Pages

Mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani.. - E Shtune, 18 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 2:44-47 ose Kolosianëve 3:12-17
Psalm: Psalm 131:1-3
UNGJILLI: Luka 12:22-31



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 2:44-47

44. Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët.

45. Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit.

46. Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre,

47. duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gëzuar simpatinë e gjithë popullit. Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar.

Psalm: Psalm 131:1-3

1. O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.

2. E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënës së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.

3. O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.

UNGJILLI: Luka 12:22-31

22. Pastaj u tha dishepujve të vet: ``Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni.

23. Jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja.

24. Vini re korbat! Ata nuk mbjellin e nuk korrin, nuk kanë as qilar as hambar, e megjithatë Perëndia i ushqen; mirë, pra, ju vleni shumë më tepër se zogjtë.

25. Dhe cili nga ju me shqetësimin e tij mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit?

26. Atëherë, kur nuk jeni në gjendje të bëni as atë që është më e pakta, përse shqetësoheni për të tjerat?

27. Vini re si rriten zambakët: ata nuk punojnë dhe nuk tjerrin; megjithatë unë po ju them se as Salomoni, në gjithë lavdinë e vet, nuk qe i veshur si një nga ata.

28. Atëherë, nëse Perëndia vesh në këtë mënyrë barin që sot është në fushë dhe nesër hidhet në furrë, aq më tepër do t'ju veshë, o njerëz besimpakë?

29. Përveç kësaj mos kërkoni çfarë do të hani ose do të pini, dhe mos jini në merak,

30. sepse njerëzit e botës i kërkojnë të gjitha këto, por Ati juaj e di që ju keni nevojë për to.

31. Kërkoni më parë mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t`ju jepen si shtesë.


Ki kujdes për delet e Mia - E Premte, 17 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 25:13-21
Psalm: Psalm 103:1-2, 11-12, 19-20
UNGJILLI: Gjoni 21:15-19



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 25:13-21

13. Pas disa ditësh mbreti Agripa dhe Berenike erdhën në Cezare për të përshëndetur Festin.

14. Dhe, mbasi ata ndenjën disa ditë, Festi ia parashtroi çështjen e Palit mbretit, duke thënë: ``Feliksi ka lënë të burgosur njëfarë njeriu,

15. kundër të cilit, kur isha në Jeruzalem, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e Judenjve, kishin paraqitur akuza, duke kërkuar dënimin e tij.

16. Unë u dhashë përgjigje se nuk është zakon i Romakëve të dorëzojnë dikë për vdekje para se i akuzuari të ballafaqohet me paditësit e tij, dhe t`i jetë dhënë mundësia që të mbrohet nga akuza.

17. Prandaj, kur ata u mblodhën këtu, pa e shtyrë punën, u ula të nesërmen në gjykatë dhe urdhërova të ma sjellin këtë njeri.

18. Kur u ngritën paditësit e tij, nuk paraqitën kundër tij asnjë akuzë për gjërat që unë dyshoja.

19. Por kishin vetëm disa pika mospajtimi për fenë e tyre dhe për njëfarë Jezusi, që ka vdekur, dhe për të cilin Pali thoshte se është i gjallë.

20. Dhe duke qenë se unë mbeta ndërdyshas përpara një konflikt i të këtij lloji, e pyeta nëse ai donte të shkonte në Jeruzalem dhe të gjykohej atje lidhur me këto gjëra.

21. Por, mbasi Pali u apelua tek Augusti për të marrë gjykimin e tij, dhashë urdhër që ta ruanin derisa të mundem ta dërgoj te Cezari``.

Psalm: Psalm 103:1-2, 11-12, 19-20

1. Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.

2. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.

11. Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.

12. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.

19. Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.

20. Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.


UNGJILLI: Gjoni 21:15-19

15. Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ``Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?``. Iu përgjigj: ``Po, Zot, ti e di se unë të dua``. Jezusi i tha: ``Kulloti qengjat e mi!``.

16. Përsëri e pyeti për të dytën herë: ``Simon nga Jona, a më do ti mua?``. Iu përgjigj: ``Po, Zot, ti e di se unë të dua``. Jezusi i tha: ``Ki kujdes për delet e mia``.

