Pages

Kini kripë në vetvete e jetoni në paqe me njëri-tjetrin! - E Enjte 27 Shkurt 2014

Leximi i parë: Jakobi 5:1-6
Psalm: Psalm 49:14-20
UNGJILLI: MARKU 9:41-50


Leximi i parë: Jakobi 5:1-6

1 Ku e latë, tani ju, o pasanikë! Qani dhe vajtoni për të këqijat që do të vijnë mbi ju! 

2 Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja. 

3 Ari dhe argjendi juaj u ndryshk dhe ndryshku i tyre do të bëhet dëshmi kundër jush dhe do ta hajë trupin tuaj porsi zjarri! Keni mbledhur visare për ditët e fundit!

4 Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që u korrën arat, bërtet dhe – ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së Ushtrive! 

5 Jetuat mbi tokë plot luks dhe u këndedhët në ëndje të ulëta, i ushqyet zemrat tuaja për ditën e therjes!

6 E dënuat, e vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshton.


Psalm: Psalm 49:14-20

14 I tillë është fati i atyre që shpresojnë në vetvete,
mbarimi i atyre që me gojë ia bëjnë qejfin vetes.

15 Porsi delet rresht zbresin në Nëntokë,
Vdekjen do ta kenë bari.
Do të zbresin me rrëmbim në varr,
dukja e tyre me shpejt do të mbarojë:
Nëntoka do të jetë vendbanimi i tyre.

16 Ndërsa Hyji do ta shpëtojë shpirtin tim,
nga kthetrat e Nëntokës vërtet do të më marrë te vetja.

17 Mos u tremb kur ndokush pasurohet,
kur i rritet gjëja e shtëpisë së tij:

18 kur të vdesë asgjë s’do të marrë me vete,
me të s’do të zbresë pasuria e tij.

19 Sa qe gjallë njëmend thuhej se qe i lum:
“Do të të lavdërojnë se ia bëre qejfin vetes”,

20 por edhe ai do të shkojë të bashkohet me etër,
të cilët kurrë më s’do ta shohin dritën e diellit.


UNGJILLI: MARKU 9:41-50

41 Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë sepse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet.”

Ngashënjimi në mëkat
(Mt 18, 6‑9; Lk 17, 1‑2)

42”Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë (në Mua) të mëkatojë, do t’ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det.

43 Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr ‑ në zjarr që s’fiket kurrë. 

[44]45 E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr. 

[46]47 Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr. 

48 Ku‘krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket.’

49 Vërtet, gjithkush do të kripet me zjarr.

50 Kripa është gjë e mirë, porse, po qe se kripa e humb njelmësinë e vet, me çka do të kripet? Kini kripë në vetvete e jetoni në paqe me njëri-tjetrin!”



Shkoni në humnerë, ju dëshirat e liga! Unë do t'ju fundos ju se përndryshe do të fundosem vetë!

-- Shën. Jerome 


Kush nuk është kundër nesh, është me ne - E Mërkurë 26 Shkurt 2014

Leximi i parë: Jakobi 4:13-17
Psalm: Psalm 49:2-3, 6-11
UNGJILLI: MARKU 9:38-40



Leximi i parë: Jakobi 4:13-17

Qortimi rreth vetëlavdërimit

13 Hë pra, ju që thoni: "Sot ose nesër do të shkojmë në këtë apo në atë qytet, do të kalojmë atje një vit, do të tregtojmë e do të fitojmë", 

14 ju që nuk dini as çka do të ndodhë nesër! Po çka është jeta juaj? Është avull që duket për një moment dhe zhduket menjëherë! 

