Pages

Feja jote të shpëtoi - E Enjte 28 Nentor 2013

Leximi i parë: 1 e Korintasve 1:3-9
Psalm: Psalm 138:1-5
UNGJILLI: LUKA 17:11-19



Leximi i parë: 1 e Korintasve 1:3-9

3 Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht!

4 Përherë i faleminderit Hyjit tim për ju që ju dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, 

sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka ‑ në çdo fjalë e në çdo dije. 

Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, 

sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni Zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit. 

Por edhe Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në Ditën e Zotit tonë Jezusit (Krisht). 

Besnik është Hyji që ju thirri në shoqërinë e Birit të vet, Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Psalm: Psalm 138:1-5

Himn falënderimi

1 I Davidit.
Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,

2 adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde,
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.

3 Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.

4 Do të të lavdërojnë, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës
sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.

5 Do t’i këndojnë udhët e Zotit,
sepse e madhe është lavdia e Zotit;


UNGJILLI: LUKA 17:11-19

Shërimi i dhjetë të gërbulurve

11 Duke udhëtuar për Jerusalem, Ai kaloi nëpër Samari e Galile. 

12 Kur hyri në një fshat [i] dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg 

13 e filluan të bërtasin: “Jezus, Mësues, ki mëshirë për ne!”

14 Kur i pa u tha: “Shkoni e paraqitjuni priftërinjve!”
E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.

15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh lartë. 

16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe e falënderoi. E ky ishte samaritanas. 

17 Jezusi mori fjalën e tha: Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë të tjerët? 

18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? 

19 Çohu e shko ‑ i tha ‑ feja jote të shpëtoi!”



Nëse jam i denjë për një favor të tillë nga Zoti, unë do të kërkoja që Ai të më dhuronte mua këtë mbrekulli të vetme: që me hirin e Tij Ai të mund të më bënte mua një njeri të mirë.

-- Shën Ansgar


Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të Emrit Tim - E Merkure 27 Nentor 2013

Leximi i parë: Danieli 5:1-6, 13-14, 16-17, 23-28
Psalm: Danieli 3:62-67
UNGJILLI: LUKA 21:12-19


Leximi i parë: Danieli 5:1-6, 13-14, 16-17, 23-28

1 Mbreti Baltazar u bëri një gosti të madhe një mijë bujarëve të vet e bashkë me ta u dha të pijë verë. 

2 Baltazari i dehur dha urdhër të sillen enët e arta e të argjendta, që i kishte marrë babai i tij Nabukodonozori prej Tempullit të Jerusalemit që të pinte me to mbreti, bujarët e tij, gratë dhe shemrat e tij.

3 Atëherë i sollën enët e arta që kishin qenë marrë nga Tempulli i Jerusalemit. Pinë me to mbreti, bujarët e tij, gratë e shemrat e tij: 

4 pinin verë e lavdëronin zotat e vet të artë, të argjendtë, të bronztë, të hekurt, të drunjtë e të gurtë.

5 Atëherë u dukën gishtat e dorës së njeriut dhe shkruan përballë pishtarit të madh në mur të pallatit të mbretit. Mbreti i shihte mirë gishtat e dorës së shkruesit. 

6 Mbretit iu zverdh fytyra, mendimet e trazuan, gjymtyrët e ijëve të tij e lëshuan e gjunjët filluan t’i përplasen për njëri‑tjetrin.

Danieli para mbretit

13 Kështu, pra, e futën Danielin te mbreti. Mbreti i tha Danielit: “A je ti ai Danieli nga bijtë e shpërngulur të Judës, të cilin e solli im atë nga Juda? 

14 Dëgjova se ti ke shpirtin e zotave dhe se është gjetur në ty një dije, kuptim e urti e madhe.

16 E unë dëgjova për ty se mundesh t’i shtjellosh të fshehtat e t’i zhvillosh gjëegjëzat: nëse, pra, mundesh ta lexosh shkrimin e të ma dëftosh vështrimin e tij, do të vishesh me purpur e rreth qafe do të të vë një varg të artë dhe do të jesh princi i tretë në mbretërinë time.”

17 Danieli iu përgjigj mbretit e i tha: “Dhuratat e tua lëri për vete e dhuntitë e tua jepja një tjetri. Unë shkrimin do ta lexoj, o mbret, dhe do ta dëftoj vështrimin e tij.

23 por e lartësove vetveten përmbi Hyjin e Qiellit, urdhërove të sillen te ti enët e Tempullit të tij dhe ti e bujarët e tu, gratë e tua e shemrat e tua, pitë verë me to, madje ju edhe i lavdëruat edhe hyjnitë e argjendta, të arta, të bronzta, të hekurta, të drunjta e të gurta që s’shohin as s’dëgjojnë as s’kanë ndjenja, kurse nuk i dhatë lavdi Hyjit që në dorën e vet e ka frymën tënde dhe të gjitha udhët e tua. 

