëzoi të kryqëzohej.

Jezusin e kryqëzojnë
(Mt 27, 32‑44; Mk 15, 21‑32;Lk 23, 26‑43)

E morën, pra, Jezusin. 17 Jezusi, duke e mbartur ai vetë kryqin e vet, doli në vendin që quhet “Kafka” hebraisht “Golgota”. 18 Atje e kryqëzuan, e bashkë me të, edhe dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, kurse Jezusin në mes.
19 Pilati e shkroi edhe mbishkrimin dhe e vuri në kryq. Ishte shkruar: “Jezus Nazareni, mbreti i judenjve.” 20 Këtë mbishkrim e lexuan shumë judenj, sepse vendi ku e kryqëzuan Jezusin ishte afër qytetit. Ishte i shkruar hebraisht, latinisht e greqisht. 21 Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit:
“Mos shkruaj: ‘Mbreti i judenjve’, por se ai tha: ‘Unë jam mbreti i judenjve’.”
22 Pilati u përgjigj:
“Çka shkrova, shkrova!”
23 Ushtarët, pasi e kryqëzuan Jezusin, i morën petkat e sipërme të tijat dhe i ndanë në katër pjesë ‑ secilit ushtar nga një pjesë. Morën edhe petkun e poshtëm. Ky nuk ishte i qepur me pola, por i punuar një cope, prej në maje e në fund. 24 Prandaj i thanë njëri‑tjetrit: “Nuk po e ndajmë në pjesë, por po qesim short, kujt t’i bjerë.” Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë:
‘I ndanë mes tyre petkat e mia
e mbi petkun tim hodhën short.’
Ushtarët bënë pikërisht ashtu.
25 Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait edhe Maria Magdalenë. 26 Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës:
“Grua, ja, yt bir!”
27 Pastaj i tha nxënësit:
“Ja, nëna jote!”
Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.

Vdekja e Jezusit
(Mt 27, 45‑56; Mk 15, 33‑41; Lk 23, 44‑49)

28 Pastaj, Jezusi, i vetëdijshëm se u krye gjithçka, që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë, tha: “Kam etje!” 29 Aty ishte një enë plot me uthull. Në majë të kallamit të hisopit vunë një sfungjer plot me uthull e ia afruan te goja.30 Jezusi, posa e kërkoi uthullën, tha:
“Gjithçka u krye!”
Uli kokën e dha shpirt.

Jezusit i shporojnë kraharorin

31 Atëherë judenjtë, pasi ishte dita e Përgatitjes dhe, që trupat të mos mbeteshin në kryq të shtunën ‑ e ajo e shtunë ishte ditë e madhe ‑ i bënë lutje Pilatit që të kryqëzuarve t’u theheshin kërcinjtë dhe të uleshin prej kryqit. 32Erdhën, pra, ushtarët e të parit e të dytit që ishin të kryqëzuar me të, ua thyen kërcinjtë. 33 Kur erdhën te Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34 por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë.
35 Dëshmon ai që pa, e dëshmia e tij është e vërtetë. Ai di se flet të vërtetën, që edhe ju të besoni. 36 Në të vërtetë, ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: “Asnjë asht nuk do t’i thyhet.” 37 E në një vend tjetër Shkrimi i shenjtë thotë:
“Do ta shohim Atë që shporuan.”

Varrimi i Jezusit
(Mt 27, 57‑61; Mk 15, 42‑47; Lk 23, 50‑56)

38 Pastaj Jozefi prej Arimatesë, i cili ishte nxënës i fshehtë i Jezusit ‑ për shkak të drojës së judenjve ‑ iu lut Pilatit ta lejonte të zbriste prej kryqit trupin e Jezusit. Pilati dha leje. Atëherë Jozefi erdhi dhe e mori trupin e Jezusit. 39 Erdhi edhe Nikodemi ‑ ai që pati ardhur te Jezusi dikur më parë natën ‑ dhe solli reth njëqind libra mirrë e aloe të përzier. 40 E morën, pra, trupin e Jezusit dhe, siç është zakon të bëhet ndër judenj kur varroset dikush, e mbështollën në pëlhurë dhe e përeruan me erëra të mira. 41 Në atë vend ku Jezusi qe kryqëzuar ishte një kopsht e në kopsht ishte një varr i ri, në të cilin ende nuk ishte varrosur kush. 42 Aty, pra, për arsye të Përgatitjes së judenjve, meqenëse varri ishte afër, e shtinë në varr Jezusin.


