Pages

Egjra do te digjet, por gruri do te ruhet - E Shtune 27 Korrik 2013

Leximi i parë: Eksodi 24:3-8
Psalm: Psalm 50:1-2, 5-6, 14-15
UNGJILLI: Mateu 13:24-30


Leximi i parë: Eksodi 24:3-8

3. Atëherë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: "Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë".

4. Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit; pastaj u ngrit herët në mëngjes dhe ngriti në këmbët e malit një altar dhe dymbëdhjetë shtylla për të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

5. Pastaj dërgoi bij të rinj të Izraelit për të ofruar olokauste dhe për të flijuar dema të rinj si theror falënderimi ndaj Zotit.

6. Dhe Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në legenë; dhe gjysmën tjetër të gjakut e shpërndau mbi altar.

7. Pastaj mori librin e besëlidhjes dhe ia lexoi popullit, i cili tha: "Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t`i bindemi".

8. Pastaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: "Ja gjaku i besëlidhjes që Zoti ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve".


Psalm: Psalm 50:1-2, 5-6, 14-15

1. Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.

2. Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.

5. dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".

6. Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)

14. Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.

15. Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".


UNGJILLI: Mateu 13:24-30

24. Ai u propozoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër: ``Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet.

25. Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku.

26. Kur më pas gruri u rrit dhe jepte fryt u duk edhe egjra.

27. Dhe shërbëtorët e padronit të shtëpisë iu afruan atij dhe i thanë: "Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra?

28. Dhe ai u tha atyre: "Këtë e ka bërë armiku". Atëherë shërbëtorët i thanë: "A do ti të shkojmë e ta shkulim?".

29. Por ai tha: "Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të, do të shkulni edhe grurin.

30. I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t`u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim"``.


Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer - E Enjte 25 Korrik 2013

Leximi i parë: 2 e Korintasve 4:7-15
Psalm: Psalm 126:1-6
UNGJILLI: Mateu 20:20-28


Leximi i parë: 2 e Korintasve 4:7-15

7. Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne.

8. Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuarderi në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar;

9. jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar;

10. kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë.

11. Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për Jezusin, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm.

12. Dhe kështu tek ne vepron vdekja, ndërsa në ju jeta.

13. Por, duke pasur të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: ``Unë besova, prandaj fola``, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim,

14. duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit dhe do të na paraqesë bashkë me ju.

15. Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave, të prodhojë falenderim me tepri për lavdi të Zotit.


Psalm: Psalm 126:1-6

1. Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.

2. Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".

3. Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.

4. Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.

5. Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.

6. Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.


UNGJILLI: Mateu 20:20-28

20. Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka.

21. Dhe ai i tha: ``Çfarë do?``. Ajo u përgjigj: ``Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde``.

22. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: ``Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: ``Po, mundemi``.

23. Atëherë ai u tha atyre: ``Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati Im``.

24. Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.

25. Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: ``Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,

26. por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;

27. dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.

28. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.


Fara që ra në tokë të mirë, dha fryt - E Merkure 24 Korrik 2013

Leximi i parë: Eksodi 16:1-5, 9-15
Psalm: Psalm 78:18-19, 23-28
UNGJILLI: Mateu 13:1-9


Leximi i parë: Eksodi 16:1-5, 9-15

1. Pastaj ata u nisën nga Elimi dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit arriti në shkretëtirën e Sinit, që ndodhet midis Elimit dhe Sinait, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë mbas nisjes së tyre nga vendi i Egjiptit.

2. Dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit në shkretëtirë.

3. Bijtë e Izraelit u thanë atyre: "Ah, le të kishim vdekur nga dora e Zotit në vendin e Egjiptit, ku uleshim pranë tenxhereve me mish dhe hanim bukë sa ngopeshim! Sepse ju na çuat në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria tërë kjo asamble".

4. Zoti i tha Moisiut: "Ja, unë do të bëj që të bjerë manë mbi juve nga qielli; dhe populli do të dalë çdo ditë për të mbledhur racionin e ditës, sepse unë dua ta vë në provë për të parë në se do të ecë ose jo simbas ligjit tim.

5. Por ditën e gjashtë, kur do të përgatisin nozullimin që duhet të çojnë në shtëpi, ai do të jetë dyfishi i atij që mbledhin çdo ditë".

9. Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Thuaji gjithë asamblesë së bijve të Izraelit: "Afrohuni para Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja"".

