Pages

E Diela e Pashkës - Ai u ngjall së vdekuri - 31 Mars 2013


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 10:34, 37-43
Psalm: Psalm 118:1-2, 16-17, 22-23
Leximi i dytë: Kolosianëve 3:1-4 ose 1 e Korintasve 5:6-8
UNGJILLI: Gjoni 20:1-9



Leximi i parë: Veprat e Apostujve 10:34, 37-43

34 Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah".
37 Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, 38 se si Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të. 39 Ne jemi dëshmitarë për gjithçka që bëri në mbarë krahinën e Judesë e në Jerusalem. E vranë “duke e varur në shtyllë”! 40 Hyji e ngjalli të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë 41 ‑ jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar ‑ neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej të vdekurish. 42 Ai edhe na urdhëroi t’i predikojmë popullit e t’i japim dëshmi se Jezusi prej Hyjit është caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. 43 Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët: në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkateve secilit që beson në Të.”

Psalm: Psalm 118:1-2, 16-17, 22-23

1 ALELUJA!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e amshuar është dashuria e tij!
2 Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë,
e amshuar është dashuria e tij!
16 “E djathta e Zotit u madhërua!
E djathta e Zotit më lartësoi!
E djathta e Zotit u madhërua”!
17 S’do të vdes, të jetoj dua,
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
22 Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,
erdhi e u bë guri i këndit;
23 Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!

Leximi i dytë: Kolosianëve 3:1-4 ose 1 e Korintasve 5:6-8

1 Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit! 2 Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! 3 Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. 4 E kur të duket Krishti ‑ Jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi.

UNGJILLI: Gjoni 20:1-9

1 Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. 2 Atëherë erdhi me vrap te Simon‑Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.”
3 Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. 4 Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. 5 Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. Ndërkaq mbërriti edhe Simon‑Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna 7 dhe rizën që pati qenë në kokë të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend.
8 Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi. 9Në të vërtetë, ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin e shenjtë: se duhej që Ai të ngjallej së vdekuri. 

E Shtuna e Shenjte - Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? - 30 Mars 2013


1) Zanafilla 1:1 - 2:2 ose Zanafilla 1:1, 26-31
Psalm 104:1-2, 5-6, 10, 12-14, 24, 35 ose Psalm 33:4-7, 12-13, 20-22

2) Zanafilla 22:1-18 ose Zanafilla 22:1-2, 9-13, 15-18
Psalm 16:5, 8-11

3) Eksodi 14:15 --15:1
(Ps) Eksodi 15:1-6, 17-18

4) Isaia 54:5-14
Psalm 30:2, 4-6, 11-13

5) Isaia 55:1-11
(Ps) Isaia 12:2-6

6) Baruku 3:9-15, 32 - 4:4
Psalm 19:8-11

7) Ezekieli 36:16-28
Psalm 42:3, 5; Psalm 43:3-4
(Ps) Isaia 12:2-6 ose Psalm 51:12-15, 18-19

8) Letrat: Romakeve 6:3-11
Psalm 118:1-2, 16-17, 22-23

9) UNGJILLI: Luka 24:1-12



1) Zanafilla 1:1 - 2:2 ose Zanafilla 1:1, 26-31

1 Në fillim Hyji krijoi qiellin e tokën. Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; terri e mbulonte humnerën dhe fryma e Hyjit endej përmbi ujëra. 3 Hyji tha: “Le të bëhet drita”! Dhe drita u bë. 4 Hyji pa se drita ishte gjë e mirë dhe e ndau dritën nga terri. 5 Hyji e quajti dritën ‘ditë’, kurse terrin ‘natë’. Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e parë.

6 Hyji tha edhe: “Le të bëhet ndërmjet ujërave kupa e qiellit dhe le t’i ndajë ajo ujërat prej ujërave”. 7 Hyji bëri kupën e qiellit dhe i ndau ujërat që ishin nën kupën e qiellit prej atyre që ishin përmbi kupën e qiellit. Dhe u bë ashtu. 8Hyji e quajti kupën e qiellit ‘qiell’. Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e dytë.

9 Hyji tha prapë: “Le të bashkohen ujërat, që janë nën qiell, në një vend të vetëm. E le të duket teriku!”. Dhe u bë ashtu. 10 Hyji terikun e quajti ‘tokë’ kurse ujërat e bashkuara i quajti ‘dete’. Dhe Hyji pa se ishte gjë e mirë. 11 Dhe Hyji tha: “Le të qesë toka bar të gjelbër e bar që qet farë e lëndë frytdhënëse që jep fryte sipas llojit të vet që ta ketë farën e vet në vetvete përmbi tokë”! E u bë ashtu. 12 Toka nxorri barin e gjelbër, barin që qet farë sipas llojit të vet, dhe lëndën frytdhënëse sipas llojit të vet, që ka më vetvete farën sipas llojit të vet. Hyji pa se ishte gjë e mirë. 13 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e tretë.