17. E pyeti për të tretën herë: ``Simon nga Jona, a më do ti mua?``. Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ``A më do ti mua?``, dhe iu përgjigj: ``Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua``. Jezusi i tha: ``Kulloti delet e mia.

18. Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t`i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje``.

19. I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç`vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: ``Ndiqmë``.


Unë i kam ruajtur ata që Ti më ke dhënë - E Merkure, 15 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 20:28-38
Psalm: Psalm 68:29-30, 33-35
UNGJILLI: Gjoni 17:11-19



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 20:28-38

28. Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij.

29. Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën,

30. edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.

31. Prandaj rrini zgjuar, dhe mbani mend se për tre vjet me radhë, ditë e natë, nuk pushova kurrë të paralajmëroj secilin me lot.

32. Dhe tani, o vëllezër, unë po ju lë te Perëndia dhe te fjala e hirit të tij, që është në gjendje t`ju ndërtojë dhe t`ju japë trashëgimin në mes të të gjithë të shenjtëruarve.

33. Unë nuk kam dashur as argjend, as ar, as rrobat e ndonjërit.

34. Dhe ju vetë e dini se këto duar kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua.

35. Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: "Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!"``.

36. Dhe, si kishte thënë këto gjëra, u ul mbi gjunjë dhe u lut me ata të gjithë.

37. Atëherë të gjithë qanë me të madhe, e rroknin në qafë Palin dhe e puthnin,

38. të hidhëruar sidomos për fjalën që kishte thënë, se nuk do ta shihnin më fytyrën e tij. Pastaj e përcollën në anije.


Psalm: Psalm 68:29-30, 33-35

29. Për shkak të tempullit tënd në Jeruzalem, mbretërit do të të sjellin dhurata.

30. Shaj kafshën e kallamishteve, tufën e demave me viçat e popujve, deri sa të poshtërohen duke sjellë shufra argjendi; shpërndaji popujt që kënaqen duke bërë luftë.

33. atij që shkon me kalë mbi qiejtë e qiejve të përjetshme, ai nxjerr zërin e tij, një zë të fuqishëm.

34. Pranoni fuqinë e Perëndisë, madhështia e tij qëndron mbi Izraelin dhe fuqia e tij është në qiejtë.

35. O Perëndi, ti je i tmerrshëm nga shenjtorja jote; Perëndia i Izraelit është ai që i jep forcë dhe fuqi popullit. I bekuar qoftë Perëndia!


UNGJILLI: Gjoni 17:11-19

11. Tani Unë nuk jam më në botë, por ata janë në botë, dhe Unë po vij te Ti. O Atë i shenjtë, i ruaj ata në Emrin Tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse Ne!

12. Kur isha me ata në botë, Unë i kam ruajtur në Emrin Tënd; Unë i kam ruajtur ata që Ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur, përveç birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi.

13. Por tani Unë po vij te Ti dhe i them këto gjëra në botë, që gëzimi Im të bëhet i plotë në ta.

14. Unë u kam dhënë atyre fjalën Tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe Unë nuk jam prej botës.

15. Unë nuk kërkoj që Ti t`i heqësh nga bota, por që Ti t`i mbrosh nga i ligu.

16. Ata nuk janë nga bota, sikurse Unë nuk jam nga bota.

17. Shenjtëroji në të vërtetën Tënde; fjala Jote është e vërteta.

18. Sikurse Ti më ke dërguar Mua në botë, po ashtu Unë i kam dërguar ata në botë.

19. Dhe Unë për ta po shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetë.


Ta doni njëri-tjetrin, ashtu si Unë ju kam dashur juve - E Marte, 14 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 1:15-17, 20-26
Psalm: Psalm 113:1-8
UNGJILLI: Gjoni 15:9-17


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 1:15-17, 20-26

15. Në ato ditë Pjetri u çua në mes të dishepujve (dhe numri i emrave të mbledhur ishte rreth njëqind e njëzet) dhe tha:

16. ``Vëllezër, ishte e nevojshme që të përmbushej ky Shkrim, të cilin Fryma e Shenjtë e parafoli me anë të gojës së Davidit në lidhje me Judën, i cili u bë prijës i atyre që e kapën Jezusin.

17. Sepse ai ishte i numëruar bashkë me ne dhe kishte pjesë në këtë shërbesë.

20. Në fakt, në librin e Psalmeve, është shkruar: ``Shtëpia e tij u bëftë e shkretë dhe askush mos banoftë në të!``, dhe: ``Tjetërkush e zëntë detyrën e tij!``.