24 Ai, pra, e dërgoi këtë dorë që e shkroi këtë shkrim.

25 Dhe, ja, çka shkruan: mane, thecel, upharsin. 

26 Ky është veshtrimi i fjalëve: 
     mane ‑ Hyji e ka peshuar mbretërinë tënde dhe i dha fund; 

27 thecel ‑ u peshove në peshore dhe u gjete i papeshë; 

28 fares ‑ u nda mbretëria jote dhe iu dha medëve e persianëve.”


Psalm: Danieli 3:62-67

62 Diell e hënë, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
63 Yjet e qiellit, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
64 Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
65 Të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
66 Zjarr e vapë, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
67 Acar e vapë, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e bekojeni në shekuj!


UNGJILLI: LUKA 21:12-19

12 Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të Emrit Tim. 

13 Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.

14 Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, 

15sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. 

16 Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin.

17 Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. 

18 Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! 

19 Me qendresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj.”


Ruajuni të mos ju gënjejnë - E Marte 26 Nentor 2013

Leximi i parë: Danieli 2:31-45
Psalm: Danieli 3:57-61
UNGJILLI: LUKA 21:5-11


Leximi i parë: Danieli 2:31-45

31 Prandaj, gjithçka çove mbi ne e gjithçka na bëre,
na e bëre plotësisht me të drejtë!

32 Na lëshove në duar të armiqve tanë keqbërësve, kryekëcyerve më të
mbrapshtë, në duar të një mbreti të padrejtë, më të ziut që ishte mbi tokë.

33 Tani as që guxojmë ta hapim gojën: turpi e marrja i mbuloi ata
që të shërbejnë e të adhurojnë ty.

34 Oh, mos na lër përgjithmonë ‑ pashë emrin tënd ‑
e mos e prish besëlidhjen tënde;

35 as mos e tërhiq mëshirën tënde prej nesh, pashë Abrahamin, të dashurin tënd, pashë Izakun, shërbëtorin tënd, e pashë Izraelin, shenjtin tënd,

36 të cilëve iu zotove se do t’ua shumosh farën porsi yjet e qiellit
e porsi rërën që është në bregun e detit,

37 sepse, o Zot, jemi pak’suar më shumë se të gjithë popujt,
të përvujtëruar kudo mbi mbarë tokën në ditën e sotme për shkak të mëkateve tona!

38 Ne në këtë kohë nuk kemi princ as profet as prijës,
fli shkrumbimi, therore, as kushtime as kem,
as vend ku të t’kushtojmë ty flitë e fryteve të para
që të mund të gjejmë mëshirë.

39 Por na prano me shpirt të përgrirë e të përvujtëruar në shpirt,
porsi fli shkrumbimi deshësh e mëzetërish

40 porsi mijëra qengja të majmë e tillë le të jetë flia jonë para teje sot
e përsosna ne që të vemi pas teje sepse s’do të turpërohen
ata që shpresën e kanë vënë në ty.

41 Tani do të vemi pas teje me gjithë zemër,
ty do të të nderojmë, fytyrën tënde do të kërkojmë.

42 Mos na turpëro, por sillu me ne sipas butësisë sate
e sipas madhësisë së mëshirës sate.

43 Na shpëto me mrekullitë e tua lavdi jepi emrit tënd, o Zot!

44 Të turpëruar le të mbesin të gjithë ata që duan të keqen e shërbëtorëve të tu, u turpërofshin e mbetshin pa farë pushteti, iu theftë hovi, pa fuqi mbetshin!

45 Le ta dinë se ti je Zot, Hyj i vetëm, në mbarë botën i lavdishëm.”


Psalm: Danieli 3:57-61

57 Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin,
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!

58 Bekojeni, o qiej, Zotin,
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!

59 Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

60 Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

61 Të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin,
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!


UNGJILLI: LUKA 21:5-11

Jezusi paralajmëron rrënimin e Tempullit
(Mt 24, 1‑2; Mk 13, 1‑2)

5 Kur disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha:

6 “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.”

Shenjat dhe salvimet
(Mt 24, 3‑14; Mk 13, 3‑13)

7 E pyetën:
“Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”

8 “Ruajuni ‑ iu përgjigj ‑ të mos ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! 