10. Ndërsa Aaroni i fliste tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ata u sollën drejt shkretëtirës; dhe ja lavdia e Zotit u shfaq në re.

11. Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

12. "Unë i dëgjova murmuritjet e bijve të Izraelit; folu atyre, duke thënë: "Në të ngrysur do të hani mish dhe në mëngjes do të ngopeni me bukë; dhe do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj"".

13. Dhe kështu, aty nga mbrëmja ndodhi që shkurtat u ngritën dhe mbuluan kampin; dhe në mëngjes kishte një shtresë vese rreth kampit.

14. Pastaj shtresa e vesës u zhduk, dhe ja, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një gjë e hollë dhe e rrumbullakët, e hollë si bryma mbi tokë.

15. Kur bijtë e Izraelit e panë, i thanë njeri tjetrit: "Çfarë është?", sepse nuk e dinin se ç`ishte. Dhe Moisiu u tha atyre: "Kjo është buka që Zoti iu dha për të ngrënë.


Psalm: Psalm 78:18-19, 23-28

18. dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.

19. Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?

23. Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,

24. dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.

25. Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.

26. Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,

27. bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.

28. Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.


UNGJILLI: Mateu 13:1-9

1. Tani po atë ditë, Jezusi doli nga shtëpia dhe u ul në breg të detit.

2. Turma të mëdha u mblodhën rreth tij kështu që ai hipi mbi një barkë dhe u ul; dhe gjithë populli rrinte në këmbë në breg.

3. Dhe ai u paraqiti shumë gjëra në shëmbëlltyrë, duke thënë: ``Ja, një mbjellës doli për të mbjellë.

4. Ndërsa po mbillte, një pjesë e farës ra përgjatë rrugës; dhe zogjtë erdhën dhe e hëngrën.

5. Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbiu shpejt sepse terreni nuk ishte i thellë;

6. por kur doli dielli u fishk dhe u tha sepse s`kishte rrënjë.

7. Një pjesë tjetër ra midis ferrave dhe ferrat u rritën dhe ia zunë frymën.

8. Një tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryt duke dhënë njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish.

9. Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!``.


Kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë - E Marte, 23 Korrik 2013

Leximi i parë: Eksodi 14:21 -- 15:1
Psalm: Eksodi 15:8-10, 12, 17
UNGJILLI: Mateu 12:46-50


Leximi i parë: Eksodi 14:21 -- 15:1

21. Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; dhe Zoti bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë; dhe ujërat u ndanë.

22. Kështu bijtë e Izraelit hynë në mes të detit në të thatë; dhe ujërat formonin si një mur në të djathtë dhe të majtë të tyre.

23. Dhe Egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt e Faraonit, qerret e tij dhe kalorësit e tij hynë pas tyre në mes të detit.

24. Aty nga agimi i mëngjesit ndodhi që Zoti i hodhi sytë në kampin e Egjiptasve nga kolona e zjarrit dhe nga reja, dhe i dha dërmën.

25. Ai bëri të shkëputen rotat e qerreve të tyre dhe e bëri të vështirë përparimin e tyre. Kështu Egjiptasit thanë: "T`ia mbathim para Izraelit, sepse Zoti lufton bashkë me ta kundër Egjiptasve".

26. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi detin, me qëllim që ujërat e tij të kthehen mbi Egjiptasit, mbi qerret dhe kalorësit e tyre".

27. Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; kështu në të gdhirë, deti u kthye në vendin e tij të zakonshëm; Egjiptasit ikën para tij; dhe Zoti i përlau Egjiptasit në mes të detit.

28. Ujërat u kthyen dhe mbuluan qerret, kalorësit dhe tërë ushtrinë e Faraonit që kishin hyrë në det për të ndjekur Izraelitët; dhe nuk shpëtoi asnjë prej tyre.

29. Por bijtë e Izraelit vazhduan të ecnin në tokë të thatë në mes të detit, dhe ujërat qenë për ta si një mur, në të djathtë të tyre dhe në të majtë të tyre.

30. Kështu, atë ditë, Zoti e shpëtoi Izraelin nga dora e Egjiptasve, dhe Izraeli pa mbi bregun e detit Egjiptasit e vdekur.

31. Izraeli pa fuqinë e madhe që Zoti kishte treguar kundër Egjiptasve, dhe populli pati frikë nga Zoti dhe besoi te Zoti dhe te Moisiu shërbëtor i tij.

1. Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit i kënduan këtë kantik Zotit dhe folën duke thënë: "Unë do t`i këndoj Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës.


Psalm: Eksodi 15:8-10, 12, 17

8. Sa të shfrysh nga vrimat e hundëve, ujërat janë grumbulluar, valët janë ngritur si një mur, dhe dallgët janë përforcuar në zemrën e detit.

9. Armiku thoshte: "Do t`i ndjek, do t`i arrij, do të ndaj kufomat, lakmia ime do të ngopet mbi ta; do të zhvesh shpatën time, dora ime do t`i shfarosë".

10. Po ti dërgove jashtë frymën tënde dhe deti i mbuloi; u mbytën si plumbi në ujërat e fuqishme.

12. Ti shtrive dorën e djathtë, dhe toka i gëlltiti.

17. Ti do t`i futësh dhe do t`i vendosësh në malin e trashëgimisë sate, në vendin që ke përgatitur, o Zot, për banesën tënde, në shenjtëroren që duart e tua, o Perëndi, kanë vendosur.


UNGJILLI: Mateu 12:46-50

46. Ndërsa ai vazhdonte t`u fliste turmave, ja nëna e tij dhe vëllezërit e tij po rrinin jashtë dhe kërkonin të flisnin me të.

47. Dhe dikush i tha: ``Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty``.

48. Por ai duke iu përgjigjur, i tha atij që e kishte lajmëruar: ``Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?``.

49. E shtriu dorën e vet drejt dishepujve të vet dhe tha: ``Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.

50. Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë``.


Unë do ta vë Frymën Time mbi Atë dhe Ai do t`u shpalli drejtësinë popujve - E Shtune 20 Korrik 2013

Leximi i parë: Eksodi 12:37-42
Psalm: Psalm 136:1, 23-24, 10-15
UNGJILLI: Mateu 12:14-21


Leximi i parë: Eksodi 12:37-42

37. Bijtë e Izraelit u nisën nga Ramsesi për në Sukoth, ishin rreth gjashtëqind mijë njerëz më këmbë, pa llogaritur fëmijët.

38. Dhe me ta iku gjithashtu një përzierje e madhe njerëzish, bashkë me kopetë e tyre të bagëtive të imta dhe të trasha, një numër i madh kafshësh.

39. Dhe ata e poqën brumin që kishin sjellë nga Egjipti, duke bërë kuleçë të ndormë; në fakt brumi nuk kishte maja, sepse ata u dëbuan nga Egjipti dhe nuk mundën të mënojnë, as të përgatisin rezerva për udhëtimin.

40. Koha që bijtë e Izraelit kaluan në Egjipt qe katërqind e tridhjetë vjet.

41. Në fund të katërqind e tridhjetë vjetëve, pikërisht atë ditë, ndodhi që të gjitha radhët e Zotit dolën nga vendi i Egjiptit.

42. Kjo është një natë për t`u kremtuar për nder të Zotit, sepse ai i nxori nga vendi i Egjiptit; kjo natë do të jetë një kremtim solemn ndaj Zotit, për të gjithë bijtë e Izraelit brez pas brezi.


Psalm: Psalm 136:1, 23-24, 10-15

1. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë.
10. Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
11. dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
12. me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
13. Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
14. dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
15. por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
23. Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
24. dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.


UNGJILLI: Mateu 12:14-21

14. Por farisenjtë, mbasi dolën jashtë, bënin këshill kundër tij si ta vrasin.

15. Por kur Jezusi e mori vesh u largua prej andej dhe turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi të gjithë,

16. dhe i urdhëroi ata rreptësisht të mos thonin kush ishte ai,

17. me qëllim që të përmbushej ç`ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia që thotë:

18. ``Ja shërbëtori im, që unë e zgjodha; i dashuri im, në të cilin shpirti im është i kënaqur. Unë do ta vë Frymën Time mbi Atë dhe Ai do t`u shpalli drejtësinë popujve.

19. Ai nuk do të zihet dhe as nuk do të bërtasë dhe askush nuk do t`ia dëgjojë zërin e tij nëpër sheshe.

20. Ai nuk do ta thërmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym, deri sa të mos e ketë bërë të triumfojë drejtësinë.