14 Hyji tha: “Le të bëhen ndriçues në kupën e qiellit, që ta ndajnë ditën e natën dhe të shërbejnë si shenja për stinë, ditë dhe vite: 15 që të ndriçojnë në kupën e qiellit dhe të ndrisin tokën”. Dhe u bë ashtu. 16 Hyji bëri dy dritëdhënës të mëdhenj: dritëdhënësin më të madh që të sundojë ditën e dritëdhënësin më të vogël që të sundojë natën dhe yjet. 17 Hyji i vendosi në kupën e qiellit që të ndriçojnë mbi tokë, 18 që ta sundojnë ditën dhe natën e ta ndajnë dritën prej errësirës. Hyji pa se ishte gjë e mirë. 19 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e katërt.

20 Hyji tha edhe: “Le të vlojnë ujërat vrumull me qenie të gjalla e shpendët le të fluturojnë përmbi tokë, nën kupën e qiellit”! 21 Hyji krijoi përbindësh të mëdhenj deti dhe çdo lloj qenie të gjallë që lëviz rrëshqanthi e gëlojnë sipas llojit të vet si edhe çdo shpend sipas llojit të vet. Hyji pa se ishte gjë e mirë.
22 Hyji i bekoi dhe tha: “Shtohuni e shumohuni, mbushni ujërat e detit; po edhe shpendët le të shumohen përmbi tokë”! 23 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e pestë.

24 Përsëri Hyji tha: “Le të prodhojë toka qenie të gjalla, secilën sipas llojit të vet: bagëti, zvarranikë dhe egërsira sipas llojit të tyre”! Dhe u bë ashtu. 25Hyji krijoi çdo lloj egërsire, bagëtie dhe zvarraniku të tokës. Hyji pa se ishte gjë e mirë. 26 Hyji tha: “Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën e në përngjasimin tonë që të jetë zotërues i peshqve të detit, i shpendëve të qiellit, i kafshëve, i mbarë tokës, dhe i çdo zvarraniku që zvarritet mbi tokë”!
27 Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit;
i krijoi mashkull e femër. 28 Hyji i bekoi dhe u tha: “Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën dhe sundojeni atë! Bëhuni zotëruesit e peshqve të detit, të shpendëve të qiellit dhe të çdo gjallese që lëviz përmbi tokë”! 29 Hyji tha edhe: “Ja, çdo bimë që qet farë mbi tokë dhe të gjitha pemët që kanë në vetvete frytin e pemës që qet farë: le të jenë ushqimi juaj”! 30 Të gjitha kafshëve mbi tokë, çdo shpendi të qiellit e çdo gjëje që lëviz mbi tokë, në të cilat është fryma e jetës, i jap për ushqim të gjitha barërat e gjelbëra. Dhe u bë ashtu. 31 Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira!” Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e gjashtë.

1 Kështu u kryen qielli e toka dhe mbarë ushtria e tyre. 2 Të shtatën ditë Hyji e kreu punën e vet që kishte bërë. Të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë.

Psalm 104:1-2, 5-6, 10, 12-14, 24, 35 ose Psalm 33:4-7, 12-13, 20-22

1 Bekoje, shpirti im, Zotin! O Zot, Hyji im, sa i madh je! I veshur me madhëri e me bukuri,
2 i mbështjellë me dritë porsi me petk! E ngreh qiellin porsi tendë,
5 Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.
6 E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, majat e maleve i mbulonin ujërat:
10 Burimet ti i kthen në përrenj, rrjedhin përmes malesh;
12 Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, degë më degë ia thonë këngës së vet.
13 Ti i ujit malet nga pallatet e tua, toka ngihet me frytet e duarve të tua.
14 Ti bën të mbijë bar për kafshë, bimë të tjera të nevojshme për njeriun,
për të nxjerrë prej tokës bukën
24 Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: plot është toka me krijesat e tua.
35 U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut e keqbërës askurrë më mos pastë mbi tokë! Bekoje, shpirti im, Zotin!


2) Zanafilla 22:1-18 ose Zanafilla 22:1-2, 9-13, 15-18

1 Pas këtyre ngjarjeve Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham”! Ai iu përgjigj: “Tek jam”! 2 I tha: “Merre djalin tënd të dëshirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria, e atje ma kushto fli shkrumbimi mbi njërin ndër malet që do të ta tregoj”. 3 Abrahami u ngrit heret në mëngjes, e shiloi gomarin e vet, mori me vete dy shërbëtorë të vet dhe Izakun, djalin e vet. Pasi më parë i preu drutë për fli shkrumbimi, u nis për në atë vend që Hyji i kishte treguar. 4 Të tretën ditë, pasi Abrahami i lartësoi sytë, e vështroi atë vend prej së largu. 5 U tha shërbëtorëve të vet: “Ju pritni këtu me gomar. Unë e djali po shkojmë deri atje për të adhuruar dhe do të kthehemi te ju”. 6 Mori edhe drutë e flisë së shkrumbimit e ia ngarkoi Izakut, birit të vet, kurse ai mbante në dorë zjarrin e thikën. Ndërsa të dy po ecnin së bashku, 7 Izaku i tha Abrahamit, babait të vet: “Baba!” Ai u përgjigj: “Çka do, biro? ‑ Qe ‑ tha ‑ zjarri e drutë, po ku është flia e shkrumbimit”? 8 Abrahami iu përgjigj: “Vetë Hyji do ta gjejë flinë e shkrumbimit për vete, biri im”! Dhe të dy vazhduan udhën së bashku. 9 Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar, Abrahami aty e ndërtoi lterin dhe mbi të i renditi drutë. Pastaj e lidhi Izakun, djalin e vet, e vendosi mbi lter mbi turrën e druve, 10 shtriu dorën dhe e mori thikën për ta flijuar djalin e vet.11 Dhe ja, prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: “Abraham, Abraham”! Ky iu përgjigj: “Urdhëro”! 12 Engjëlli i tha: “Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi! Tani po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkakun tim nuk e kurseve as djalin tënd të dëshirit”.
13 Abrahami i çoi sytë lart dhe e pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit. 14 Atë vend e quajti: “Zoti sheh.” Këndej edhe sot e kësaj dite thuhet: “Në malin Zoti shihet”. 15 Engjëlli i Zotit e thirri Abrahamin për të dytën herë prej qiellit e i tha: 16“Pasha mua ‑ është fjala e Zotit ‑ pasi e bëre këtë gjë dhe nuk t’u dhimbs djali yt i dëshirit, 17 unë po ta fal bekimin tim dhe do të bëj që pasardhësit e tu të shtohen porsi yjet e qiellit, porsi rëra në bregun e detit. Ndërsa pasardhësit e tu do t’i pushtojnë dyert e armiqve të vet 18 dhe në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës pasi ti ma dëgjove fjalën”.