15 Në vend që të thoni: "Në dashtë Zoti do të jetojmë dhe do të bëjmë këtë ose atë gjë!"

16 E tani mburreni me krenarinë tuaj. Çdo mburrje e tillë është punë e keqe. 

17 Kush, pra, di të bëjë mirë dhe nuk bën, - bën mëkat. 


Psalm: Psalm 49:2-3, 6-11

2 Dëgjoni këto, o popuj të gjithë,
dëgjoni të gjithë banorët e tokës:

3 vegjëli e bujarë,
të pasur e të vobektë së bashku:

6 Përse të trembem në ditë të këqija,
kur të më rrethojë paudhësia që më vë pritë?

7 Ata shpresojnë në pasuritë e veta
mburren me kamjen e madhe të veten.

8 E pra, njeriu s’është i zoti ta shpërblejë vetveten,
askush s’mund t’ia paguajë Hyjit shpërblimin:

9 çmimi i jetës është tepër i shtrenjtë
dhe askurrë nuk mund të paguhet,

10 që njeriu të jetojë gjithmonë
e të mos e shohë gropën e varrit.

11 Por do t’i shohë duke vdekur të dijshmit:
vdes i marri, vdes i patenzoni:
të tjerëve ua lënë pasuritë e veta!


UNGJILLI: MARKU 9:38-40

Kush nuk është kundër nesh, është me ne
(Lk 9, 49‑50)

38 Gjoni i tha:
“Mësues, pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emrin tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.”

39 Jezusi i tha:
“Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mbrekulli në Emrin Tim e menjëherë pastaj të flasë keq për Mua.  

40 Kush nuk është kundër nesh, është me ne.




Gjithkush argumenton në favor të virtytit që ai e praktikon me lehtësi, dhe i egzagjeron vështirësitë e virtyteve që janë në kundërshtim me atë.

-- Shën. Francis de Sales, ‘Dashuria e Zotit’


Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve - E Martë 25 Shkurt 2014

Leximi i parë: Jakobi 4:1-10
Psalm: Psalm 55:7-11, 23
UNGJILLI: MARKU 9:30-37


Leximi i parë: Jakobi 4:1-10

1 Nga vijnë ngatërresat dhe grindjet që vlojnë ndër ju? A thua jo këndej: nga lakmimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja? 

2 Dëshironi e nuk keni; vritni e keni smirë, dhe gjë nuk fitoni; grindeni e luftoni. Nuk keni sepse nuk luteni. 

3 Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja.

4 Njerëz të pabesë! A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Hyjin? Kushdo, prandaj, do të jetë mik me botën, shndërrohet në armik me Hyjin. 

5 Apo ndoshta mendoni se Shkrimi i shenjtë thotë kot: »Me xhelozi e dëshiron shpirtin që e vendosi në ne?«

6 Por Ai jep hir edhe më të madh, prandaj thotë: »Hyji u kundërshton krenarëve, kurse të përvujtëve përvuajturve u jep hirin. 

7 Nënshtrohuni, pra, Hyjit! Kundërshtojini djallit dhe do të largohet prej jush! 

8 Afrohuni Hyjit edhe Ai do t’iu afrohet juve! Pastroni duart, o mëkatarë! Pastroni zemrat, o njerëz dy mendjesh! 

9 Ofshani, vajtoni, bëni gjëmë! Gëzimi juaj le të kthehet në trishtim! 

10 Përuluni para Hyjit dhe Ai do t’iu lartësojë!


Psalm: Psalm 55:7-11, 23

7 Thashë: “Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit
për të fluturuar e për të gjetur pushim?

8 Larg, larg do të fluturoja,
në shkretëtirë do të banoja.

9 Do ta prisja atë që më shpëton
nga furia e erës dhe e stuhisë”.

10 Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët,
sepse shoh dhunë e grindje në qytet.

11 Ditën, natën qarkullojnë mbi mure,

23 Lëshoja kujdesin tënd Zotit
e Ai do të të japë fuqi:
kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti.


UNGJILLI: MARKU 9:30-37

Jezusi përsëri paralajmëron vdekjen dhe ngjalljen e vet
(Mt 17, 22‑23; Lk 9, 43b‑45)

30 Si u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile, por nuk donte ta dinte kush, 

31sepse i mësonte nxënësit e vet.
U thoshte:
“Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh”

32 Ata nuk e morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesinin.

Kush është më i madhi
(Mt 18, 1‑5; Lk 9, 46‑48)

33 Arritën në Kafarnaum. Si hyri në shtëpi, i pyeti:
“Mbi çfarë biseduat rrugës?”

34 Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi. 

