Pages

Ferri & Mosbesimi i njeriut - E Enjte 28 Shkurt 2013


Leximi i pare: Jeremia 17:5-10
Psalm: Psalm 1:1-4, 6
UNGJILLI: Luka 16:19-31
---------------------------------------------

Leximi i pare: Jeremia 17:5-10

5. Kështu thotë Zoti: "Mallkuar qoftë njeriu që ka besim te njeriu dhe e bën nga mishi krahun e tij, dhe zemra e të cilit largohet nga Zoti!

6. Ai do të jetë si një brukë në shkretëtirë; kur vjen e mira, nuk ka për ta parë. Do të banojë në vende të thata në shkretëtirë, në një tokë të kripur pa banorë.

7. Lum ai njeri që beson te Zoti dhe besimi i të cilit është Zoti!

8. Ai do të jetë si një pemë i mbjellë pranë ujit, që i shtrin rrënjët e tij gjatë lumit. Nuk do ta ndjejë kur vjen vapa dhe gjethet e tij do të mbeten të gjelbra; në vitin e thatësirës nuk do të ketë asnjë shqetësim dhe do të vazhdojë të mbajë fryte.

9. Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?

10. Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t`i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.


Psalm: Psalm 1:1-4, 6

1. Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,

2. por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.

3. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.

4. Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.

6. Sepse Zoti njeh rrugët e të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.


UNGJILLI: Luka 16:19-31

19. Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm.

20. Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara,

21. dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët.

22. Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.

23. Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij.

24. Atëherë ai bërtiti dhe tha: "O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë.

25. Por Abrahami thoshte: "O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan.

26. Dhe, veç të gjithave, midis nesh dhe jush është një humnerë e madhe, kështu që ata që do të donin të kalonin që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne".

27. Por ai i tha: "Atëherë, o atë, të lutem ta dërgosh atë te shtëpia e tim eti,

28. sepse unë kam pesë vëllezër e le t`i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh".

29. Abrahami u përgjigj: "Kanë Moisiun dhe profetët, le t`i dëgjojnë ata".

30. Ai tha: "Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen".

31. Atëherë ai i tha: "Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe në se dikush ringjallet prej të vdekurish"``.




Biri i njeriut nuk erdhi per t'i sherbyer...E Merkure 27 Shkurt 2013


Lexim i pare: Jeremia 18:18-20
Psalm: Psalm 31:5-6, 14-16
UNGJILLI: Mateu 20:17-28
--------------------------------------------

Lexim i pare: Jeremia 18:18-20

18. Pastaj ata thanë: "Ejani dhe të kurdisim komplote kundër Jeremias, sepse ligji nuk do t`i mungojë priftit as këshilla të urtit dhe as fjala profetit. Ejani, ta godasim me gjuhën dhe të mos i kushtojmë kujdes asnjërës prej fjalëve të tij".

19. Kushtomë kujdes, o Zot, dhe dëgjo zërin e atyre që grinden me mua.

20. A shpërblehet vallë e mira me të keqen? Sepse ata i kanë hapur një gropë jetës sime. Kujto se jam paraqitur para teje për të folur në favor të tyre dhe për të larguar prej tyre zemërimin tënd.


Psalm: Psalm 31:5-6, 14-16

5. Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.

6. Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t`u dukur, por kam besim te Zoti.

14. Por unë kam besim te ti, o Zot; kam thënë: "Ti je Perëndia im".

15. Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.

16. Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.


UNGJILLI: Mateu 20:17-28

17. Pastaj, kur Jezusi po ngjitej në Jeruzalem, i mori mënjanë të dymbëdhjetë dishepujt gjatë rrugës dhe u tha atyre:

18. ``Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t`u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje.

19. Do t`ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet``.

20. Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka.

21. Dhe ai i tha: ``Çfarë do?``. Ajo u përgjigj: ``Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde``.

22. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: ``Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: ``Po, mundemi``.

23. Atëherë ai u tha atyre: ``Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im``.

24. Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.

25. Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: ``Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,

26. por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;

27. dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.

28. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.


Bindja & Perulesia - E Marte 26 Shkurt 2013


Leximi i pare: Isaia 1:10, 16-20
Psalm: Psalm 50:8-9, 16-17, 21, 23
UNGJILLI: Mateu 23:1-12
------------------------------------------------

Leximi i pare: Isaia 1:10, 16-20

10. Dëgjoni fjalën e Zotit, o krerë të Sodomës, verini veshin ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës!

16. Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq.

17.Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve.

18.Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.

19.Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit;

20. por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t`ju përpijë shpata", sepse goja e Zotit ka folur.


Psalm: Psalm 50:8-9, 16-17, 21, 23

8. Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.

9. Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.

16. Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,

17. ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?

21.Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.

23. Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t`i tregoj shpëtimin e Perëndisë".


UNGJILLI: Mateu 23:1-12

1. Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet,

2.duke thënë: ``Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut.

3. Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t`ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.

4. Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht.

5. Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t`u dukur nga njerëzit; i zgjerojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre.

6. Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga,

7. si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit.

8. Por ju mos lejoni që t`ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër.

9. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej.

10. As mos lejoni që t`ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.

11. Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj.

12. Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.


Falni dhe do te jeni te falur - E Hene 25 Shkurt 2013


Leximi i pare: Danieli 9:4-10
Psalm: Psalm 79:8-9, 11, 13
UNGJILLI: Luka 6:36-38
-------------------------------------------------- 

Leximi i pare: Danieli 9:4-10

4. Kështu bëra lutjen time dhe rrëfimin tim Zotit, Perëndisë tim, duke thënë: "O Zot, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që e ruan besëlidhjen tënde dhe dhembshurinë tënde me ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua,

5. ne kemi mëkatuar dhe kemi vepruar në mënyrë të çoroditur, kemi qenë të këqij dhe u rebeluam, duke u larguar nga urdhërimet e tua dhe nga dekretet e tua.