Psalm 16:5, 8-11

5 Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, në dorën tënde është fati im!
8 Zotin e kam gjithmonë para sysh, më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
9 Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, mbarë trupi im pushon në qetësi.
10 S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.
11 Ti do të ma tregosh udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.

3) Eksodi 14:15 --15:1

15 Zoti i tha Moisiut: “Përse po lëshon klithma kah unë? Urdhëroju bijve të Izraelit të nisen! 16 Ndërkaq, ti çoje shkopin tënd dhe shtrije dorën tënde përmbi det e ndaje, kështu që bijtë e Izraelit të kalojnë përmes detit nëpër terik. 17 Unë do t’ua guroj zemrën egjiptianëve që t’ju përndjekin. Unë do ta dëftoj madhërinë time në faraonin e në mbarë ushtrinë e tij, në karroca dhe në kalorës të tij. 18 Kështu egjiptianët do ta kuptojnë se unë jam Zoti, kur të jem madhëruar në faraonin, në karrocat e kalorësit e tij”. 19 Engjëlli i Hyjit, që u printe çetave të Izraelit, doli pas tyre, po ashtu me të edhe shtylla e resë, prej përpara doli prapa. 20 Zuri vend ndërmjet ushtrisë së egjiptianëve e të izraelitëve. Reja ishte e errët për egjiptianë, kurse izraelitëve ua ndriçonte natën. Kështu nuk mundën t’i afrohen njëri‑tjetrit krejt natën. 21 Atëherë Moisiu e shtriu dorën mbi det. Zoti e shtyri gjithë natën detin me anë të një ere të fortë e të nxehtë dhe e thau: ujërat u ndanë. 22 Bijtë e Izraelit hynë përmes detit nëpër terik: sepse uji ishte bërë pothuajse mur në të djathtë e në të majtë të tyre. 23 Edhe egjiptianët, që po i ndiqnin, hynë pas tyre, mbarë kaloria e faraonit, karroca e tij e kalorësit në mes të detit. 24Kishte ardhur koha e rojës së mëngjesit dhe, ja, Zoti ia lëshoi një sy prej shtyllës së zjarrit e të resë ushtrisë së egjiptianëve, e pështjelloi, 25 ia frenoi rrotat e karrocave saqë mezi mund të lëviznin. Atëherë thanë egjiptianët: “Të ikim prej izraelitëve! Zoti po lufton për ta kundër nesh”! 26 Zoti i tha Moisiut: “Shtrije dorën mbi det: ujërat le të hidhen mbi egjiptianët, mbi karroca dhe kalorës të tyre”. 27 Kur Moisiu e shtriu dorën drejt detit, në mëngjes, heret, deti u kthye në vendin e mëparshëm. Egjiptianët, duke u munduar të ikin, ujërat u vinin drejt tyre. Kështu Zoti i mbuloi me tallaze në mes të detit. 28 Ujërat u kthyen dhe i mbuluan karroca e kalorës të mbarë ushtrisë së faraonit, të cilët për të ndjekur izraelitët kishin hyrë në det. S’shpëtoi prej tyre as një për be! 29 Kurse bijtë e Izraelit kishin udhëtuar mes të detit për terik dhe ujërat për ta ishin bërë si mur në të djathtë e në të majtë të tyre. 30 Po në këtë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin prej duarve të egjiptianëve. I panë egjiptianët e vdekur përmbi bregun e detit 31 dhe dorën e fortë që e ushtroi Zoti kundër egjiptianëve. Populli i dha nderim Zotit, e vuri besimin e vet në Zotin dhe në Moisiun, shërbëtorin e tij. 1 Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit e kënduan këtë këngë në nder të Zotit e thanë: “Le t’i këndojmë Zotit, sepse mbrekullisht ngadhënjeu: kalë e kalorës plandosi në fund t’detit!