21. Duhet, pra, që ndër burrat që kanë qenë në shoqërinë tonë gjithë kohën në të cilën Zoti Jezus ka hyrë dhe ka dalë midis nesh,

22. duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit e deri në atë ditë kur u muarr në qiell nga mesi ynë, një prej tyre të bëhet dëshmitar me ne, i ringjalljes së tij``.

23. Dhe u paraqitën dy: Jozefi, i quajtur Barsaba, që ishte i mbiquajtur Just, dhe Matia.

24. Dhe, duke u lutur, thanë: ``Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur,

25. për të marrë shortin e kësaj shërbese dhe apostullimin, nga i cili Juda u largua për të shkuar në vendin e tij``.

26. Atëherë hodhën short, dhe shorti ra mbi Matian; dhe ai iu shtua të njëmbëdhjetë apostujve.

Psalm: Psalm 113:1-8

1. Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.
2. Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.
3. Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.
4. Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.
5. Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,
6. kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?
7. Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,
8. për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.

UNGJILLI: Gjoni 15:9-17

9. Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.

10. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.

11. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.

12. Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.

13. Askush s`ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.

14. Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj.

15. Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç`bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im.

16. Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdo gjë që t`i kërkoni Atit në emrin tim, ai t`jua japë.

17. Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin.


Kur jam para Sakramentit të Bekuar unë ndjej një besim kaq të gjallë sa nuk mund ta përshkruaj. Krishti në Eukaristi është posthuajse i prekshëm për mua.... Kur është koha të largohem, unë duhet ta forcoj veten time të largohem prej pranisë së Tij të shenjtë.

-- Shën Antoni i Klaret

Festa e Zonjës së Fatimas - E Hënë, 13 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 19:1-8
Psalm: Psalm 68:2-7
UNGJILLI: Gjoni 16:29-33



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 19:1-8

1. Dhe ndërsa Apollo ishte ende në Korint, Pali, mbasi shkoi në vendet më të larta, arriti në Efes dhe, si gjeti disa dishepuj, u tha atyre:

2. ``A e keni marrë Frymën e Shenjtë, kur besuat?``. Ata iu përgjigjën: ``Ne as që kemi dëgjuar se paska Frymë të Shenjtë``.

3. Dhe ai u tha atyre: ``Me se, pra, u pagëzuat?``. Ata u përgjigjën: ``Me pagëzimin e Gjonit``.

4. Atëherë Pali tha: ``Gjoni pagëzoi me pagëzimin e pendimit, duke i thënë popullit se duhet t`i besonte atij që do të vinte pas tij, domethënë Jezu Krishtit.

5. Dhe ata, si dëgjuan, u pagëzuan në emër të Zotit Jezus.

6. Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan.

7. Dhe gjithsej ishin rreth dymbëdhjetë burra.

8. Pastaj ai hyri në sinagogë dhe u foli lirisht njerëzve tre muaj me radhë, duke diskutuar dhe duke i bindur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.

Psalm: Psalm 68:2-7

2. Ti do t`i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë.

3. Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi.

4. Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij.

5. Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.

6. Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur.

7. O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela)

UNGJILLI: Gjoni 16:29-33

29. Dishepujt e tij i thanë: ``Ja, ti tani po flet haptas dhe s`po përdor asnjë shëmbëlltyrë.

30. Tani ne njohim se ti di gjithçka dhe s`ke nevojë që ndokush të të pyesë; prandaj ne besojmë se ke dalë nga Perëndia``.

31. Jezusi u përgjigj atyre: ``A besoni tani?

32. Ja, po vjen ora, madje tashmë ka ardhur, në të cilën ju do të shpërndaheni, secili për punë të vet, dhe do të më lini vetëm; por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.

33. Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në Mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, Unë e munda botën!``.


Kërkoni dhe do të merrni - E Shtune, 11 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 18:23-28
Psalm: Psalm 47:2-3, 8-9
UNGJILLI: Gjoni 16:23-28



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 18:23-28

23. Dhe, mbasi qëndroi atje pak kohë, u nis dhe përshkoi me radhë rrethinat e Galatisë dhe të Frigjisë, duke forcuar gjithë dishepujt.