Kur ne dëgjojmë njerëz të flasin për pasuri, ndere dhe kënaqësitë e botës, le të kujtojmë se të gjitha gjërat kanë një fund, dhe atëherë le të themi: “Zoti im, unë të dëshiroj vetëm Ty dhe asgjë më shumë.”

-- St. Alphonsus Liguori

Ky është Trupi Im, ky është Gjaku Im ‑ Gjaku i Besëlidhjes: E Djelë 13 Prill 2014

E Djela e Palmave

Leximi i parë: Isaia 50:4-7
Psalm: Psalm 22:8-9, 17-20, 23-24
Leximi i dytë: Filipianëve 2:6-11
Ungjilli: Mateu 26:14 - Mateu 27:66 ose Mateu 27:11-54



Leximi i parë: Isaia 50:4-7

Kënga e tretë mbi Shërbëtorin e Zotit

A. Shërbëtori flet

4 Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur
që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin.
Çdo mëngjes veshin ma zgjon
që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi.

5 Zoti Hyj ma hapi veshin,
s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa.

6 Shpinën ua solla atyre që më rrahnin,
mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrrën:
fytyrën time nuk e largova
nga të sharat e pështymat.

7 Zoti Hyj është ndihmëtari im,
këndej edhe s’jam i tronditur,
prandaj fytyrën time e bëra të fortë si shkëmbi
pse e di se s’do të mbetem i turpëruar.

Psalm: Psalm 22:8-9, 17-20, 23-24

8 Gjithkush më shikon, më përqesh,
shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:

9 “Shpresoi në Zotin: le ta lirojë,
le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”

17 Më rrethuan qen me shumicë,
turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah.
M’i shporuan duart e këmbët

18 mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi,
e këta më shikojnë e nuk m’i ndajnë sytë.

19 Petkat e mia ndër vete i ndajnë
e mbi petkun tim qesin short.

20 Por ti, o Zot, mos rri larg meje,
fuqia ime shpejto të më ndihmosh!

23 E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd,
do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:

24 “Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,
mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!
Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë

Leximi i dytë: Filipianëve 2:6-11

6 I cili, edhe pse me natyrë Hyj,
barazinë e vet me Të
nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

7 por ia mohoi vetvetes
e mori natyrën e shërbëtorit
dhe u bë i ngjashëm me njerëz
dhe, për kah pamja e jashtme,
dukej vetëm njeri.

8 E përuli vetveten
duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,
mu deri në vdekjen në kryq.

9 Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve
dhe i dha emrin që është mbi çdo emër

10 që në Emër të Jezusit
të përkulet çdo gju
i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

11 dhe çdo gjuhë të dëshmojë:
‘Jezu Krishti është Zot!’
Në nder të Hyjit Atë.

Ungjilli: Mateu 26:14 - Mateu 27:66

Juda bie në ujdi me kryepriftërinjtë për të tradhtuar Jezusin
(Mk 14, 10‑11; Lk 22, 3‑6)

14 Atëherë njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 

15 dhe u tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta. 

16 Që atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

Përgatitja e Darkës së Pashkëve
(Mk 14, 12‑21; Lk 22, 7‑14; 21‑23; Gjn 13, 21‑30)

17 Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën:
“Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?”

18 Ai u tha:
“Shkoni në qytet te filani dhe thuajini: Mësuesi thotë: koha ime është afër! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.”

19 Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve.

20 Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. 

21 Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” 

22 Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit:
“A mos jam unë, Zotëri?”

23 Ai iu përgjigj:
“Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë ‑ ai do të më tradhtojë. 

24 Po, Biri i njeriut patjetër po shkon siç është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!”

25 Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij:
“A mos jam unë, Mësues?”
“E the vetë!” ‑ iu përgjigj Jezusi.

Themelimi i Eukaristisë
(Mk 14, 22‑26; Lk 22, 15‑20; 1 Kor 11, 23‑25)

26 Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve të vet e tha:
“Merrni, hani: Ky është Trupi Im!”

27 Pastaj mori kelkun, u falënderua, ua dha e tha:
“Pini prej tij të gjithë, 

28 sepse ky është Gjaku Im ‑ Gjaku i Besëlidhjes ‑ që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve. 