(Ps) Eksodi 15:1-6, 17-18

1 Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit e kënduan këtë këngë në nder të Zotit e thanë: “Le t’i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu: kalë e kalorës
plandosi në fund t’detit!
2 Zoti është forca dhe fuqia ime, Ai, veç Ai, më shpëtoi! Ai është Hyji im,
Atë lavdëroj! Është Hyji i atit tim: Atë e lartësoj!
3 Zotin askush s’e mund, Jahve emrin e ka!
4 Qerre e ushtri të faraonit në det i plandosi! Luftëtarët e tij të zgjedhur
Deti i Kuq i mbuloi!
5 Pellgu i përpiu, humbën si spata në pus!
6 E djathta jote, o Zot, fuqi e tmerrueshme: e djathta jote
e goditi armikun!
17 Do ta shtish dhe do ta mbjellësh në malin e trashëgimit tënd, në banesën tënde të përhershme, që ti vetë e përgatite, o Zot, shenjtërore, o Zot,
me duar të tua të përftuar!
18 Zoti do të sundojë përgjithmonë e mot të jetës”!

4) Isaia 54:5-14

5 Sepse Krijuesi yt do të jetë fati yt, emri i tij është Zoti i Ushtrive; Shpërblyesi yt Shenjti i Izraelit, Ai quhet Hyji i mbarë tokës,
6 Sepse si një grua të lënë që vuan në shpirt të thirri Zoti:
‘Gruaja e vjetëve të rinisë a mund të përbuzet?’ ka thënë Hyji yt.
7 Për pak kohë të lashë, por po të rimarr me dashuri të madhe.
8 Në momentin e zemërimit e fsheha pakëz prej teje fytyrën time, por me dashuri të amshuar pata dhimbje për ty, tha Zoti Shpërblyesi yt.
9 Tashti është për mua si në ditët e Noehit, kur u përbetova se ujërat e Noehit më nuk do të vërshojnë tokën, po ashtu u përbetova se më nuk do të të hidhërohem e nuk do të të kërcënohem.
10 Malet mund të zhduken, kodrat mund të tranden, porse dashuria ime s’do të zhduket prej teje as besëlidhja e paqes sime nuk do të trandet, thotë Zoti që pati mëshirë për ty.

Jerusalemi i ri
11 Varfanjakja ime, stuhish e rrahur, e pa farë ngushëllimi, ja, në vend të gurëve do të vë karbunkull, e themelet do t’i qes mbi safirë.
12 Pirgjet e tua prej jaspisit, dyert e tua gurësh të paçmueshëm, muret rrethuese të tuat gurë stolie!
13 Të gjithë bijtë e tu do të jenë nxënës të Zotit e madhe do të jetë lumturia e bijve të tu.
14 Do të jesh i themeluar në drejtësi, larg do të jesh nga ndrydhja, s’do të kesh pse të trembesh, larg nga frika, sepse s’do të afrohet.

Psalm 30:2, 4-6, 11-13

2 Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua.
4 ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka, më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
5 Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij, falenderojeni Emrin e shenjtë të tij!
6 Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!
11 Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua, Zoti u bë ndihmëtari im.
12 Ti vajin ma ktheve në valle, ma zhveshe grathoren time e më ngjeshe me hare,
13 që shpirti im të të këndojë e të mos pushojë: “O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim”!

5) Isaia 55:1-11

1 O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, le të vijnë gjithashtu edhe ata që s’kanë para! Bleni drithë e hani; ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht!
2 Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë? Nëse më dëgjoni mua do të hani çka është e mirë,
e do të shijoni ushqime të shijshme! 3 Ma vini veshin e ejani tek unë,
më dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë!

Besëlidhja
Me ju do të lidh Besëlidhje të përhershme, po, do t’i ruaj të mirat e Davidit.
4 Ja, atë e bëra dëshmitar për fise, prijës e urdhërues për paganë.
5 Ja, do të thërrasësh një popull që s’e njihje, te ti do të vrapojnë popuj që s’të njihnin, për shkak të Zotit, Hyjit tënd, të Shenjtit të Izraelit
që ty të madhëroi!

Afërsia e Zotit
6 Kërkojeni Zotin deri sa mund të gjendet, thirreni në ndihmë deri sa është afër!
7 Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë që është bujar në falje.
8 Sepse mendimet tuaja, nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja nuk janë udhët e mia ‑ thotë Zoti.
9 Sepse, sikurse qielli që është i lartë në krahasim me tokën: po ashtu edhe udhët e mia janë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia
në krahasim me mendimet tuaja!

Fuqia e fjalës së Zotit
10 Dhe sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim,
11 kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa.

(Ps) Isaia 12:2-6

2 Ja, Hyji Shëlbuesi im, kam besim e nuk kam frikë, sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti, Ai është shpëtimi im.”
3 Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.
4 Edhe thoni atë ditë: “Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij, shpallini ndër popuj veprat e tij, kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!
5 Këndojini Zotit, sepse krijoi mrekulli, le ta marrë vesh bota mbarë!
6 Brohoritni e këndoni lavde, ju banorët e Sionit, sepse i madhërishëm është në mesin tuaj Shenjti i Izraelit!”