35 Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha:
Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.”

36 Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në mes të tyre, e pëqafoi dhe u tha:

37 Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin Tim, më pranon Mua; e kush më pranon Mua, nuk më pranon Mua, por Atë që më dërgoi Mua.”




Ata që jetuan sipas urdhërit të vjetër të gjërave kanë arritur një shpresë të re, ku nuk e mbajnë më të Sabatin, por Ditën e Zotit, në të cilën jeta jonë është e bekuar prej Tij dhe prej vdekjes së Tij.

-- Shën. Ignatius i Antiokës


Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? - E Djelë 23 Shkurt 2014

Leximi i parë: Levitiku 19:1-2, 17-18
Psalm: Psalm 103:1-4, 8, 10, 12-13
Leximi i dytë: 1 e Korintasve 3:16-23
UNGJILLI: MATEU 5:38-48


Leximi i parë: Levitiku 19:1-2, 17-18

1 Zoti foli me Moisiun e tha:

2 “Fol me mbarë bashkësinë izraelase e thuaju:
Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj!

17 Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendasin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij. 

18 Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti.

Psalm: Psalm 103:1-4, 8, 10, 12-13

Hyji është dashuri

1 I Davidit.
Bekoje, shpirti im Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

2 Bekoje, shpirti im Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tija.

3 Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,
Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

4 Ai ta shpëton jetën prej varrit,
ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,

8 Zoti është i mirë e i mëshirshëm,
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

10 Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona
as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

12 Sa është lindja larg perëndimit
aq larg i hedh prej nesh fajet tona.

13 Sikurse baba ka dhimbje për fëmijët e vet,
ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.


Leximi i dytë: 1 e Korintasve 3:16-23

16 Po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju?

17 Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë ‑ e ky Tempull jeni ju!

18 Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. 

19 Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre.’

20 dhe përsëri:
‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve,
e di se janë të kota.’

21 Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: 

22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja! Gjithçka është juaja, 

23 ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit!


UNGJILLI: MATEU 5:38-48

Mësimi mbi hakmarrjen
(Lk 6, 29‑30)

38 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb’. 

39 Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. 

40 Atij që do të të qesë në gjyq për të të marrë këmishën, jepja edhe pallton. 

41 E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy; 

42 atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.”

Dashuria ndaj armiqve
(Lk 6, 27‑28, 32‑36)

43 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd.

44 E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, 

45 për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët. 

46 Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? 

47 E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?

48 Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”



Arsyeja e dobët njerëzore, kur beson në vetvete, zëvendëson absurditetet më të çuditshme për konceptet më të larta hyjnore.


-- Shën. Gjon Krisostom

Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën Time - E Shtunë 22 Shkurt 2014

Froni i Shën Pjetrit, Apostull (Festa)

Leximi i parë: 1 e Pjetrit 5:1-4
Psalm: Psalm 23:1-6
UGJILLI: MATEU 16:13-19


Leximi i parë: 1 e Pjetrit 5:1-4

1 Eprorëve, pra, që janë tek ju u jap vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta, dëshmitar i mundimeve të Krishtit dhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: 

2 ruajeni grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyreni jo përdhuni, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, 

3 jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. 

4 E kur të shfaqet Kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.

Psalm: Psalm 23:1-6

Bariu i mirë

1 Psalm. I Davidit.
Zoti është bariu im,
asgjë nuk më mungon.

2 Më pushon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta,

3 shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.

4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.

5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kokën ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.

6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.