24. Por një Juda, me emër Apollo, lindur në Aleksandri, njeri orator dhe njohës i Shkrimit, arriti në Efes.

25. Ai ishte i mësuar në udhën e Zotit dhe, i zjarrtë në frymë, fliste dhe mësonte me zell gjërat e Zotit, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit.

26. Ai filloi të flasë lirisht në sinagogë. Dhe, kur Akuila dhe Priskila e dëgjuan, e morën me vete dhe ia shtjelluan më thellë udhën e Perëndisë.

27. Pastaj, mbasi ai donte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta prisnin. Mbasi arriti atje, ai i ndihmoi shumë ata që kishin besuar me anë të hirit.

28. Ai në fakt, i kundërshtonte botërisht me forcë të madhe Judenjtë, duke treguar me anë të Shkrimeve se Jezusi është Krishti.

Psalm: Psalm 47:2-3, 8-9

2. Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.

3. Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t`i vërë nën këmbët tona.

8. Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.

9. Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.

UNGJILLI: Gjoni 16:23-28

23. Atë ditë ju nuk do të më bëni më asnjë pyetje. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t`i kërkoni Atit në emrin Tim, Ai do t`jua japë.

24. Deri tani ju s`keni kërkuar asgjë në emrin Tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.

25. Jua kam thënë këto gjëra në shëmbëlltyra, por po vjen ora kur nuk do t`ju flas më me shëmbëlltyra, por do t`ju flas haptas për Atin.

26. Në atë ditë ju do të kërkoni në emrin Tim; dhe nuk po them se Unë do t`i lutem Atit për ju;

27. Ati vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët Mua dhe keni besuar se Unë dola nga Perëndia.

28. Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati``.


Çdo gjë që t`i kërkoni Atit në emrin Tim, Ai do t`jua japë. - E Premte, 10 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 18:9-18
Psalm: Psalm 47:2-7
UNGJLLI: Gjoni 16:20-23



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 18:9-18

9. Një natë Zoti i tha Palit në vegim: ``Mos druaj, por fol dhe mos pusho,

10. sepse unë jam me ty dhe askush nuk do të vërë dorë mbi ty që të të bëjë keq, sepse unë kam një popull të madh në këtë qytet``.

11. Kështu ai qëndroi atje një vit e gjashtë muaj, duke mësuar ndër ta fjalën e Perëndisë.

12. Por, kur Galioni ishte prokonsull i Akaisë, Judenjtë u ngritën me një mendje kundër Palit dhe e çuan në gjykatë,

13. duke thënë: ``Ky ua mbush mendjen njerëzve t`i shërbejnë Perëndisë, në kundërshtim me ligjin``.

14. Dhe kur Pali donte të hapte gojën, Galioni u tha Judenjve: ``Po të qe puna për ndonjë padrejtësi ose keqbërje, o Judenj, do t`ju dëgjoja me durim, sipas arsyes;

15. por nëse janë çështje për fjalë, për emra dhe ligjin tuaj, shikojeni ju vetë, sepse unë nuk dua të jem gjykatës i këtyre gjërave``.

16. Dhe i përzuri ata nga gjykata.

17. Atëherë të gjithë Grekët zunë Sostenin, kreun e sinagogës, dhe e rrahën para gjykatës. Por Galioni nuk donte t`ia dinte fare për këto gjëra.

18. Dhe Pali, mbasi qëndroi atje edhe shumë ditë, u nda nga vëllezërit dhe lundroi për në Siri me Priskilën dhe Akuilën, pasi e qethi kokën në Kenkrea, sepse kishte bërë një premtim solemn.

Psalm: Psalm 47:2-7

2. Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.

3. Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t`i vërë nën këmbët tona.

4. Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela)

5. Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive.

6. Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!

7. Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.


UNGJLLI: Gjoni 16:20-23

20. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim.

21. Gruaja, kur lind, ka dhembje, sepse i erdhi ora; por, sapo e ka lindur fëmijën, nuk kujton më ankthin prej gëzimit që lindi një qenie njerëzore në botë.

22. Kështu edhe ju tani jeni në dhembje, por unë do t`ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t`ua heqë gëzimin tuaj.

23. Atë ditë ju nuk do të më bëni më asnjë pyetje. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t`i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t`jua japë.


Ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet - E Enjte, 9 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 18:1-8
Psalm: Psalm 98:1-4
UNGJILLI: Gjoni 16:16-20



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 18:1-8

1. Pas këtyre gjërave Pali u nis nga Athina dhe erdhi në Korint.

2. Dhe si gjeti një farë Judeu, me emër Akuila, lindur në Pont, i ardhur rishtas nga Italia bashkë me gruan e tij Priskilën (sepse Klaudi kishte urdhëruar që të gjithë Judenjtë të largohen nga Roma), shkoi tek ata.

3. Dhe duke qenë se kishin të njëjtën mjeshtëri, shkoi të banojë me ta dhe punonte; se mjeshtëria e tyre ishte të bënin çadra.

4. Çdo të shtunë mësonte në sinagogë dhe bindte Judenj dhe Grekë.

5. Kur Sila dhe Timoteu zbritën nga Maqedonia, Pali shtyhej nga Fryma për t`u dëshmuar Judenjve se Jezusi ishte Krishti.

6. Por duke qenë se ata kundërshtonin dhe blasfemonin, ai i shkundi rrobat e tij dhe u tha atyre: ``Gjaku juaj qoftë mbi kokën tuaj, unë jam i pastër; që tashti e tutje do të shkoj te johebrenjtë``.

7. Dhe, mbasi u largua prej andej, hyri në shtëpinë e një farë njeriu me emër Just, i cili i shërbente Perëndisë dhe e kishte shtëpinë ngjitur me sinagogën.

8. Dhe Krispi, kreu i sinagogës, besoi te Zoti me gjithë shtëpinë e tij; edhe shumë Korintas, duke dëgjuar Palin, besuan dhe u pagëzuan.

Psalm: Psalm 98:1-4

1. Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.

2. Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.

3. Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.

4. Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.


UNGJILLI: Gjoni 16:16-20

16. Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati``.

17. Atëherë disa nga dishepujt e tij thoshnin midis tyre: ``Ç`është kjo që po na thotë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni" dhe: "Sepse unë po shkoj te Ati"?``.

18. Thoshnin pra: ``Ç`është kjo "Pas pak", për të cilën flet? Ne s`dimë ç`don të thotë``.

19. Jezusi, pra, e kuptoi se ata donin ta pyesnin dhe u tha atyre: ``Ju po pyesni njeri tjetrin pse thashë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "E përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni"?

20. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim.


Gjeta Davidin, shërbëtorin Tim, dhe e vajosa me vajin Tim të shenjtë. Dora Ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu Im do ta forcojë. Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.

-- Psalm 88: 21-23

Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat - E Merkure, 8 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 17:15, 22 -- 18:1
Psalm: Psalm 148:1-2, 11-14
UNGJILLI: Gjoni 16:12-15



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 17:15, 22 -- 18:1

15. Ata që i prinin Palit e çuan deri në Athinë; pastaj, mbasi morën porosi për Silën dhe Timoteun që të arrijnë sa më parë tek ai, u kthyen prapa.

22. Atëherë Pali, duke qëndruar në këmbë në mes të Areopagut, tha: ``O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë``.

23. Sepse, duke ecur e duke vënë re objektet e kultit tuaj, gjeta edhe një altar mbi të cilin është shkruar: "PERÉNDISÉ SÉ PANJOHUR". Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall.

24. Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut,

25. dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë;

26. dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre,

27. që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh.

28. Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: "Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij".

29. Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu.

30. Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen.

31. Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit``.

32. Kur dëgjuan të flitej për ringjalljen e të vdekurve, disa e përqeshën dhe të tjerë thoshnin: ``Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë``.

33. Kështu Pali doli nga mesi i tyre.

34. Por disa u bashkuan me të dhe besuan, ndër këta edhe Dionis areopagiti, një grua që quhej Damaris dhe ca të tjerë me ta.

1. Pas këtyre gjërave Pali u nis nga Athina dhe erdhi në Korint.

Psalm: Psalm 148:1-2, 11-14

1. Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.

2. Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.

11. ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;

12. të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.

13. Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.

14. Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.

UNGJILLI: Gjoni 16:12-15

12. Kam edhe shumë gjëra të tjera për t`ju thënë, por ato ende ju nuk mund t`i mbani.

13. Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t`ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t`ju kumtojë gjërat që do vijnë.

14. Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t`jua kumtojë.

15. Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat; për këtë ju thashë se ai do të marrë prej simes dhe do t`jua kumtojë.


Jezusi: "Unë po shkoj tek Ai që më ka dërguar" - E Marte, 7 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 16:22-34
Psalm: Psalm 138:1-3, 7-8
UNGJILLI: Gjoni 16:5-11


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 16:22-34

22. Atëherë turma u lëshua e gjitha bashkë kundër tyre: dhe pretorëve, ua grisën atyre rrobat dhe urdhëruan t`i rrahin me kamxhik.

23. Dhe si i rrahën me shumë goditje, i futën në burg duke urdhëruar rojtarin e burgut t`i ruajë me kujdes.

24. Ky, si mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua shtrëngoi këmbët në dru.

25. Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin.

26. Befas u bë një tërmet i madh, saqë u tundën themelet e burgut; dhe në atë çast u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.

27. Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur.

28. Por Pali thirri me zë të lartë: ``Mos i bëj ndonjë të keqe vetes, sepse ne të gjithë jemi këtu``.

29. Atëherë ai kërkoi një dritë, u turr brenda dhe duke u dridhur i tëri u ra ndër këmbë Palit dhe Silës;

30. pastaj i nxori jashtë dhe tha: ``Zotërinj, ç`duhet të bëj unë që të shpëtohem?``.

31. Dhe ata i thanë: ``Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote``.

32. Pastaj ata i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij.

33. Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë.

34. Mbasi i çoi në shtëpinë e vet, ua shtroi tryezën dhe u gëzua me gjithë familjen e tij që kishte besuar në Perëndinë.

Psalm: Psalm 138:1-3, 7-8

1. Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.

2. Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.

3. Ditën në të cilën të kërkova, ti m`u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.

7. Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.

8. Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.

UNGJILLI: Gjoni 16:5-11

5. Por tani unë po shkoj tek Ai që më ka dërguar, dhe askush nga ju s`po më pyet: "Ku po shkon?".

6. Madje, për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj.

7. Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t`jua dërgoj.

8. Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim.

9. Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua;

10. për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më;

11. për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar.


Besimi në Eukaristi është një thesar që ne duhet ta kërkojmë me bindje, ta ruajmë me besim, dhe ta mbrojmë me çdo kusht. Të mos besosh në Sakramentin e Bekuar është fatkeqësia më e madhe.

-- Shën Piter Emyard


Jezusi: "Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua" - E Hene, 6 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 16:11-15
Psalm: Psalm 149:1-6, 9
UNGJILLI: Gjoni 15:26 -- 16:4



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 16:11-15

11. Prandaj, duke lundruar nga Troasi, u drejtuam për në Samotrakë, dhe të nesërmen në Neapolis,

12. dhe prej andej në Filipi, që është qyteti i parë i asaj ane të Maqedonisë dhe koloni romake; dhe qëndruam disa ditë në atë qytet.

13. Ditën e së shtunës dolëm jashtë qytetit anës lumit, ku ishte vendi i zakonshëm për lutje; dhe, si u ulëm, u flisnim grave që ishin mbledhur atje.

14. Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali.

15. Pasi ajo u pagëzua me familjen e saj, na u lut duke thënë: ``Në qoftë se më keni gjykuar se jam besnike ndaj Zotit, hyni në shtëpinë time dhe rrini``. Dhe na detyroi të pranojmë.

Psalm: Psalm 149:1-6, 9

1. Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.

2. Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.

3. Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,

4. sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

5. Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.

6. Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;

9. për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.


UNGJILLI: Gjoni 15:26 -- 16:4

26. Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t`ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua.

27. Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi``.

1. ``Jua kam thënë këto gjëra, që të mos skandalizoheni.

2. Do t`ju përjashtojnë nga sinagogat; madje po vjen ora kur, kushdo që t`ju vrasë, do të mendojë se i ka kryer një shërbim Perëndisë.

3. Dhe do t`ju bëjnë këto gjëra, sepse nuk kanë njohur as Atin, as mua.

4. Por unë jua kam thënë këto gjëra që, kur të vijë momenti, të kujtoheni se unë jua kisha thënë; por nga fillimi këto fjalë nuk jua pata thënë, sepse isha me ju.