6) Psalm 19:8-11

8 I përsosur është Ligji i Zotit, shpirtin përtërin; për t’u besuar është Dëshmia e Zotit, të miturve u jep dijen.
9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta, kënaqin zemrën; urdhri i Zotit është i qartë, dritë u jep syve.
10 E panjollë është frika e Zotit, nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta, të gjitha njësoj të drejta.
11 Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar, më të ëmbla se mjalti,
se hoja që rrjedh mjaltë.


7) Ezekieli 36:16-28

16 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: 17 ”Biri i njeriut, kur shtëpia e Izraelit banonte në tokën e vet, e pati përdhosur atë me sjelljen e vet e me veprat e veta: sjellja e tyre ishte para syve të mi porsi papastërtia e gruas së papastër.18 Unë atëherë e zbraza zemërimin tim mbi ta për shkak të gjakut që derdhën përmbi tokë dhe për shkak të idhujve, me të cilët e ndotën. 19 I shpërndava ndër paganë dhe i treta në vende të ndryshme: i dënova sipas sjelljes së tyre dhe sipas veprave të tyre. 20 Por edhe në popujt, ndër të cilët u shpërndanë, te të cilët shkuan, e përdhosën emrin tim të shenjtë, sepse flitej për ta: ‘Ky është populli i Zotit e iu desh të dalë prej tokës së tij!’ 21 Por unë pata nderim për emrin tim të shenjtë që e çnderoi shtëpia e Izraelit në popujt ndër të cilët shkoi. 22 Prandaj, kështu thuaji shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: S’e bëj këtë për ju, o shtëpia e Izraelit, por për shkak të emrit tim të shenjtë, që u çnderua në popujt te të cilët shkuat. 23 Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madhërueshëm, të cilin ju e çnderuat ndër popuj, e ndotët në mesin e tyre, që paganët ta dinë se unë jam Zoti ‑ thotë Zoti Hyj, kur të dëftohem i shenjtë ndër ju e para syve të tyre. 24 Do t’ju heq prej paganëve e do t’ju bashkoj nga të gjitha vendet dhe do t’ju sjell në vendin tuaj. 25 Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t’ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj! 26 Unë do t’ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t’ju jap një zemër mishi. 27 Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t’i zbatoni e t’i vini në veprim gjyqet e mia. 28 Do të banoni në tokën që ua dhurova etërve tuaj: ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj. 

Psalm 42:3, 5; Psalm 43:3-4

3 Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë: oh, e kur do të shkoj
e do të dal para fytyrës së Hyjit?!
5 Mallëngjehet shpirti im kur më bie ndërmend si shtegtoja në krye të turmës, ‑ si prijës ‑ drejt banesës së Hyjit me brohori e këngë lavdi
në procesion kremtues!
3 Dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde: ato le të më prijnë, le të më përcjellin në malin tënd të shenjtë, në Tendën tënde.
4 Atëherë do të hyj te lteri i Hyjit, tek Hyji i gëzimit të galdimit tim.
Do të galdoj, do të të këndoj me harpë, ty, o Hyj, Hyji im!

8) Letrat: Romakeve 6:3-11

3 Po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? 4 Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.
5 Pra, pasi jemi krejtësisht të bashkuar me Të, me një vdekje të ngjashme me të tijën, me siguri do të bëhemi plotësisht një me Të me përngjasimin e ngjalljes së Tij. 6 Le ta kemi parasysh këtë gjë: njeriu ynë i vjetër është kryqëzuar bashkë me Të që të shkatërrohet ky trup i mëkatit, kështu që të mos i robërojmë më mëkatit , 7 sepse i vdekuri është i lirë nga mëkati.
8 E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, 9 pasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. 10 Vdekja e tij qe vdekje njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. 11 Po kështu edhe ju: mbajeni veten [se jeni] të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin!

Psalm 118:1-2, 16-17, 22-23

1 ALELUJA! Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e amshuar është dashuria e tij!
2 Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë, e amshuar është dashuria e tij!
16 “E djathta e Zotit u madhërua! E djathta e Zotit më lartësoi! E djathta e Zotit u madhërua”!
17 S’do të vdes, të jetoj dua, do t’i kumtoj veprat e Zotit!
22 Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, erdhi e u bë guri i këndit;
23 Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë!


9) UNGJILLI: Luka 24:1-12

1 Të parën ditë të javës, fort heret, shkuan te varri me erërat e mira që i përgatitën. 2 Gjetën gurin e rrokullisur prej varrit. 3 Hynë, por nuk e gjetën trupin e Jezusit [Zot]. 4 E, ndërsa po rrinin ashtu, marrë mendsh nga kjo punë, dhe ja, afër tyre, u paraqitën dy burra të veshur me petka të ndritshme. 5 E kur ato, të tmerruara, i ulën sytë për dhe, këta u thanë: Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? 6 Ai s’është këtu! U ngjall! Le t’ju bjerë në mend çka ju pati thënë kur ishte në Galile: 7 ‘Duhet ‑ thoshte ai ‑ që Biri i njeriut t’u dorëzohet njerëzve mëkatarë; ta kryqëzojnë dhe të tretën ditë të ngjallet!’“
8 Atëherë u ranë në mend fjalët e tij. 9 U kthyen nga varri dhe i njoftuan mbi të gjitha këto të Njëmbëdhjetët e të gjithë të tjerët. 10 Ishin: Maria Magdalenë, Gjonia e Maria e Jakobit. Po edhe gratë e tjera që ishin me to, u treguan apostujve të njëjtën gjë. 11 Por apostujt këto fjalë i morën për trillime e nuk u besuan. 12 Megjithatë Pjetri u çua, shkoi me vrap te varri, u përkul dhe pa vetëm pëlhurat. U kthye në shtëpi i çuditur për krejt çka kishte ndodhur.