9 E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.”

10 Atëherë u tha:
“Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, 

11 do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

Leximet e marra nga: http://www.bibla.net/



Nëse ju nuk keni bërë asgjë, apo nëse ajo që keni bërë ka qënë pa fryt sepse u bë për motive njerëzore, filloni menjëherë të bëni punë të mira që në vdekjen tuaj të jeni në gjëndje t’i ofroni di­çka Jezu Krishtit me qëllim që Ai të mund t’ju japi jetën e përjetshme.

-- Shën Gjohn Vjanney


Ajo nxorri prej skamjes së vet gjithçka pati për jetesë - E Hene 25 Nentor 2013

Leximi i parë: Danieli 1:1-6, 8-20
Psalm: Danieli 3:52-56
UNGJILLI: LUKA 21:1-4


Leximi i parë: Danieli 1:1-6, 8-20

1 Në të tretin vit të mbretërimit të Joakimit, mbretit të Judës, erdhi Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, në Jerusalem dhe e rrethoi. 

2 Zoti ia la në dorë Joakimin, mbretin e Judës, dhe një pjesë të enëve të Shtëpisë së Hyjit. Ky i mbarti ato në tokën Senaar, në tempullin e hyjnive të veta dhe i vendosi në thesaret e shtëpisë së hyjnive të veta.

3 Mbreti e urdhëroi Asfanazin, kryetarin e oborrtarëve të vet, që t’i sjellë prej bijve të Izraelit, nga dera mbretërore e bujarë 

4 disa djelmosha pa të meta, të hijshëm për kah pashia e të pajisur me të gjitha dijet, të mësuar mirë e të edukuar mirë: të tillë që të mund të qëndrojnë në pallatin e mbretit me qëllim që të mësonin shkrimin dhe gjuhën e kaldenjve.

5 Mbreti u caktoi sasinë ushqimore për çdo ditë nga ushqimet e vera që pinte vetë. Do të edukoheshin për tre vjet e pastaj do të kishin për të dalë para mbretit. 

6 Ndër ta nga bijtë e Judës ishin: Danieli, Anania, Mizaeli dhe Azaria.

Besnikëria e Danielit ndaj Ligjit

8 Por Danieli vendosi në zemrën e vet të mos përdhoset me ushqime nga tryeza e mbretit as me verë të pijeve të tij dhe me lutje iu drejtua kryetarit të oborrtarëve që të mos ndotej. 

9 Zoti bëri që Danieli të gjente hir e mëshirë në sytë e kryetarit të oborrtarëve 

10 dhe atëherë kryetari i oborrtarëve i tha Danielit: “E kam frikë zotërinë tim, mbretin, i cili iu caktoi ushqimin dhe pijen e në qoftë se e heton se jeni më të thatë në fytyrë se djelmoshat e tjerë të moshës suaj, atëherë ju do të jeni shkaku i dënimit tim para mbretit.” 

11 Por Danieli i tha rojtarit që kryetari i oborrtarëve ua kishte caktuar Danielit, Ananisë, Mizaelit e Azarisë: 

12 ”Na vër në provë, po të lutem, ne shërbëtorët e tu, për dhjetë ditë e na jepni për ushqim barishte e për pije ujë, 

13 atëherë shiko fytyrat tona e fytyrat e djelmoshave që ushqehen me ushqime të mbretit dhe bëj me shërbëtorët e tu sipas asaj që të kesh parë.”

14 Ai e pranoi këtë kërkesë dhe i vuri në provë për dhjetë ditë. 

15 Pas dhjetë ditësh fytyra e tyre ishte më e mirë dhe më e plotë se e të gjithë djelmoshave që ushqeheshin me shujtën mbretërore. 

16 Që atë ditë rojtari ua hoqi ushqimet dhe verën për pije të tyre dhe u jepte perime.

Në shërbim të mbretit

17 Këtyre katër djelmoshave Hyji u dhuroi dije e kuptim në çdo shkrim dhe dituri, kurse Danielit i dhuroi edhe dijen e të gjitha vegimeve e të ëndrrave.

18 Si u plotësuan ditët e caktuara prej mbretit, pas të cilave djelmoshat duheshin të nxirreshin para mbretit, kryetari i oborrtarëve i paraqiti para Nabukodonozorit. 

19 Pasi mbreti foli me ta, prej të gjithëve nuk u gjetën të tillë si Danieli, Anania, Mizaeli e Azaria: të cilët mbetën në shërbimin e mbretit. 

20 Në çdo çështje urtie e dijeje, për të cilat u bëri pyetje, mbreti gjeti se ata ishin dhjetë herë më të aftë se të gjithë magjistarët e astrologët që ishin në mbarë mbretërinë e tij.

Psalm: Danieli 3:52-56

52 “I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë,
i lavdishëm e tejet i lartësishëm në shekuj! I bekuar emri shenjt i lavdisë sate, tejet i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj!