6. Nuk kemi dëgjuar profetët, shërbëtorët e tu, që u kanë folur në emrin tënd mbretërve tanë, krerëve tanë, etërve tanë dhe tërë popullit të vendit.

7. O Zot, ty të përket drejtësia, por neve turpi i fytyrës ashtu si po ndodh pikërisht sot me burrat e Judës, me banorët e Jeruzalemit dhe me gjithë Izraelin, me ata që janë afër dhe me ata që janë larg, në të tëra vendet ku i ke shpërndarë, për shkak të pabesisë që kanë kryer kundër teje.

8. O Zot, turpi i fytyrës është për ne, për mbretërit tanë, për krerët tanë dhe për etërit tanë, sepse kemi mëkatuar kundër teje.

9. Zotit, Perëndisë tonë, i përkasin mëshira dhe ndjesa, sepse jemi rebeluar kundër tij,

10. dhe nuk kemi dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tonë, për të ecur sipas ligjeve të tij, që na kishte vënë përpara me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.

Psalm: Psalm 79:8-9, 11, 13

8. Mos kujto kundër nesh fajet e të pabesëve tanë; nxito të na dalësh para me dhembshuritë e tua, sepse jemi shumë të vuajtur.

9. Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.

11. Le të arrijë deri tek ti rrënkimi i robërve; sipas fuqisë së krahut tënd, shpëto ata që janë të dënuar me vdekje.

13. Dhe ne populli yt dhe kopeja e kullotës sate, do të të kremtojmë përjetë dhe do të shpallim lavdinë tënde brez pas brezi.

UNGJILLI: Luka 6:36-38

36. Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.

37. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; falni dhe do të jeni të falur.

38. Jepni dhe do t`ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t`ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t`ju matet edhe juve gjithashtu``.

Lutja ne Mal: E Diele, 24 Shkurt 2013


Leximi i pare: Zanafilla 15:5-12, 17-18
Psalm: Psalm 27:1, 7-9, 13-14
Leximi i dyte: Filipianeve 3:17 -- 4:1 ose 3:20 -- 4:1
Ungjilli: Luka 9:28-36
----------------------------------------------------------------

Leximi i pare: Zanafilla 15:5-12, 17-18

5. Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: "Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund t`i numërosh", pastaj shtoi: "Kështu kanë për të qënë pasardhësit e tu".
6. Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.
7. Pastaj Zoti i tha: "Unë jam Zoti që të nxori nga Uri i Kaldeasve, për të ta lënë si trashëgimi këtë vend".
8. Dhe Abrami pyeti: "Zot, Perëndi, nga mund ta dij unë që do ta kem si trashëgim?".
9. Atëherë Zoti i tha: "Sillmë një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri".
10. Atëherë Abrami i shpuri tërë këto kafshë, i ndau më dysh dhe vendosi secilën gjysmë përballë tjetrës; por zogjtë nuk i ndau.
11. Dhe disa zogj grabitqarë zbritën mbi kafshët e vrara, por Abrami i përzuri.
12. Me perëndimin e diellit, një gjumë i rëndë e zuri Abramin; dhe ja, një llahtari dhe një errësirë e thellë e kapluan atë.
17. Por me të perënduar dielli dhe me të zbritur errësira, na del para syve një furrë që nxjerr tym dhe një pishtar i zjarrtë që kalon përmes kafshëve të ndara.
18. Po atë ditë Zoti bëri një besëlidhje me Abramin duke i thënë: "Unë u jap pasardhësve të tu këtë vend, nga përroi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin e Eufratit".


Psalm: Psalm 27:1, 7-9, 13-14

1. Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?
7. O Zot, dëgjo zërin tim, kur të thëras Ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu.
8. Zemra ime më thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën Time". Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.
9. Mos ma fshih fytyrën Tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; Ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Përendi e shpëtimit tim.
13. Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!
14. Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti.


Leximi i dyte: Filipianeve 3:17 -- 4:1 ose 3:20 -- 4:1

17. Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullin që keni në ne.
18. Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit,
19. dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë.
20. Sepse qytetëria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht,
21. i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t`i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.
1. Prandaj, o vëllezër të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o shumë të dashur.

UNGJILLI: Luka 9:28-36

28. Dhe ndodhi që afërsisht tetë ditë pas këtyre thënieve, Ai mori me vete Pjetrin, Gjonin Jakobin dhe u ngjit në mal për t`u lutur.
29. Dhe ndërsa po lutej, pamja e fytyrës së tij ndryshoi dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe e ndritshme.
30. Dhe ja, dy burra po bisedonin me të; ata ishin Moisiu dhe Elia,
31. të cilët, të shfaqur në lavdi, i flisnin për ikjen e tij nga kjo jetë që do të kryhej së shpejti në Jeruzalem.
32. Pjetri dhe shokët e tij ishin të këputur nga gjumi; po kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që ishin bashkë me të.
33. Dhe, ndërsa këta po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: ``Mësues, për ne është mirë të rrijmë këtu; le të bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian``; por ai nuk dinte ç`thoshte.
34. Dhe ndërsa ai po fliste kështu, erdhi një re që i mbuloi në hijen e vet; dhe dishepujt i zuri frika, kur hynë në re.
35. Dhe një zë dilte nga reja duke thënë: ``Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni``.
36. Dhe ndërsa fliste ky zë, Jezusi u gjet krejt vetëm. Ata heshtën dhe në ato ditë nuk i treguan kurrkujt asgjë nga ç`kishin parë.