21. Dhe njerëzit do të shpresojnë në emrin e tij``.

Unë dua mëshirë dhe jo flijime - E Premte 19 Korrik 2013

Leximi i parë: Eksodi 11:10 -- 12:14
Psalm: Psalm 116:12-13, 15-18
UNGJILLI: Mateu 12:1-8


Leximi i parë: Eksodi 11:10 -- 12:14

10. Dhe Moisiu dhe Aaroni bënë tërë ato mrekulli para Faraonit; por Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit dhe ky nuk i la bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i tij.

1. Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit në vendin e Egjiptit, duke u thënë:

2. "Ky muaj do të jetë për ju muaji më i rëndësishëm, do të jetë për ju muaji i parë i vitit.

3. I thoni gjithë asamblesë së Izraelit: "Ditën e dhjetë të këtij muaji, çdo burrë të marrë për vete një qengj, sipas madhësisë së familjes të të atit, një qengj për shtëpi.

4. Por në qoftë se shtëpia është tepër e vogël për një qengj, le të marrë një së bashku me fqinjin më të afërt, duke llogaritur numrin e personave; ju do të përcaktoni sasinë e qengjit të nevojshëm, në bazë të asaj që çdonjëri mund të hajë.

5. Qengji juaj duhet të jetë pa të meta, mashkull, motak; mund të merrni një qengj ose një kec.

6. Do ta ruani deri në ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, dhe tërë asambleja e popullit të Izraelit do ta therë atë në të ngrysur.

7. Pastaj do të marrin nga ai gjak dhe do ta vënë mbi dy shtalkat dhe mbi arkitraun e shtëpive ku do ta hanë.

8. Do të hanë mishin e pjekur në zjarr, po atë natë, do ta hanë atë me bukë pa maja dhe me barishte të hidhura.

9. Nuk do të hani fare mish të gjallë apo të zier në ujë, por të pjekur në zjarr me kokën, këmbët dhe të brendshmet.

10. Dhe nuk do të lini asnjë mbetje deri në mëngjes; dhe ç`të mbetet deri në mëngjes, do ta digjni në zjarr.

11. Do ta hani në këtë mënyrë: ijengjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do të hani me nxitim: se është Pashka e Zotit.

12. Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do t`i jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti.

13. Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t`ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit.

14. Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t`u mbajtur mend dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.


Psalm: Psalm 116:12-13, 15-18

12. Ç`do t`i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?

13. Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.

15. Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.

16. Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.

17. Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.

18. Do t`i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.


UNGJILLI: Mateu 12:1-8

1. Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t`i hanë.

2. Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: ``Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën``.

3. Dhe ai u tha atyre: ``A nuk keni lexuar vallë se ç`bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të?

4. Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t`i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?

5. Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë?

6. Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli.

7. Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime", nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.

8. Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës``.



Unë nuk erdha për t`i shfuqizuar (ligjin dhe profetet), po për t`i plotësuar. - E Hene 15 Korrik 2013

Leximi i parë: 1 e Korintasve 2:6-13
Psalm: Psalm 16:5-9, 11
UNGJILLI: Mateu 5:13-19


Leximi i parë: 1 e Korintasve 2:6-13

6. Dhe ne flasim dituri në mes njerëzish të pjekur, por jo diturinë e kësaj kohe dhe as të pushtetarëve të kësaj kohe, që nuk arrin asgjë,

7. por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë,

8. të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.

9. Por, sikurse është shkruar: ``Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë``.

10. Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë.

11 . Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të? Po kështu asnjëri s`i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë.

12. Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia.

13. Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore.


Psalm: Psalm 16:5-9, 11

5. Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short.

6. Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë.

7. Unë do të bekoj Zotin që më këshillon; zemra ime më mëson edhe natën.

8. Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.

9. Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri,

11. Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.


UNGJILLI: Mateu 5:13-19

13. ``Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t`u hedhur dhe ta shkelin njerëzit.

14. Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet.

15. Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t`u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.

16. Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej``.

17. ``Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t`i shfuqizuar, po për t`i plotësuar.

18. Sepse në të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka.

19. Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla, dhe do t`u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse ai që do t`i vërë në praktikë dhe do t`ua mësojë të tjerëve, do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.


Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj - E Enjte 11 Korrik 2013

Leximi i parë: Zanafilla 44:18-21, 23-29, 45:1-5
Psalm: Psalm 105:16-21
UNGJILLI: Mateu 10:7-15


Leximi i parë: Zanafilla 44:18-21, 23-29, 45:1-5

18. Atëherë Juda iu afrua Jozefit dhe i tha: "Të lutem, zotëria im, lejoje shërbëtorin tënd që t`i thotë një fjalë zotërisë tim, dhe mos u zemëro me shërbëtorin tënd, sepse ti je si Faraoni.

19. Zotëria im i pyeti shërbëtorët e tij duke thënë: "A keni ju baba apo vëlla?".

20. Dhe ne iu përgjegjëm zotërisë tim: "Kemi një baba që është plak me një bir të ri, që i ka lindur në pleqëri; i vëllai ka vdekur, kështu ai ka mbetur i vetmi bir i nënës së tij dhe i ati e do".

21. Atëherë ti u the shërbëtorëve të tu: "Sillmani këtu që të mund ta shoh me sytë e mi".

23. Por ti u the shërbëtorëve të tu: "Në rast se vëllai juaj më i ri nuk zbret bashkë me ju, ju nuk do ta shihni më fytyrën time".

24. Kështu që kur u ngjitëm përsëri te shërbëtori yt, ati im, i treguam fjalët e zotërisë tim.

25. Atëherë ati ynë tha: "Kthehuni të na blini pak ushqime".

26. Ne u përgjegjëm: "Nuk mund të zbresim atje poshtë; do të zbresim vetëm në rast se vjen me ne vëllai ynë më i vogël; sepse nuk mund ta shohim fytyrën e atij njeriu po të jetë se vëllai ynë më i vogël nuk është me ne".

27. Dhe shërbëtori yt, ati ynë, na u përgjegj: "Ju e dini që gruaja ime më lindi dy bij;

28. njëri prej tyre më la dhe unë i thashë: Me siguri ai është bërë copë e çikë dhe nuk e kam parë më qysh atëherë;

29. dhe po të ma hiqni edhe këtë dhe i ndodh ndonjë fatkeqësi, ju do të kallni në varr pleqërinë time të dhembshme".

1. Atëherë Jozefi nuk e përmbajti dot më veten para tërë të pranishmëve dhe briti: "Nxirrini jashtë të gjithë nga prania ime!". Kështu nuk mbeti asnjëri me Jozefin kur ai u tregoi vëllezërve të tij se kush ishte.

2. Dhe qau aq fort sa që e dëgjuan edhe vet Egjiptasit, dhe ky lajm arriti edhe në shtëpinë e Faraonit.

3. Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë jam Jozefi, a është ende gjallë ati im?". Por vëllezërit e tij nuk mund t`i përgjigjeshin, sepse ishin të tronditur thellë në praninë e tij.

4. Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Afrohuni, pra, tek unë!". Ata iu afruan dhe ai u tha: "Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që ju e shitët që ta çonin në Egjipt.

5. Por tani mos u trishtoni dhe mos t`ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj.

Psalm: Psalm 105:16-21

16. Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.
17. Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.
18. I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.
19. Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.
20. Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,
21. dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij.

NGJILLI: Mateu 10:7-15

7. Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua".

8. Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni.

9. Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj,

10. as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet.

11. Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni në se ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai deri sa të niseni.

12. Dhe kur hyni në shtëpi, e përshëndetni.

13. Dhe në se ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, në se nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju.

14. Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.

15. Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet.


Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe Ai do të shpërblej secilin sipas veprës së tij - E Merkure 10 Korrik 2013

Leximi i parë: 2 e Korintasve 4:6-11, 16, 17
Psalm: Psalm 59:2, 10, 17
UNGJILLI: Mateu 16:24-27


Leximi i parë: 2 e Korintasve 4:6-11, 16, 17

6. Sepse Perëndia që tha: ``Le të ndriçojë drita në errësirë``, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t`na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.

7. Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne.

8. Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi në dyshim por jo të dëshpëruar;

9. jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar;

10. kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë.

11. Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për Jezusin, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm.

16. Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.

17. Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie;


Psalm: Psalm 59:2, 10, 17

2. Më çliro nga ata që bëjnë paudhësi dhe më shpëto nga njerëzit gjakatarë.
10. Perëndia im i dhembshur do të më dalë përballë; Perëndia im do të më bëjë të shoh atë që dëshiroj mbi armiqtë e mi.
17. O forca ime, ty do të këndoj lavdet, sepse ti, o Perëndi, je kështjella ime, Perëndia që ka mëshirë për mua.