UGJILLI: MATEU 16:13-19

Dëshmimi i Pjetrit mbi Jezusin
(Mk 8, 27‑30; Lk 9, 18‑21)

13 “Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet:
“Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”

14 Ata u përgjigjën:
“Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.”

15 Po ju ‑ u tha atyre ‑ ç’thoni: kush jam unë?”

16 Iu përgjigj Simon Pjetri:
Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!”

17 Atëherë Jezusi i tha:
I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! 

18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën Time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!

19 Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”



Kushdo që angazhohet me punën për Krishtin nuk mund të presi të ketë një moment të lirë, sepse madje të pushoj nuk do të thotë të mos bëj asgjë: ajo është të qetësohet me veprimet që kërkojnë më pak mundim.

-- Shën. Jose Maria Escriva


Shërimi i të verbërit prej Betsaidës - E Mërkurë 19 Shkurt 2014

Leximi i parë: Jakobi 1:19-27
Psalm: Psalm 15:2-5
UNGJILLI: MARKU 8:22-26


Leximi i parë: Jakobi 1:19-27

Të dëgjohet dhe të zbatohet fjala

19 Dijeni mirë, vëllezërit e mi të dashur, këtë gjë: çdo njeri le të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur dhe i ngadalshëm për zemërim. 

20 Sepse zemërimi i njeriut nuk e kryen drejtësinë e Hyjit. 

21 Prandaj, flakni tej çdo ndyrësi dhe çdo të keqe tjetër e me plot butësi pranoni fjalën e mbjellë në ju, e cila është e aftë t’i shpëtojë shpritrat tuaj.

22 Bëhuni zbatues të fjalës e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten. 

23 Sepse, në qoftë se dikush e dëgjon fjalën, por nuk e zbaton, ai i përngjan njeriut që e shikon fytyrën e vet në pasqyrë: 

24 e pa veten, shkoi e menjëherë harroi se si qe. 

25 Ndërsa ai që e vëren ligjin e përsosur - atë të lirisë – e, në qoftë se i përvishet jo thjesht si dëgjues i habitur, por si zbatues i veprës, ky do ta gjejë lumturinë e vet në ushtrimin e tij.

26 Në qoftë se ndokush e mban veten për besimtar e nuk i vë fre gjuhës së vet, por e gënjen zemrën e vet, besimi i tij është i kotë. 

27 Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për jetimët dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë.


Psalm: Psalm 15:2-5

2 Vetëm ai që jeton me nder,
që vepron me drejtësi
e prej zemrës flet të vërtetën,

3 që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton,
që shokun nuk e çnderon:

4 ai që keqbërësin e mban për asgjë
e i çmon ata që e druajnë Zotin,
ai që i përbehet dashamirit të vet
dhe ia mban fjalën,

5 nuk jep të holla me kamatë
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu
kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.


UNGJILLI: MARKU 8:22-26

Shërimi i të verbërit prej Betsaidës

22 Dhe arritën në Betsaidë. Aty i sollën një të verbër dhe iu lutën ta prekte. 

23 Ai e mori për dore të verbërin, e nxorri jashtë fshatit, i pështyu në sy, vuri duart mbi të dhe i tha: “A sheh gjë?”

24 Ai i hapi sytë dhe tha:
Po shoh njerëz... më duken si drurë... ecin.”

25 Pastaj Jezusi prapë i vuri duart mbi sytë e të verbërit. I verbëri pa qartë. U shërua. Shihte mirë, gjithçka. 

26 Jezusi e nisi të shkojë në shtëpi e i tha: “Mos hyr assesi në fshat!”




Me ata që janë të përkryer dhe që ecin me thjeshtësi, nuk ka asgjë të vogël dhe të pahijshme, nëse ajo është një gjë që e kënaq Zotin; sepse kënaqësia e Zotit është i vetmi objekt tek i cili ata synojnë, dhe që është arsyeja, vlerësimi dhe shpërblimi i të gjitha punëve, veprimeve dhe planeve të tyre; dhe prandaj, në gjithçka që ata e gjejnë këtë, ajo është për ta një gjë e madhe dhe e rëndësishme.

-- Shën. Alfonsus Rodriguez