29 Unë po ju them: që tani nuk do të pi më kësi fryti hardhie deri atë ditë, kur, bashkë me ju, do të pi ‑ një verë të re ‑ në Mbretërinë e Atit tim.”

30 Dhe, pasi kënduan himnin, dolën për të shkuar në Malin e Ullinjve.

Jezusi parakallëzon mohimin e Pjetrit
(Mk 14, 27‑31;Lk 22, 31‑34; Gjn 13, 36‑38)

31 Atëherë Jezusi u tha:
“Të gjithë ju sonte do ta humbni besimin në mua. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Do t’i bie bariut
e delet e tufës do të shpërndahen!’

32 Porse, kur të ngjallem, do të shkoj para jush në Galile.”

33 Atëherë Pjetri iu përgjigj:
Po qe se edhe të gjithë do ta bjerrin besimin në ty, unë assesi nuk do ta bjerr besimin në ty!”

34 Jezusi i tha:
“Për të vërtetë po të them: pikërisht sonte, para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh!”

35 Pjetri i tha:
Po edhe në qoftë se duhet të vdes bashkë me ty, nuk do të të mohoj!”
Kështu thanë edhe të gjithë nxënësit e tjerë.

Lutja në Gjetseman
(Mk 14, 32‑42; Lk 22, 39‑46)

36 Atëherë Jezusi mbërriti me nxënës në një kopsht, që quhej Gjetseman dhe u tha:
“Rrini këtu, derisa unë të shkoj atje e të lutem.”

37 Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut. Atëherë filloi të trishtohej e të ngushtohej.

38 E u tha:
“Shpirtin ma kaploi një trishtim që çon në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua!”

39 Pastaj u largua pakëz, ra me fytyrë për dhé e lutej: “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti.”

40 Dhe u kthye te nxënësit, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit:
“Si kështu, s’mundët të rrini zgjuar me mua as për një orë të vetme? 41 Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.”

42 Prapë shkoi të dytën herë e u lut:
“Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!”

43 U kthye përsëri dhe i gjeti fjetur, sepse gjumi ua kishte rënduar sytë. 

44 I la, prapë u largua dhe u lut edhe të tretën herë duke përsëritur të njëjtat fjalë.

45 Atëherë u kthye te nxënësit e u tha:
“Flini tashmë e pushoni! Ja, arriti ora, kur Biri i njeriut po u bie në dorë mëkatarëve. 

46 Ngrihuni të shkojmë! Ja, po afrohet tradhtari im!”

Jezusin e tradhton Juda dhe e kapin
(Mk 14, 43‑50; Lk 22, 47‑53; Gjn 18, 3‑12)

47 Ndërsa ai ende po fliste, ja, erdhi Juda ‑ njëri prej të Dymbëdhjetëve, e me të një turmë e madhe e armatosur me shpata e me shkopinj. E kishin dërguar kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. 

48 Tashti tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: “Ai që do të puth unë ‑ u kishte thënë ‑ ai është! Atë kapeni!” 

49Menjëherë iu afrua Jezusit e i tha: “Të falem, Mësues!” ‑ dhe e puthi. 

50 Jezui i tha: “Mik, kryej punën tënde!” Atëherë u afrua turma. Çuan dorë në Jezusin dhe e kapën.

51 Dhe ja, njëri prej atyre që ishin me Jezusin, çoi dorën, nxori shpatën e vet, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.

52 Atëherë Jezusi i tha:
“Ktheje shpatën tënde në vend të vet! Sepse të gjithë ata që kapen për shpate, prej shpatës edhe do të vdesin. 

53 A ndoshta ti kujton se unë nuk mund t’i lutem Atit tim dhe se Ai nuk kishte për të m’i dërguar menjëherë dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 

54 Mirëpo, si atëherë do të plotësoheshin fjalët e Shkrimit të shenjtë, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?”

55 Atëherë Jezusi iu drejtua turmës:
“Dolët me shpata e me shkopinj të më zini si të isha unë cub. E pra, ditë për ditë rrija me ju duke mësuar në Tempull, e nuk më kapët. 

56 Por, të gjitha këto ndodhën për të shkuar në vend Shkrimet e profetëve.”
Atëherë të gjithë nxënësit e lanë e ikën.

Jezusi para Këshillit të lartë (Sinedrit)
(Mk 14, 53‑65; Lk 22, 54‑55;63‑71; Gjn 18, 13‑14; 19‑24)

57 Tashti, ata që e kapën Jezusin, e çuan te kryeprifti Kajfë, ku ishin tubuar skribët e pleqtë. 

58 Pjetri e ndoqi prej së largu deri në oborr të kryepriftit. Hyri brenda dhe po rrinte me shërbëtorët për të parë si do të merrte fund puna.