E Premte e Zeze - 29 Mars 2013


Leximi i parë: Isaia 52:13 -- 53:12
Psalm: Psalm 31:2, 6, 12-13, 15-17
Leximi i dytë: Hebrenjve 4:14-16; 5:7-9
UNGJILLI: Gjoni 18:1 -- 19:42



Leximi i parë: Isaia 52:13 -- 53:12

13. Ja, shërbëtori im do të begatohet, do të ngrihet dhe do të lartësohet shumë.

14. Duke qenë se shumë veta u çuditën me ty, sepse pamja e tij ishte e shfytyruar më tepër se e çdo njeriu tjetër dhe fytyra e tij ishte ndryshe nga ajo e bijve të njeriut,

15. kështu ai do të spërkasë shumë kombe; mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çfarë nuk u ishte treguar kurrë atyre dhe do të kuptojnë ato që nuk kishin dëgjuar.

1. Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?

2. Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim.

3. I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak.

4. Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur.

5. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.

6. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.

7. I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën.

8. U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim?

9. Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij.

10. Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij.

11. Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre.

12. Prandaj do t`i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.

Psalm: Psalm 31:2, 6, 12-13, 15-17

2. Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh.

6. Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t`u dukur, por kam besim te Zoti.

12. Zemra e tyre më ka harruar si të isha një njeri i vdekur; i përngjaj një vazoje të thyer.

13. Sepse dëgjoi shpifjet e shumë njerëzve; rreth e qark sundon tmerri, ndërsa ata këshillohen midis tyre kundër meje dhe kurdisin komplote për të më zhdukur.

15. Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.

16. Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.

17. O Zot, bëj që unë të mos jem i pështjelluar, pse të kam kërkuar; u pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol.

Leximi i dytë: Hebrenjve 4:14-16; 5:7-9

14. Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit.

15. Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t`i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.

16. Le t`i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.

7. I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.

8. Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi,

9. dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden

UNGJILLI: Gjoni 18:1 -- 19:42

1. Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij.

2. Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij.

3. Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë.

4. Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t`i ndodhte, doli dhe i pyeti: ``Kë kërkoni?``.

5. Ata iu përgjigjën: ``Jezusin Nazareas``. Jezusi u tha atyre: ``Unë jam!``. Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta.

6. Sapo ai u tha atyre: ``Unë jam``, ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe.

7. Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: ``Kë kërkoni?``. Ata thanë: ``Jezusin Nazareas``.

8. Jezusi u përgjigj: ``Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë``;

9. që të përmbushej fjala që kishte thënë: ``Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë``.

10. Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk.

11. Por Jezusi i tha Pjetrit: ``Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?``.

12. Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e Judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.

13. E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprifti i atij viti.

14. Kajafa ishte ai që i kishte këshilluar Judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin.

15. Por Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër ndiqnin Jezusit. Dhe ky dishepull ishte i njohur i kryepriftit; dhe hyri me Jezusin në oborrin e kryepriftit.

16. Por Pjetri mbeti përjashta te dera. Atëherë dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, doli dhe i foli portieres dhe bëri të hyjë Pjetri.

17. Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: ``Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?``. Ai u përgjigj: ``Nuk jam``.

18. Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej.

19. Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij.

20. Jezusi iu përgjigj: ``Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë Judenjtë, dhe s`kam thënë asgjë në fshehtësi.

21. Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç`u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë``.

22. Posa i tha këto fjalë, një nga rojat që i rrinin afër, i ra Jezusit me shuplakë, duke thënë: ``Kështu i përgjigjesh kryepriftit?``.

23. Jezusi i tha: ``Po të kem folur keq, trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?``.

24. Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kajafa, kryeprifti.

25. Ndërkaq Simon Pjetri qëndronte aty e ngrohej. I thanë, pra: ``Mos je dhe ti nga dishepujt e tij?``. Ai e mohoi dhe tha: ``Nuk jam``.

26. Por një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefisi i atij, të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, tha: ``A s`të pashë në kopsht me të?``.

27. Dhe Pjetri e mohoi sërish, dhe menjëherë këndoi gjeli.

28. Pastaj nga Kajafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën.

29. Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: ``Ç`padi sillni kundër këtij njeriu?``.

30. Ata u përgjigjën dhe i thanë: ``Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar``.

31. Atëherë Pilati u tha atyre: ``Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj`` Por Judenjtë i thanë: ``Neve nuk na lejohet të vrasim njeri``.

32. Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç`vdekje duhej të vdiste.

33. Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: ``A je ti mbreti i Judenjve?``.