UNGJILLI: Mateu 16:24-27

24. Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ``Në qoftë se dikush do të vijë pas Meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.

25. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.

26. Ç`përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?

27. Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij.


E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak - E Marte 9 Korrik 2013

Leximi i parë: Zanafilla 32:23-32
Psalm: Psalm 17:1-3, 6-7, 8, 15
UNGJILLI: Mateu 9:32-38


Leximi i parë: Zanafilla 32:23-32

23. I mori me vete dhe bëri që të kalonin përruan të gjitha gjërat që zotëronte.

24. Kështu Jakobi mbeti vetëm dhe një burrë luftoi me të deri në agim.

25. Kur ky burrë e pa se nuk mund ta mundte, i preku zgavrën e ijës; dhe zgavra e ijes së Jakobit u përdrodh, ndërsa ai luftonte kundër tij.

26. Dhe ai tha: "Lërmë të shkoj, se po lind agimi". Por Jakobi iu përgjegj: "Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!".

27. Tjetri i tha: "Cili është emri yt?". Ai u përgjegj: "Jakobi".

28. Atëherë ai i tha: "Emri yt nuk do të jetë më Jakobi, por Israel, sepse ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ke fituar".

29. Jakobi i tha: "Të lutem, tregomë emrin tënd". Por ai iu përgjegj: "Pse e do emrin tim?".

30. Dhe kështu ai e bekoi. Atëherë Jakobi e quajti këtë vend Peniel, sepse tha: "E pashë Perëndinë ballë për ballë dhe jeta ime u fal".

31. Mbasi ai kaloi Penielin, dielli po ngrihej; dhe Jakobi çalonte për shkak të ijës.

32. Për këtë arësye, deri në ditën e sotme, bijtë e Izraelit nuk e hanë gilcën e kofshës që kalon nëpër zgavrën e ijës, sepse ai njeri kishte prekur zgavrën e ijës së Jakobit në pikën e gilcës së kofshës.


Psalm: Psalm 17:1-3, 6-7, 8, 15

1. O Zot, dëgjo një çështje të drejtë, dëgjo me vëmendej britmën time, dëgjo lutjen time, që nuk vjen nga buzë mashtruese.
2. Ardhtë mbrojtja ime nga prania jote; sytë e tu pafshin atë që është e drejtë.
3. Ti e ke hetuar zemrën time, e ke vizituar natën; më ke vënë në provë dhe nuk ke gjetur asgjë; kam vendosur të mos mëkatoj me gojën time.
6. Unë të drejtohem ty, o Perëndi, sepse ti m`i plotëson, zgjat veshët e tu ndaj meje, dëgjo fjalët e mia.
7. Tregomë mirësinë tënde të mrekullueshme, ti, që me të djathtën tënde i shpëton nga kundërshtarët e tyre ata që gjejnë strehë pranë teje.
8. Më ruaj si beben e syrit; më mbulo, nën hijen e krahëve të tu,
15. Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem.


UNGJILLI: Mateu 9:32-38

32. Dhe, kur ata po dilnin, i paraqitën një burrë memec dhe të demonizuar.

33. Dhe, mbasi e dëboi demonin, memeci foli dhe turmat u çuditën dhe thanë: ``Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael``.

34. Por farisenjtë thonin: ``Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve!``.

35. Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.

36. Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari.

37. Atëherë ai u tha dishepujve të vet: ``E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak.

38. Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij``.



Ai që është i dashur është i lirë, madje edhe po të jetë një skllav. Ai që është i lig është një skllav, madje edhe po të jetë mbret!

-- Shën Agustini

Gëzohuni më shumë që emrat tuaj janë shkruar në qiej - E Diele 7 Korrik 2013

Leximi i parë: Isaia 66:10-14
Psalm: Psalm 66:1-7, 16, 20
Leximi i dytë: Galatasve 6:14-18
UNGJILLI: Luka 10:1-12, 17-20


Leximi i parë: Isaia 66:10-14

10. Gëzohuni me Jeruzalemin dhe ngazëlloni me të, ju të gjithë që e doni. Gëzohuni me të madhe me të, ju të gjithë që mbani zi për të,

11. me qëllim që të pini qumësht dhe të ngopeni në gjirin e përdëllimeve të tij, me qëllim që të pini me bollëk dhe të kënaqeni me mbushullimin e lavdisë së tij.

12. Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të bëj që paqja t`i arrijë si një lumë dhe pasuria e kombeve si një përrua që vërshon, dhe ju do të pini qumësht, do t`ju mbajnë në ijët e tij dhe do t`ju përkëdhelin mbi gjunjët e tij.

13. Ashtu si një nënë e gëzon fëmijën e saj, kështu unë do t`ju gëzoj dhe do të ngushëlloheni në Jeruzalem.

14. Ju do ta shihni këtë, dhe zemra juaj do të gëzohet, kockat tuaja do të marrin përsëri fuqi si bari i njomë. Dora e Zotit do t`u bëhet e njohur shërbëtorëve të tij dhe do të zemërohet me të madhe kundër armiqve të tij.


Psalm: Psalm 66:1-7, 16, 20

1. Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
2. i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
3. I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
4. Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
5. Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6. Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7. Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
16. Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t`ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.
20. Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.


Leximi i dytë: Galatasve 6:14-18

14. Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.

15. Sepse në Jezu Krishtin as rrethprerja, as parrethprerja s`kanë ndonjë vlerë, por krijesa e re.

16. Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë.

17. Tash e tutje askush të mos më trazojë, sepse unë mbaj në trupin tim shenjat e Zotit Jezus.

18. Vëllezër, hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.


UNGJILLI: Luka 10:1-12, 17-20

1. Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte.

2. Dhe u thoshte atyre: ``E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet.

3. Shkoni; ja, unë ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve.

4. Mos merrni me vete as çanta, as trasta, as sandale dhe mos përshëndetni asnjeri rrugës.

5. Dhe në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: "Paqe në këtë shtëpi".

6. Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet tek ju.

7. Rrini, pra, në të njëjtën shtëpi, hani dhe pini atë që do t`ju japin, sepse punëtori meriton shpërblimin e vet. Mos kaloni nga një shtëpi në një tjetër.

8. Dhe në çdo qytet ku të hyni, nëse ju pranojnë, hani çfarë t`ju vënë përpara.

9. Dhe shëroni të sëmurit që do të jenë në të dhe u thoni atyre: "Mbretëria e Perëndisë ju është afruar".

10. Por në çdo qytet ku të hyni, nëse nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij dhe thoni:

11. "Ne po shkundim kundër jush edhe pluhurin e qytetit tuaj që na u ngjit; veç ta dini se mbretëria e Perëndisë ju është afruar".

12. Unë ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë sesa ai qytet.

17. Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: ``Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd``.

18. Dhe ai u tha atyre: ``Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe.

19. Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t`ju dëmtojë.


20. Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë që emrat tuaj janë shkruar në qiej``.


Pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë, ... E Enjte 4 Korrik 2013

Leximi i parë: Isaia 58:6-11
Psalm: Psalm 107:2-9
UNGJILLI: Mateu 25:31-46


Leximi i parë: Isaia 58:6-11

6. Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t`i lësh të lirë të shtypurit, të dërmosh çdo zgjedhë?

7. A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt?

8. Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.

9. Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: "Ja ku jam!". Në rast se ti heq dorë nga zgjedha, tregimi me gisht dhe të folurit mbrapsht,

10. në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita.

11. Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata dhe do t`u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë.


Psalm: Psalm 107:2-9

2. Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit,
3. dhe që ka mbledhur nga vende të ndryshme, nga lindja dhe perëndimi, nga veriu dhe nga jugu.
4. Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vënde të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin.
5. Të uritur e të etur, jeta e tyre po ligështohej.
6. Por në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe ai i çliroi nga ankthet e tyre;
7. dhe i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin.
8. Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve.
9. Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur.


UNGJILLI: Mateu 25:31-46

31. ``Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet.

32. Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë.

33. Dhe delet do t`i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën.

34. Atëherë Mbreti do t`u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: "Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.

35. Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,

36. isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë".

37. Atëherë të drejtët do t`i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

38. Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?

39. Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?".

40. Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t`u thotë: "Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.

41. Pastaj ai do t`u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: "Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij.

42. Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë,

43. isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni".

44. Atëherë edhe ata do t`i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?".

45. Atëherë ai do t`u përgjigjet atyre duke thënë: "Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua".

46. Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme``.

Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar! - E Merkure 3 Korrik 2013

Leximi i parë: Efesianëve 2:19-22
Psalm: Psalm 117:1-2
UNGJILLI: Gjoni 20:24-29


Leximi i parë: Efesianëve 2:19-22

19. Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë,

20. të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes,

21. mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin,

22. në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë.


Psalm: Psalm 117:1-2

1. Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt!

2. Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.


UNGJILLI: Gjoni 20:24-29

24. Por Thomai, i quajtur Binjaku, një nga të dymbëdhjetët, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi.

25. Dishepujt e tjerë, pra, i thanë: ``Kemi parë Zotin``. Por ai u tha atyre: ``Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdave, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj``.

26. Dhe tetë ditë më vonë, dishepujt ishin përsëri në shtëpi dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi, ndonëse dyert ishin të mby-llura, dhe u prezantua midis tyre dhe tha: ``Paqja me ju!``.

27. Pastaj i tha Thomait: ``Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!``.

28. Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: ``Zoti im dhe Perëndia im!``.

29. Jezusi i tha: ``Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!``.

Pse keni frikë, o njerëz besimpakë? - E Marte 2 Korrik 2013

Leximi i parë: Zanafilla 19:15-29
Psalm: Psalm 26:2-3, 9-12
UNGJILLI: Mateu 8:23-27


Leximi i parë: Zanafilla 19:15-29

15. Sa doli agimi, engjëjt e nxitën Lotin duke thënë: "Çohu, merr gruan dhe bijat e tua që gjenden këtu, që ti të mos vdesësh në dënimin e këtij qyteti".

16. Duke qenë se ai po ngurronte, ata njerëz e morën për dore atë, të shoqen dhe dy bijat e tij, sepse Zotit i kishte ardhur mëshirë për të, e nxorrën jashtë dhe i shpëtuan jetën duke e çuar jashtë qytetit.

17. Ndërsa po i çonin jashtë, njëri prej tyre tha: "Ik shpejt për të shpëtuar jetën tënde! Mos shiko prapa e mos u ndal në asnjë vend të fushës; shpëto në mal që të mos vdesësh!".

18. Por Loti iu përgjegj atyre: "Jo, zoti im!

19. Ja, shërbëtori yt gjeti hir para syve të tu dhe ti u tregove shpirtmadh ndaj meje, duke më shpëtuar jetën, por unë nuk do të mund të arrij malin para se të më zërë fatkeqësia dhe unë të vdes.

20. Ja, ky qytet është mjaft i afërt për ta arritur dhe është i vogël. Më lër, pra, të iki shpejt aty (a nuk është i vogël?) dhe kështu do të shpëtoj jetën".

21. Engjëlli i tha: "Unë po ta plotësoj edhe këtë kërkesë: të mos shkatërroj qytetin për të cilin fole.

22. Shpejto, ik atje, sepse unë nuk mund të bëj asgjë para se ti të arrish atje". Për këtë arsye ky qytet u quajt Coar.

23. Dielli po ngrihej mbi tokë kur Loti arriti në Coar.

24. Atëherë Zoti bëri që nga qielli të binte squfur dhe zjarr mbi Sodomën dhe Gomorën, nga ana e Zotit.

25. Kështu ai shkatërroi ato qytete, tërë fushën, tërë banorët e qytetit e gjithçka mbinte mbi tokën.

26. Por gruaja e Lotit solli kryet për të shikuar prapa dhe u bë një statujë prej kripe.

27. Abrahami u ngrit herët në mëngjes dhe shkoi në vendin ku kishte qëndruar para Zotit;

28. pastaj drejtoi shikimin nga Sodoma dhe Gomora si dhe nga tërë krahina e fushës, dhe kështu pa një tym që ngrihej nga toka, si tymi i një furre.

29. Kështu ndodhi që kur Perëndia shkatërroi qytetin e fushës, Perëndisë iu kujtua Abrahami dhe e largoi Lotin nga gjëma kur shkatërroi qytetet ku Loti kishte banuar.


Psalm: Psalm 26:2-3, 9-12

2. Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.
3. Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.
9. Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,
10. sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.
11. Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.
12. Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.


UNGJILLI: Mateu 8:23-27

23. Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.

24. Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.

25. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: ``O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!``

26. Por ai u tha atyre: ``Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?``. Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.

27. Atëherë njërëzit u mrekulluan dhe thoshnin: ``Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?``.