59 Krerët e priftërinjve e tërë Këshilli i lartë kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezusit për ta vrarë. 

60 Por nuk gjetën, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rrejshëm. Në fund u paraqitën dy 

61 e thanë: “Ky njeri ka thënë: ‘Unë mund ta rrënoj Tempullin e Hyjit e mund ta ndërtoj rishtas për tri ditë.’”

62 Atëherë u çua kryeprifti e i tha: “Ti s’po përgjigjesh fare për sa këta po dëshmojnë kundër teje?”

63 Por Jezusi heshtte.
E kryeprifti i tha:
Po të përbej me Hyjin e gjallë, na thuaj, a je ti Mesia, Biri i Hyjit?”

64 Jezusi iu përgjigj:
“Ti the! E unë po ju them: Pas kësaj do ta shihni
Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e
të Gjithëpushtetshmit
dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.’”

65 Atëherë kryeprifti i shqeu petkat e veta e tha:
“Shau Hyjin! Ç’na duhen më dëshmitarët? Ja, pra, vetë e dëgjuat blasfeminë.

66 Ç’ju thotë mendja?”
“Meriton të vdesë!” ‑ iu përgjigjën ata.

67 Atëherë filluan ta pështyjnë në fytyrë, t’i bien grushta e disa të tjerë shuplaka 

68 dhe i thoshin: “Na trego, o Krisht, kush të ra?”

Pjetri mohon Krishtin
(Mk 14, 66‑72; Lk 22, 56‑62; Gjn 18, 15‑18; 25‑27)

69 Ndërkaq Pjetri rrinte përjashta, në oborr. Dhe ja, iu afrua një shërbëtore e i tha: “Edhe ti ishe me Jezu Galileasin.” 

70 Por ai, para të gjithëve, i ra mohit me këto fjalë: “Nuk di ç’po thua!” 

71 Dhe, ndërsa po i afrohej derës për të dalë jashtë, e vuri re një shërbëtore tjetër e u tha të pranishmëve: “Ky ishte me Jezu Nazarenin.” 

72 E ai prapë e mohoi me be: “As që e njoh atë njeri!”

73 Pakëz më vonë, u afruan ata që ishin aty e i thanë Pjetrit: “Vërtet, edhe ti qenke një prej tyre! Ja, edhe mënyra e të folurit tënd të zbulon!” 

74 Atëherë Pjetri ia nisi të lëshojë be e rrufe se nuk e njihte atë njeri. S’vonoi, këndoi gjeli! 

75 Atëherë Pjetrit i ra në mend fjala që ia pati thënë Jezusi: “Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më biesh mohit.”
Doli përjashta dhe qau me lot për faqe.

1 Kur zbardhi drita, të gjithë kryepriftërinjtë e Pleqësia e popullit u mblodhën në kuvend kundër Jezusit për ta dënuar me vdekje. 

2 E, pasi e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit të vendit.

Vdekja e Judës
(Vap 1, 18‑19)

3 Atëherë Juda ‑ ai që e tradhtoi, kur pa se e dënuan Jezusin, i brejtur nga ndërgjegjja, ua ktheu kryepriftërinjve e pleqve të popullit tridhjetë siklat e argjendta 

4 e tha:
“Mëkatova që dorëzova gjakun e pafaj!”
“Ç’na lypet neve! ‑ iu përgjigjën ata. ‑ Punë për ty!”

5 Juda i hodhi siklat e argjendta në Tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar.

6 Kryepriftërinjtë i mblodhën siklat e argjendta e thanë: “S’është e lejueshme të shtihen në arkë të Tempullit, sepse janë çmim gjaku.” 

7 Dhe, pasi u këshilluan, blenë me to arën e një vorbëtari për varreza të shtegtarëve. 

Prandaj ajo arë quhet deri më sot: ‘Ara e Gjakut’. 

9 Kështu shkoi në vend fjala e Jeremisë profet:
‘Morën tridhjetë sikla argjendi, çmimin e të Çmuarit, që e çmuan bijtë e Izraelit

10 dhe e shpenzuan për arën e vorbëtarit, sikurse më urdhëroi vetë Zoti.’