34. Jezusi iu përgjigj: ``E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?``.

35. Pilati iu përgjigj: ``Jam unë vallë Juda? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?``.

36. Jezusi u përgjigj: ``Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej``.

37. Atëherë Pilati i tha: ``Ti, pra, qenke mbret?``. Jezusi u përgjigj: ``Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim``.

38. Pilati e pyeti: ``Ç`është e vërteta?``. Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: ``Unë nuk po gjej në të asnjë faj!

39. Por ndër ju është zakon që unë t`ju liroj dikë për Pashkë; a doni, pra, që t`ju liroj mbretin e Judenjve?``.

40. Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: ``Jo këtë, por Barabanë!``. Por Baraba ishte një kusar.

1. Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin.

2. Dhe ushtarët thurrën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën siper një mantel të purpurt,

3. dhe thoshnin: ``Tungjatjeta, o mbret i Judenjve``; dhe i binin me shuplaka.

4. Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: ``Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj``.

5. Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: ``Ja njeriu!``.

6. Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bërtasin, duke thënë: ``Kryqëzoje, kryqëzoje!``. Pilati u tha atyre: ``Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të asnjë faj``.

7. Judenjtë iu përgjigjën: ``Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë``.

8. Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë;

9. dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: ``Nga je ti?``. Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje.

10. Për këtë arsye Pilati i tha: ``S`po më flet? ti s`e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?``.

11. Jezusi u përgjigj: ``Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh``.

12. Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por Judenjtë bërtisnin, duke thënë: ``Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit``.

13. Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm", e në hebraisht "Gabatha";

14. tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha Judenjve: ``Ja mbreti juaj``.

15. Por ata bërtitën: ``Largoje! Largoje! Kryqëzoje!``. Pilati u tha atyre: ``Ta kryqëzoj mbretin tuaj?``. Krerët e priftërinjve u përgjigjën: ``Ne s`kemi mbret tjetër përveç Cezarit!``.

16. Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje.

17. Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej "Kafka", që në hebraisht quhet "Golgota",

18. ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes.

19. Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: "JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE".

20. Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga Judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht.

21. Prandaj krerët e priftërinjve të Judenjve i thanë Pilatit: ``Mos shkruaj: "Mbreti i Judenjve", por se ai ka thënë: "Unë jam mbreti i Judenjve"``.

22. Pilati u përgjigj: ``Atë që kam shkruar, e kam shkruar!``.

23. Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund.

24. Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: ``Nuk e grisim, por hedhim short kujt t`i bjerë``; që të përmbushej Shkrimi, që thotë: ``I ndanë midis tyre rrobat e mia, dhe hodhën short për tunikën time``. Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra.

25. Por afër kryqit të Jezusit, qendronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë.

26. Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ``O grua, ja biri yt!``.

27. Pastaj i tha dishepullit: ``Ja nëna jote!``. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet.

28. Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: ``Kam etje!``.

29. Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një dege hisopi, ia afruan te goja.

30. Kur Jezusi e mori uthullën, tha: ``U krye!``. Dhe duke ulur kryet, dha frymën.

31. Duke qenë se ishte dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, Judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t`u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej.

32. Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të;

33. por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë,

34. por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë.

35. Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni.

36. Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: ``Nuk do t`i thyhet asnjë eshtër``.

37. Dhe akoma një Shkrim tjetër thotë: ``Do të vështrojnë atë që e kanë tejshpuar``.

38. Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e Judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit.

39. Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash.

40. Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndëshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin Judenjtë.

41. Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush.

42. Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së Judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.


Pak shpirtra e kuptojnë se çfarë Zoti mund të kryej tek ata, nëse do ta braktisnin veten pa rezerva tek Ai dhe nëse do të lejonin hirin e Tij t'i formonte si duhej.

-- Shën Ignatius Loyola

E Enjte e Shenjtë - Jesusi: "Sikurse ju bëra Unë juve, të bëni edhe ju" - 28 Mars 2013


Leximi i parë: Eksodi 12:1-8, 11-14
Psalm: Psalm 116:12-13, 15-18
Leximi i dytë: 1 e Korintasve 11:23-26
UNGJILLI: Gjoni 13:1-15



Leximi i parë: Eksodi 12:1-8, 11-14

1 Zoti i tha Moisiut e Aronit në dheun e Egjiptit: 2 “Ky muaj do të jetë për ju fillimi i muajve, më i pari ndër muajt e vitit. 3 Flisni me tërë bashkësinë e bijve të Izraelit e thojuni: Të dhjetën ditë të këtij muaji, le ta marrë secili për shtëpi një qengj për familjen e vet. 4 Por, po qe se numri i anëtarëve është më i vogël sesa do të mund të mjaftonte për ta ngrënë qengjin, le të marrë të afërmin e vet, që është më afër shtëpisë së tij, sipas numrit të frymëve që mjafton për të ngrënë qengjin. 5 Qengji le të jetë i patëmetë, mashkull, i një viti. Mund të merrni qengj ose edh. 6 Ruajeni deri të katërmbëdhjetën ditë të këtij muaji: atëherë, në muzg le ta flijojë e tërë bashkësia e bijve të Izraelit. 7 Le të marrin prej gjakut të tij dhe le t’i lyejnë të dy shtalkat dhe ballzinat e dyerve të shtëpive, në të cilat do ta hanë qengjin. 8Mishin e pjekur në zjarr le ta hanë atë natë me të pabrume dhe me barishte të hidhura. 11 Dhe hajeni kështu: me ijë të ngjeshura, me sandale në këmbë dhe shkop në dorë: hajeni me shpejti, sepse, janë Pashkët /d. m. th. kalimi i/ e Zotit! 12 Atë natë do të kaloj nëpër dheun e Egjiptit dhe do të vras çdo të parëlindur në dheun e Egjiptit që nga njeriu e deri në bagëti dhe do t’i ndëshkoj të gjitha hyjnitë e Egjiptit; unë Zoti ! 13 Gjaku do t’ju shërbejë si shenjë se në të cilën shtëpi jeni: unë do ta shoh gjakun dhe ju do t’ju kaloj. Kështu ndër ju nuk do të ketë shuplakë farosjeje, kur unë do t’i sulem dheut të Egjiptit. 14 Kijeni këtë ditë përkujtim dhe kremtojeni festë në nder të Zotit brez pas brezi me sjellje fetare të përhershme.