Jezusi: "Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time" - E Diele, 5 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 15:1-2, 22-29
Psalm: Psalm 67:2-3, 5-6, 8
Leximi i dytë: Zbulesa 21:10-14, 22-23
UNGJILLI: Gjoni 14:23-29



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 15:1-2, 22-29

1. Dhe disa, që zbritën nga Judeja, mësonin vëllezërit: ``Nëse nuk jeni rrethprerë sipas ritit të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni``.

2. Duke qenë se u bë një grindje jo e vogël dhe një diskutim nga ana e Palit dhe e Barnabës me ata, u dha urdhër që Pali, Barnaba dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten në Jeruzalem tek apostujt dhe te pleqtë për këtë çështje.

22. Atëherë iu duk e mirë apostujve dhe pleqve me gjithë kishën të dërgojnë në Antioki, me Palin dhe Barnabën, disa njerëz të zgjedhur nga ata: Judën, mbiquajtur Barsaba, dhe Silën, njerëz me autoritet ndër vëllezërit,

23. me një letër të shkruar nga dora e tyre që thoshte: ``Apostujt, pleqtë dhe vëllezërit, vëllezërve nga johebrenjtë që janë në Antioki, Siri dhe Kiliki, përshëndetje.

24. Duke qenë se morëm vesh se disa që erdhën prej nesh, por të cilëve ne nuk u kishim dhënë asnjë porosi, ju kanë shqetësuar me fjalë duke trazuar shpirtrat tuaj, duke thënë se ju duhet të rrethpriteni dhe të zbatoni ligjin,

25. na u duk e mirë neve, të mbledhur tok me një zemër, të zgjedhim disa njerëz dhe t`i dërgojmë bashkë me të dashurit tanë Barnaba dhe Pal,

26. njerëz që kanë përkushtuar jetën e tyre për emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit.

27. Kemi dërguar, pra, Judën dhe Silën; edhe ata do t`ju tregojnë me gojë të njëjtat gjëra.

28. Në fakt na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme:

29. që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijiuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria; do të bëni mirë të ruheni nga këto. Qofshi mirë``.


Psalm: Psalm 67:2-3, 5-6

2. me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.

3. Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.

5. Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.

6. Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.


Leximi i dytë: Zbulesa 21:10-14, 22-23

10. Dhe më çoi në Frymë mbi një mal të madh dhe të lartë, dhe më tregoi qytetin e madh, Jeruzalemin e shenjtë, që zbriste nga qielli, nga Perëndia,

11. duke pasur lavdinë e Perëndisë. Dhe shkëlqimi i saj i ngjante me një gur shumë të çmuar, si gur diaspri kristalor.

12. Ai kishte një mur të madh dhe të lartë me dymbëdhjetë porta, dhe te portat dymbëdhjetë engjëj, dhe emra të shkruar mbi to, të cilat janë emrat e të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.

13. Nga lindja ishin tri porta, nga veriu tri porta, nga jugu tri porta dhe nga perëndimi tri porta.

14. Dhe muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele dhe mbi to ishin emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.

22. Dhe nuk pashë asnjë tempull në të; sepse Zoti Perëndi i plotfuqishëm dhe Qengji janë tempulli i tij.

23. Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji.


UNGJILLI: Gjoni 14:23-29

23. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ``Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai.

24. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.

25. Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju;

26. por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t`ju mësojë çdo gjë dhe do t`ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.

27. Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u tronditë dhe mos u frikësoftë.

28. Ju keni dëgjuar që ju thashë: "Unë po shkoj dhe do të kthehem te ju". Po të më donit, do të gëzoheshit sepse unë thashë: "Po shkoj tek Ati"; sepse Ati është më i madh se unë.

29. Dhe jua kam thënë tani, para se të ndodhë, që, kur të ndodhë, të besoni.


Kur unë jam plotësisht i bashkuar me ty, nuk do të ketë më trishtim apo mundime; plotësisht I mbushur me ty, jeta ime do të jetë e kompletuar

-- Shën. Augustin

Jezusi: "Unë jam udha, e vërteta dhe jeta" - E Premte, 3 Maj 2013


Leximi i parë: 1 e Korintasve 15:1-8
Psalm: Psalm 19:2-5
UNGJILLI: Gjoni 14:6-14



Leximi i parë: 1 e Korintasve 15:1-8

1. Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni,

2. dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot.

3. Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve,

4. se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve,

5. edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve.

6. Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë.

7. Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve.

8. Më së fundi m`u shfaq edhe mua, si në dështimit.

Psalm: Psalm 19:2-5

2. Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.

3. Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;

4. por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;

5. dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.

UNGJILLI: Gjoni 14:6-14

6. Jezusi i tha: ``Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.

7. Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë``.

8. Filipi i tha: ``Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton``.

9. Jezusi i tha: ``Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; Si vallë po thua: "Na e trego Atin?".

10. A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua? Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën veprat.

11. Më besoni se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua; në mos, më besoni për shkak të vet veprave.

12. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.

13. Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin.

14. Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj``.


Jezusi: "Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time" - E Enjte, 2 Maj 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 15:7-21
Psalm: Psalm 96:1-3, 10
UNGJILLI: Gjoni 15:9-11



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 15:7-21

7. Dhe duke qenë se lindi një diskutim i madh, Pjetri u çua në këmbë dhe u tha atyre: ``Vëllezër, ju e dini se që në kohët e para Perëndia midis nesh më zgjodhi mua, që me anë të gojës sime johebrenjtë të dëgjojnë fjalën e ungjillit dhe të besojnë.

8. Perëndia, që i njeh zemrat, u ka dhënë atyre dëshmi, duke u dhënë Frymën e Shenjtë, sikurse edhe neve;

9. dhe ai nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.

10. Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke u vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë?

11. Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata``.

12. Atëherë e gjithë turma heshti, dhe rrinte e dëgjonte Barnabën dhe Palin, që tregonin ç`shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenj.

13. Dhe si heshtën ata, Jakobi e mori fjalën dhe tha: ``Vëllezër, më dëgjoni!

14. Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij.

15. Me këtë gjë pajtohen fjalët e profetëve, sikundër është shkruar:

16. "Pas këtyre gjerave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t`i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë,

17. që mbetja e njerëzve dhe të gjitha johebrenjtë mbi të cilat thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto".

18. Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij.

19. Prandaj unë gjykoj që të mos i bezdisim ata nga johebrenjtë që kthehen te Perëndia,

20. por t`u shkruhet atyre që të heqin dorë nga ndotjet e idhujve, nga kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku.

21. Sepse Moisiu që nga kohët e lashta ka njerëz të cilët në çdo qytet e predikojnë atë, duke qënë i lexuar çdo të shtunë në sinagoga``.

Psalm: Psalm 96:1-3, 10

1. Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

2. Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

3. Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

10. U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t`i gjykojë popujt me drejtësi".

UNGJILLI: Gjoni 15:9-11

9. Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.

10. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.

11. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.


Jezusi: "Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet" - E Merkure, 1 Maj 2013


Leximi i parë: Zanafilla 1:26-2:3 ose Kolosianëve 3:14-15, 17, 23-24
Psalm: Psalm 90:2-4, 12-14, 16
UNGJILLI: Mateu 13:54-58



Leximi i parë: Zanafilla 1:26 -- 2:3

26. Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe".

27. Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.

28. Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: "Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë".

29. Dhe Perëndia tha: "Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t`ju shërbejë si ushqim.

30. Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim". Dhe kështu u bë.

31. Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë.

1. Kështu përfunduan qielli dhe toka si dhe tërë ushtria e tyre.

2. Ndërkaq ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer.

3. Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer.

Psalm: Psalm 90:2-4, 12-14, 16

2. Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.

3. Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".

4. Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.

12. Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.

13. Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.

14. Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.

16. Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.


UNGJILLI: Mateu 13:54-58

54. Dhe, pasi erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kështu që ata, habiteshin dhe thonin: ``Nga i erdhën këtij kjo dituri dhe këto vepra të pushtetshme?

55. A nuk është ky i biri i marangozit? Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakobi, Iose, Simon dhe Juda?

56. Dhe motrat e tij nuk janë të gjitha ndër ne? Atëherë nga i erdhën këtij të gjitha këto?``.

57. Dhe skandalizoheshin me të. Por Jezusi u tha atyre: ``Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet dhe në shtëpinë e vet``.

58. Dhe, për shkak të mosbesimit të tyre, ai nuk bëri aty shumë vepra të pushtetshme.