Pilati merr në pyetje Jezusin
(Mk 15, 2‑5; Lk 23, 3‑5; Gjn 18, 32‑38)

11 E qitën, pra, Jezusin para qeveritarit. Qeveritari e pyeti:
“A je ti mbreti i judenjve?”
Jezusi iu përgjigj:
“Vetë po thua!”

12 E ndërsa kryepriftërinjtë e pleqtë e paditnin, ‑ s’u përgjigj asnjë fjalë. 

13Atëherë e pyeti Pilati: “A nuk po dëgjon sa rëndë po dëshmojnë kundër teje?”

14 Jezusi nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që qeveritari u habit për së tepërmi.

Jezusin e dënojnë me vdekje
(Mk 15, 6‑15; Lk 23, 13‑25; Gjn 18, 39‑19, 16)

15 Për të kremten e Pashkëve qeveritari e kishte zakon t’ia falë popullit atë të burgosur, që populli kërkonte. 

16 Tashti, asohere, ishte i burgosur një njeri i përmendur për të keq, që quhej (Jezus) Baraba. 

17 Atëherë Pilati u tha atyre që ishin mbledhur aty: “Cilin dëshironi ta liroj: (Jezus) Barabën, apo Jezusin që quhet Krisht?” 

18 Sepse e dinte fare mirë se Jezu Krishtin e kishin dorëzuar prej smire.

19 Ndërsa qeveritari po rrinte në gjykatore, gruaja e tij e porositi: “Mos u përziej assesi në çështje të atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për shkak të tij.”

20 Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen popullit të kërkonte çlirimin e Barabës e Jezusin ta vriste. 

21 Atëherë qeveritari i pyeti: “Cilin ndër këta të dy doni t’jua liroj?”
“Barabën” ‑ iu përgjigjën ata.

22 E Pilati i pyeti:
“Ç’të bëj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?”
Të gjithë u përgjigjën:
“Të kryqëzohet!”

23 Por ai u tha:
“Ç’të keqe bëri?”
Por ata bërtitnin edhe më fort: “Të kryqëzohet!”

24 Kur Pilati pa se s’po arrinte asgjë e se pështjellimi shkonte duke u shtuar, mori ujë dhe, në sy të popullit, i lau duart duke thënë: “Unë jam i pafajshëm për këtë gjak! E heqshi ju!”

25 Mbarë populli tha:
“Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!”

26 Atëherë ua liroi Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dorëzoi të kryqëzohet.

Ushtarët e përqeshin Jezusin
(Mk 15, 16‑20; Gjn 19, 2‑3)

27 Atëherë ushtarët e qeveritarit e shtinë Jezusin në pallatin e qeveritarit dhe mblodhën rreth tij tërë kohortën. 

28 E zhveshën dhe i hodhën krahëve një mantel të kuq. 

29 Pastaj gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në kokë, ndërsa në dorën e djathtë i dhanë një kallam. Pastaj binin në gjunj para tij për ta vënë në lojë dhe i thoshin: “Të falemi, mbreti i judenjve!” 

30 e pështynin, ia morën kallamin e me të i binin kresë kokës. 

31 Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, e veshën me petkat e tij dhe e çuan për ta kryqëzuar.

Jezusin e kryqëzojnë
(Mk 15, 21‑32; Lk 23, 26‑43; Gjn 19, 17‑27)

32 E ndërsa po dilnin në rrugë, takuan një njeri nga Cirena që quhej Simon dhe e detyruan ta mbarte kryqin e tij.

33 Kur arritën në vendin e quajtur Golgotë ‑ d.m.th. Vendi i Kafkës ‑ 

34 i dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth e, pasi e kërkoi, s’deshi ta pijë.

35 Atëherë e gozhduan në kryq dhe me short i ndanë mes tyre petkat e tij. 

36Pastaj ndenjën dhe e ruanin. 

37 Mbi kokë ia vunë shkresën e arsyes së dënimit: “Ky është Jezusi, mbreti i judenjve.” 

38 Bashkë me të kryqëzuan dy cuba, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.

39 Kalimtarët, pastaj, e shanin duke luajtur me kokë në shpoti 

40 dhe thoshin: “Ti që e rrënon Tempullin e për tri ditë e rindërton, shpëto vetveten! Nëse je Biri i Hyjit, zbrit nga kryqi!” 