Psalm: Psalm 116:12-13, 15-18

12 Si do t’ia shpërblej Zotit
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
13 Do të ngre gotën e shëlbimit
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
15 E çmueshme është para Zotit
vdekja e shenjtërve të tij.
16 O Zot, unë jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.
Ti i këpute hekurat e mia:
17 ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
18 Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij,

Leximi i dytë: 1 e Korintasve 11:23-26

23 Vërtet atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve jua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, 24 falënderoi, e theu dhe tha: “Ky është Trupi im ‑ për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim!” 25 Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëjeni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” 26 Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e ta pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.

UNGJILLI: Gjoni 13:1-15

1 Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët ‑ ata që ishin në botë ‑ i deshi deri në pikën e fundit. 2 Dhe, gjatë darkës ‑ pasi djalli ia kishte mbushur mendjen Judës, birit të Simon Iskariotit, ta tradhtonte ‑ 3 Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente ‑ 4 u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh. 5Qiti ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur. 6 Arriti kështu te Simon Pjetri. Ai i tha: “Zotëri, ti të m’i lash këmbët?”
7 “Ç’po bëj unë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë.”
8 Pjetri iu përgjigj:“Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!”
“Nëse nuk do të laj ‑ i tha Jezusi ‑ nuk do të kesh pjesë me mua.”
9 Simon Pjetri iu përgjigj:“Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kokën!”
10 Jezusi i tha:Kush është i larë, nuk i duhet të lajë tjetër përveç këmbët ‑ dhe është krejtësisht i pastër. Edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”
11 Ngase e dinte se kush do ta tradhtojë, këndej edhe tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”
12 Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë dhe u tha: “A e kuptoni çka ju bëra? 13 Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam. 14 Nëse, pra, unë ‑ Zotëria dhe Mësuesi ‑ ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ia lani këmbët njëri‑tjetrit. 15 Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.

Java e Shenjtë - Jesusi "Biri i njeriut po shkon ashtu si është në Shkrimin e Shenjtë" - E Mërkurë 27 Mars 2013


Leximi i parë: Isaia 50:4-9
Psalm: Psalm 69:8-10, 21-22, 31, 33-34
UNGJILLI: Mateu 26:14-25



Leximi i parë: Isaia 50:4-9

4 Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin.
Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi.
5 Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa.
6 Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat.
7 Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si shkëmbi pse e di se s’do të mbetem i turpëruar.
8 Afër e kam atë që ma jep të drejtën, kush guxon të shtyhet në gjyq me mua? Le të dalim përballë njëri‑tjetrit! Kush është kundërshtari im? Le të më dalë përballë!
9 Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im, kush është ai që do të më dënojë?
Të gjithë ata do të brishen si petku, tenja do t’i brejë!

Psalm: Psalm 69:8-10, 21-22, 31, 33-34

8 Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, turpi ma mbuloi fytyrën,
9 u bëra i huaj për vëllezërit e mi, i panjohur për bijtë e nënës sime.
10 Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.
21 Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.
22 Në ushqim më hodhën vrer e në etje më dhanë të pi uthull.
31 Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, do ta lartësoj me këngë falenderimi.
33 Le të shikojnë të përvuajturit e le të gëzohen; kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
34 Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.


UNGJILLI: Mateu 26:14-25

14 Atëherë njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 
15 dhe u tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta
16 Që atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

Përgatitja e Darkës së Pashkëve
(Mk 14, 12‑21; Lk 22, 7‑14; 21‑23; Gjn 13, 21‑30)

17 Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën: “Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?”
18 Ai u tha: “Shkoni në qytet te filani dhe thuajini: Mësuesi thotë: koha ime është afër! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.”
19 Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve.
20 Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. 
21 Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” 
22 Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit: “A mos jam unë, Zotëri?”
23 Ai iu përgjigj: “Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë ‑ ai do të më tradhtojë. 
24 Po, Biri i njeriut patjetër po shkon siç është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!”
25 Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij: “A mos jam unë, Mësues?”
“E the vetë!” ‑ iu përgjigj Jezusi.



 “Siguria që jep drita hyjnore është më e madhe se sa ajo që drita e arsyes natyrore jep”

-- Shën. Tomas Aquinas