53 I bekuar je në Tempullin e lavdisë sate të shenjtë,
tejet i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj!

54 I bekuar je në fronin e mbretërisë sate,
tejet i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj!

55 I bekuar je, ti që shqyrton humnerat
e që rri mbi kerubinë,
i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj!

56 I bekuar je në kupën qiellore,
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!


UNGJILLI: LUKA 21:1-4

1 Jezusi shikoi dhe pa se si të pasurit po hidhnin dhuratat e veta në arkëzën e lëmoshës. 

2 Pa edhe një grua të vejë, skamnore që hodhi dy lepta 

3 dhe tha:
“Për të vërtetë, po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë.

4 Sepse të gjithë të tjerët qitën ndër dhurata aq sa u tepron prej pasurisë, kurse ajo qiti prej skamjes së vet gjithçka pati për jetesë.”





Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus ... - E Djele 24 Nentor 2013

Leximi i parë: 2 i Samuelit 5:1-3
Psalm: Psalm 122:1-5
Leximi i dytë: Kolosianëve1:12-20
UNGJILLI: LUKA 23:35-43


Leximi i parë: 2 i Samuelit 5:1-3

1 Atëherë erdhën të gjitha fiset e Izraelit te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ja, ne jemi ashti yt dhe mishi yt. 

2 Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje të gjitha lëvizjet e Izraelit. Edhe Zoti të ka thënë: ‘Ti do ta kullotësh popullin tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin’”.

3 Po ashtu erdhën edhe të gjithë pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin.


Psalm: Psalm 122:1-5

1 Këngë shtegtimi. E Davidit.

Seç u gëzova kur më thanë:
“Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!”

2 Ja, tashmë këmbët tona shkelën
në dyert e tua, o Jerusalem!

3 O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri,
thuaj se i tëri një cope e vetme je!

4 Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,
sipas rregullores në Izrael
për të kremtuar Emrin e Zotit.

5 Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,
selitë e shtëpisë së Davidit!


Leximi i dytë: Kolosianëve1:12-20

12 Ta falenderoni Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

13 Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,

14 në të cilin kemi shpërblimin ‑ faljen e mëkateve.

15 Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i Parëlinduri ‑ para çdo krijese.

16 Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet:
qoftë Fronet, qoftë Zotërimet, qoftë Principatat, qoftë Pushtetet ‑ gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të.

17 Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të.

18 Ai është Kryet e Trupit ‑ Kishës; Ai është Fillimi, i Parëlinduri ndër të vdekurit ‑ që të jetë në gjithçka i Pari.

19 Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë Plotësia dhe, me anë të Tij,

20 ‑ duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit [të Tij] ‑ të pajtojë me vete gjithçka qoftë në tokë qoftë në qiell.


UNGJILLI: LUKA 23:35-43

35 Populli rrinte aty e ‘kundronte’. Anëtarët e Këshillit të Lartë e ‘përqeshnin’ duke thënë:
“Të tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit ‑‘I zgjedhuri’!”

36 Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull 

37 dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!”

38 Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.”

39 Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente:
Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!”

40 Por ai tjetri e qortoi shokun:
“As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? 

41 Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky ‑ ky s’bëri asnjë të keqe!”

42 Dhe tha:
“Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!”

43 E Jezusi i tha:
“Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”



Ti nuk e dije kohën kur do të bëhej vizitë - E Enjte 21 Nentor 2013

Psalm: Psalm 50:1-2, 5-6, 14-15
UNGJILLI: LUKA 19:41-44


Psalm: Psalm 50:1-2, 5-6, 14-15

1 Psalm. I Asafit.
Flet Zoti, Hyji i hyjnive
dhe e thërret tokën
që ku lind dielli e deri ku perëndon.

2 Nga Sioni, shkëlqim bukurie,
Hyji ndriçon!

5 “Bashkoni para meje besimtarët e mi,
që me fli lidhën Besëlidhjen me mua”!

6 Qiejt shpallin drejtësinë e tij
sepse Hyji është gjykatës!

14 Kushtoji Hyjit fli falenderimi
dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,

15 e më thirr në ditën e travajit:
unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë”!


UNGJILLI: LUKA 19:41-44

41 Kur u afrua dhe e pa qytetin, qau mbi të 

42 e tha: “O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen! Por tashti është e fshehur për sytë e tu! 

43 E do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të të rrethojnë me llogore, do të bëjnë rrethim e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. 

44 Do të të përplasin për tokë ty e fëmijët e tu në ty dhe s’do të lënë në ty as gur mbi gur, sepse ti nuk e dije kohën kur do të bëhej vizitë.”



Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! 

-- Mateu 25: 34