41 Po ashtu edhe kryepriftërinjtë me skribë e me pleq, duke e përqeshur, i thoshin:

42 “Të tjerët i shpëtoi, vetveten s’po mundet ta shpëtojë! Është mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani prej kryqit e do t’i besojmë! 

43 Ka shpresuar në Hyjin, le ta lirojë tani, nëse e do përnjëmend!’ Sepse vetë tha: ‘Jam Biri i Hyjit!’“

44 Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin të kryqëzuar me të.

Vdekja e Jezusit
(Mk 15, 33‑41; Lk 23; 44‑49; Gjn 19, 28‑30)

45 Që prej orës gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi mbarë tokën. 

46 Rreth orës nëntë, Jezusi klithi me zë të madh: “Eli, Eli! Lema sabakthani? ‑ që d.m.th: Hyji im, Hyji im! Përse hoqe dorë prej meje!” 

47 Disa prej të pranishmëve, kur dëgjuan, thanë: “Ky po thërret Elinë!”

48 Aty për aty u turr njëri prej tyre, mori një shpuzë, e zhyti në uthull, e vari në kallam e ia shtriu ta pinte. 

49 Të tjerët i thoshin: “Lëre të shohim pale a po vjen Elia për ta shpëtuar!”

50 E Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të madh e ‑ dha shpirt.

51 Dhe, ja, veli i Tempullit u shqye në dy pjesë, prej majës e deri në fund; toka u lëkund e shkëmbinjtë plasën, 

52 varret u hapën e u ngjallën shumë trupa të drejtësh që kishin vdekur. 

53 Pas ngjalljes së Jezusit dolën prej varreve, erdhën në Qytetin e shenjtë dhe iu dëftuan shumëkujt.

54 Një frikë e madhe e kapi centurionin dhe ata që bashkë me të po e ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, thanë: “Me të vërtetë ky paska qenë Biri i Hyjit!”

55 Aty ndodheshin e vërenin prej së largu shumë gra, të cilat Jezusin e kishin përcjellë që prej Galilesë dhe i kishin shërbyer. 

56 Ndër to ishte Maria Magdalenë, Maria nëna e Jakobit dhe e Jozefit edhe nëna e bijve të Zebedeut.

Jezusin e varrosin
(Mk, 15, 42‑47; Lk 23, 50‑56; Gjn 19, 38‑42)

57 Kur u bë natë, erdhi një pasanik nga Arimateja, që quhej Jozef. Ishte edhe ky nxënës i Jezusit. 

58 Jozefi shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit. Pilati urdhëroi t’i jepej trupi. 

59 Jozefi mori trupin, e mbështolli në pëlhurë të pastër

60 dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që e kishte çelur në shkëmb. Pastaj rrokullisi në derë një gur të madh dhe shkoi.

61 Aty ishin Maria Magdalenë edhe Maria tjetër; rrinin përballë varrit.

Roja e varrit të Jezusit

62 Të nesërmen, që ishte dita pas Përgatitjes ‑ u bashkuan kryepriftërinjtë e farisenjtë te Pilati 

63 dhe i thanë:
“Zotëri, na ra në mend se ai gënjeshtar, sa ishte ende gjallë, tha: ‘Pas tri ditësh do të ngjallem.’

64 Prandaj urdhëro të ruhet varri deri të tretën ditë, që të mos vijnë nxënësit e tij, ta vjedhin e t’i thonë popullit: ‘U ngjall së vdekuri.’ E gënjeshtra e fundit do të jetë më e zezë se e para.”

65 “Rojën e keni! ‑ u përgjigj Pilati ‑ Shkoni e merrni masat e sigurimit si jua merr mendja.”

66 Ata shkuan dhe e siguruan varrin: vulosën gurin dhe vunë rojën.




Të bekuar janë ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar. Ka këtu një referencë të veçantë për veten tonë; ne mbajnë në zemrat tona një që ne nuk e kemi parë në trup. Ne përfshihemi në këto fjalë, por vetëm po ta ndjekim besimin tonë me vepra të mira. Besimtari i vërtetë e praktikon çfarë ai beson. Por ata që i bëjnë besimit shërbim sa për të thënë, (Shën) Pauli ka këtë për të thënë: Ata pohojnë se e njohin Zotin, por ata e mohojnë Atë në veprat e tyre. Megjithatë (Shën) James thotë: Besimi pa vepra është i vdekur.

-- Shën.Gregori i Madh